Ata të cilët dëshmorët e Kosovës i ndajnë mbi baza partiake dhe rajonale, janë egjra dhe llumi i nacionalizmit shqiptar!

Opinione

Ata të cilët dëshmorët e Kosovës i ndajnë mbi baza partiake dhe rajonale, janë egjra dhe llumi i nacionalizmit shqiptar!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 24 mars 2024 Në ora: 21:05
Rexhep Elezaj

Nuk ke si të përmbahesh pa e zbrazur mllefin dhe indinjatën e brendshme intelektuale dhe kombëtare, kur sot në tubimin e epopesë 26 vjeçare të luftës çlirimtare për Dukagjin, i mbajtur sot në Gllogjan, në rendin e parë të tij nuk e sheh presidenten, kryeministrin, krye-kuvendarin, e as ministra, dhe deputet të partive tjera parlamentare, përveç disa musafirëve nga Maqedonia veriore dhe Shqipëria, si dhe bacit Rifat Jashari, i cili ka vite të tëra që politikanëve tanë u dërgon porosi dhe u jep këshilla vëllazërore, që të bashkohen rreth Flamurit tonë të vetëm kombëtar, të mos grinden dhe fyejnë njëri tjetrin, ngase baca Rifat, e dinë më së miri vlerën e shtrenjtë të lirisë sonë kombëtare, për të cilën liri familja e tij, 56 anëtarëshe, është sakrifikuar e tëra me 5 mars 1998.

Abstenimi dhe mospjesëmarrja e udhëheqësve shtetëror në tubimin e sotëm të epopesë së Dukagjinit, është trup i madh dhe njollë e zezë për historinë e popullit martir të Kosovës, sepse qoftë sipas moralit dhe vlerave njerëzore, qoftë sipas traditave të lashta shqiptare, nuk ka pasur dhe as nuk mund të ketë dëshmorë me vlerë të vogël, dhe dëshmorë më vlerë më të madhe, ngase para popullit dhe para Zotit, dëshmorët tanë kanë të njëjtën vlerë, të njëjtin respekt, të njëjtin shpirt sakrifikues, siç janë edhe plotësisht të barabartë edhe në sakrificën e tyre më sublime, siç është dhënia e jetës për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Dëshmorët e Kosovës nuk ka të drejtë dhe askush nuk guxon që t’i ndajë në rajone dhe përkatësi partiake, kur dihet se ata nuk e ka dhënë jetën për Drenicë, Llap, Anamoravë as për Dukagjin, por që të gjithë si një shpirt dhe trup, jetën e tyre e kanë dhënë për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Ndaj, ata të cilët ushqejnë iluzione dhe ideologji përçarëse, madje edhe urrejtje personale ndaj ish komandantëve të luftës çlirimtare, janë pikërisht egjra dhe llumi i kauzës tonë të shenjtë kombëtare, ngase siç duket janë të ngopur me xhelozitë dhe ambiciet e tyre të sëmura karrieriste, ndaj fusin huti dhe përçarje në mesin e heronjve dhe dëshmorëve të Kosovës, duke ngritur kështu barriera dhe hendeqe brenda procesit të shtet-ndërtimit të Kosovës, madje për lirinë e të cilës nuk e kanë dhënë as minimumin e sakrificës së dëshmorëve tanë heroik dhe të pavdekshëm.

Heronjtë e Kosovës janë dhe i takojnë vetëm popullit shqiptar për të cilin ata edhe u flijuan, pra ata nuk i takojnë asnjë partie, rajoni dhe krahine të caktuar, por as ndonjë lideri dhe politikani-e, i cili pretendon se ka ndonjë meritë të veçantë brenda popullit shqiptar në Kosovë. Martirët dhe heronjtë i takojnë vetëm popullit i cili i ka lindur dhe për të cilin e kanë dhënë jetën, në kohën kur shumë politikanë të sotëm ishin me mijëra kilometra larg nga fronti i luftës çlirimtare në vitet e gjenocidit serb në Kosovë, me 1989/99.

Lavdi e përjetshme qoftë për të gjithë dëshmorët e Kosovës, që ne sot falë sakrificës së tyre po e shijojmë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës !

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat