Retorika luftënxitëse e A. Vuçiqit dhe fjalori kundër faktorëve ndërkombëtarë, dëshmi e fiaskos së tij politike..!?

Opinione

Retorika luftënxitëse e A. Vuçiqit dhe fjalori kundër faktorëve ndërkombëtarë, dëshmi e fiaskos së tij politike..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 25 mars 2024 Në ora: 20:42
Rexhep Elezaj

Për analistët dhe vrojtuesit e politikës zyrtare të Serbisë, qëkur në krye të saj ka ardhur, siç e quajnë “Mali Slloba” (Slloba i vogël), A. Vuçiq, para së gjithash, analistët e huaj në Evropë dhe SHBA, e kanë kuptuar se kreu numër Një i saj, A. Vuçiq dhe bandat mafioze rreth tij, përveç taktikave dhe sjelljeve të imponuara nga faktorët ndërkombëtarë, kur është fjala për shqiptarët, nuk kanë ndryshuar asgjë në politikën e tyre raciste, hegjemoniste dhe pushtuese ndaj Kosovës.

Mbase, nuk ka paraqitje publike, qoftë me gazetarë, qoftë në intervistat e tij të shpeshta dhënë televizioneve të Beogradit, ku A. Vuçiq, të mos flas çdo një të zezë për shqiptarët, duke e akuzuar, siç e quan ai, Prishtinën zyrtare, për gjoja dhunë, diskriminim dhe pastrim etnik të serbëve nga Kosova, madje duke replikuar ashpër gjatë muajve të fundit me faktorët vendimmarrës në Evropë, por jo edhe me amerikanët, duke i quajtur ata (evropianët) hapur si gënjeshtarë, dyfëtyrësh, të pamoralshëm, etj., për faktin, gjithnjë sipas tij, sepse lidhur me Kosovën dhe ngjarjet në veri, një gjë i paskan thënë në takime personale, dhe një tjetër gjë paskan bërë në praktikë, duke e përkrahur “bebën” e tyre, Kosovën, në çdo vendim dhe veprim të saj në veri, siç ishte rasti i sulmit terrorist serb në Banjskë.

Madje, ky “Slloba i vogël”, në fjalimet e mbajtura gjatë vizitës së tij të djeshme në jug të Serbisë, siç ishte ai në Toplicë, hapur i ka kërcënuar faktorët ndërkombëtarë, duke thënë se, “Serbia kurrë nuk do ta pranojë dorëzimin, kurrë nuk do ta pranojë copëtimin e territorit të saj, as shkëputjen e Kosovës, si dhe kurrë nuk do të pranojë të bëhet anëtare e NATO-s, e cila, gjithnjë sipas tij, me aq pamëshirësi e paska vrarë policin serb, Bobanin, në sulmin e parë të saj mbi Serbinë, por i cili bashkë me kolegët e tij heroikisht e paskan mbrojtur Serbinë nga agresioni i NATO-s”. Ndërsa, ky i njëjti, A. Vuçiq, që 25 vite i ka injoruar qëllimisht nga shpirti i tij kriminal, masakrat dhe vrasjet e 13 mijë shqiptarëve nga shefi i tij, “Slloba i madh”, pikërisht me ndihmën e tij personale, si ministër i propagandës që ishte asokohe, po sikur 13 mijë shqiptarët e vrarë të mos vlenin sa Bobani i tij heroik..!?

Andaj, vazhdimësia e politikës hegjemoniste, pushtuese, gjenocidale dhe shfarosëse e regjimit aktual të Serbisë ndaj Kosovës, me synim, plan dhe skenar të njëjtë nga Memorandumi i SANU-s i vitit 1986, si dhe provokimet e vazhdueshme ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi, duke i kërcënuar dhe destabilizuar çdo ditë nga brenda, e gjithë kjo si mënyrë dhe taktikë fashiste për ta mbajtur të gjallë frymën kërcënuese dhe pushtuese ndaj këtyre tre popujve, por edhe duke vepruar në stazë afatgjatë për krijimin e Serbisë së madhe, siç po e quajnë ndryshe, Botës serbe, është ky një skenar i njohur serb për ne shqiptarët, fakt të cilin duket se edhe faktorët vendimmarrës në Evropë e kanë kuptuar tanimë, kundër të cilëve A. Vuçiq çdo ditë po gjuan shqelma dhe akuza, ngase dështimin politik është duke e përjetuar rënd në shpirtin e tij prej krimineli ordiner.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat