Albin, pash zotin “rrëzohu”!

Opinione

Albin, pash zotin “rrëzohu”!

Dedë Preqi Nga Dedë Preqi Më 27 mars 2024 Në ora: 12:56
Foto ilustrim

"Albini, pash Zotin, rrëzohu vet, bëhu burrë i fortë dhe jap vetë dorëheqjen, sepse ne si opozitë nuk jemi në gjendje ta rrëzojmë, pasi nuk kemi lënë asnjë moment pa u përpjekur, e lëreni mua si kryeministër i Kosovës". Këto janë fjalët e opozitës, e cila është e zënë ngusht dhe nuk do të kishte ëndrruar kurrë të ishim në një situatë të vështirë si kjo.

Kjo është diçka e paimagjinueshme, që një kryeministër i një shteti të rrëzohet vetë, siç njeriu rrëzohet në mes të rrafshit pa u munduar fare, siç thotë populli. Por kjo është dëshira e opozitës, e cila është e pafuqishme dhe nuk ka numra për të shprehur një mocion mosbesimi në Kuvend. Këto janë shqetësimet dhe ankthet e opozitës së sotme, PDK, LDK dhe AAK.

Përpjekjet e vazhdueshme të opozitës në studiot televizive të vendit dhe më gjerë, duke angazhuar analistë dhe opinionistë nga të gjitha anët, fokusohen vetëm te Albin Kurti, për të ndërmarrë veprime të tilla si rrëzimi i tij nga pushteti. Ata herë e shohin atë si kundërshtar të Amerikës, herë si mbështetës të Vuçiqit dhe Putin, duke e interpretuar secili në mënyrën e tij. Por kjo duket si një skenar i padukshëm dhe pa ndikim.

Albini, ose kryeministri Kurti, mbetet një person i vërtetë, i pa mposhtur në natyrën e tij të kryeministrit, i paprekshëm në dinjitetin e tij dhe i pa zëvendësueshëm në përgjegjësitë që i takojnë. Prandaj, duhet ta analizojmë seriozisht para se ta kritikojmë ose ta shantazhojmë.

Në fakt, në kohët e fundit hasim në përceptime të ndryshme dhe në një përpjekje të vazhdueshme të opozitës, edhe në forma anonime, që synojnë rrëzimin e kryeministrit Kurti, duke harruar problemet më të mëdha që ka Kosova.

Zanafilla e kësaj krize në opozitë është fakti që qeverisja e Kurtit ka marrë një nuancë historike, si në atmosferën politike, ashtu edhe në qëndrimet e kryeministrit në ligje dhe Kushtetutën e vendit, duke shprehur një përpjekje të vërtetë për frymën demokratike, e cila është rrallësi në vendet që përfaqësojnë thjeshtësinë dhe madhështinë e qëndrimeve parimore njerëzore dhe shoqërore.

Përpjekjet e opozitës nuk janë më shumë se rrëzimi i kryeministrit Kurti për të ardhur përsëri në pushtet. Megjithatë, dëshira dhe mundësia janë të kundërta në këtë rast, dhe nuk janë në harmoni me njëra-tjetrën. Nëse kryeministri Kurti i plotëson këto dëshira, atëherë do të akuzohet për dorëzim dhe dështim.

Prandaj, për të gjetur zgjidhje të mirëfilltë për Kosovën, duhet të lëmë mendjet tona të lira dhe të mos frikohemi se mund të humbasim atë vetëdije apo pa vetëdije. Duke iu kushtuar më shumë mendjes së lirë, mund të zbulojmë se ky është armë më e fuqishme për të bërë ndryshime, duke gjetur gëzim dhe qetësi si njerëz dhe si komb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat