Kosova më pranë KiE-së dhe NATO-s! Tashmë nuk ka më statukuo!

Opinione

Kosova më pranë KiE-së dhe NATO-s! Tashmë nuk ka më statukuo!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 28 mars 2024 Në ora: 15:20
Nga mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës dhe raportimit për Kosovën,

Më 24 mars Kosova mori statusin e anëtarit të asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Ishte dita e 25 vjetorit të intervenimit të Aleancës kundër gonocidit serb në Kosovë. Ky vendim i marrë në këtë datë do të thotë shumë. Kosova tashmë është një hap drejt anëtarësimit të plotë në këtë asamble e për pasojë edhe në NATO. Më 27 mars, tri ditë më pas, pra të mërkurën që shkoi, Kosovës iu hap drita jeshile për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Duhen dhe dy procedura, në prill dhe në maj të këtij viti. Pra, duhet që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të votojë me dy të tretat e votave dhe këshilli i Ministrave të marrë vendimin e fundit. Duket se rruga është e hapur tashmë. Vetëm katër vota të katër serbëve pjesëmarrës në Komitetin e Këshillit për Politikë dhe Demokraci mbledhur në Paris në Paris votuan kundër. Për Kosovën votuan pro 31 deputetë të tjerë anëtarë të këtij komiteti. Pati një abstenim. Numri i madh i votave pro le të kuptojë se tashmë nuk ka kthim prapa. 

Thjeshtë Kosova nuk duhet të jetë euforike dhe të flejë aq e qetë, sepse në kësi rastesh Beogradi dhe Moska mund të shkaktojnë incidente që e komprometojnë atë. Nuk duhet harruar Gërdeci në Shqipëri, ngjarje që u shkaktua vetëm 20 ditë para se krerët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve të NATO-s të bënin ftesë për Shqipërinë për t’u bërë pjesë e Aleancës. Pra duhet kujdes, mençuri dhe urtësi deri në momentin e fundit. Duhet shkathtësi dhe të evitohet që Kosovës t’i vihen kushte të reja. Vendimi që u mor sot në Paris është i një dimensioni të jashtëzakonshëm. Për disa arsye: Së pari, duket se bashkësia ndërkombëtare perëndimore ka vendosur të mos presë aq gjatë sa dëshiron presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për ta zgjidhur konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë. Asocimi në AP të NATO-s dhe vendimi i Komitetit Politik e për Demokraci të KE-së janë dy vendime që jo vetëm konsolidojnë pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, por edhe e afrojnë atë një hap pranë pranimit në këto dy organizata politike (NATO-ja edhe ushtarake) më të mëdhatë e globit, pas OKB-së.

 Gjithmonë kemi shkruar dhe kemi thënë se e vetmja mënyrë për ta njohur Kosovën si shtet është anëtarësimi i saj në NATO, KE dhe BE. Nëse Kosova bëhet anëtare e këtyre organizatave, atëherë automatikisht ajo do jetë subjekt shtetëror ndërkombëtar. Këtë e dëshmon fakti se Kosova ftohet në KiE edhe formalisht si shtet dhe jo si vend! Iku me këtë rast ajo e famshmja fusnotë! Së dyti, Zhvillimet gjeopolitike në Evropë e në rajon duket se po diktojnë hapa konkretë të SHBA-ve dhe vendeve evropiane për konsolidimin përfundimtar të shtetësisë së Kosovës, në këtë rast pa Serbinë. 

Kjo do të thotë se dialogu tashmë nuk konsiderohet më si rruga e vetme e madje as si rruga kryesore e zgjidhjes së konfliktit midis dy vendeve. Ardhja deri te ky moment i duhet faturuar zhvillimeve demokratike në Kosovë, e cila tashmë njihet si model në rajon. Por meritë ka edhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për shkak të “dorës së sëmurë” të tij. Ai nuk firmosi marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit në shkurt-mars të vitit 2023. Ai shkroi letra kundërshtie ndaj asaj marrëveshjeje dhe atij aneksi për Këshillin Evropian. Dhe i bindi ata se “nuk është tashmë Albin Kurti problemi i dialogut dhe mos-zbatimit të marrëveshjeve”. Përkundrazi, është Aleksandër Vuçiq pengesa kryesore e këtij procesi. “Kush ia bën, ia bën vedit”, thonë shkodranët. Së treti dhe më kryesorja: Procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës dëshmoi se fitorja dhe suksesi janë të garantuar kur përfaqësuesit e Kosovës bëhen bashkë. Më ka impresionuar bashkimi patriotik i deputetëve të parlamentit të Kosovës, përfaqësues të tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

 I lexova deklaratat e tyre dhe kuptova se të gjithë ishin të lumtur për atë që u arrit. Dhe kjo ndodh gjithmonë, nëse lidershipi në pushtet nuk turret të marrë merita, edhe pse i ka ato. Kjo ndodh kur deputetët sillen si atdhetarë e jo si përfaqësues të subjekteve politike. Në këtë kuptim, delegacioni i Kosovës në Asamblenë Parlamentare shërben si model e si shembull i konsensusit dhe sjelljes me maturi politike. Së katërti, rrugëtimi për integrime të Kosovës në KiE, NATO e në BE duket se tashmë nuk do të kushtëzohet më nga ana e Serbisë. Eshtë një rrugëtim pa kthim, i kalkuluar mirë dhe që do të shoqërohet me njohje të reja të disa ose të të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s, të cilat ende nuk e kanë njohur atë. Në këtë pikëpamje ne do të jemi dëshmitarë të prishjes së statukuosë dhe Kosova do të marrë drejtimin e duhur përfundimtar. Së pesti, shpesh herë na ka ngacmuar kurioziteti se ç ‘është kjo lidhje e ngushtë e kryeministrit Kurti me Greqinë dhe autoritetet e saj?! Dora Bakojanis, si raportuese me raportin që paraqiti dhe karizma e saj, na dëshmoi se cila është arsyeja e kësaj lidhjeje. Jam i bindur se nuk ka qenë specifikisht kjo ditë e parashikuar në lidhjen Prishtinë-Athinë. Por se kjo lidhje po thyen një nga kalatë e refuzimit të Kosovës, ne jemi tashmë para kësaj prove të pakundërshtueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat