Mos i merr për zemër kritikat, Enver Petrovci

Opinione

Mos i merr për zemër kritikat, Enver Petrovci

Nga: Isa Zymberi Më: 29 mars 2024 Në ora: 12:17
Autori Isa Zymberi

Enver Petrovcin e kam pasur nxënës në fillim të viteve '70, në shkollën e mesme që atëherë quhej "Ivo Lola Ribar", madje kam qenë edhe kujdestar klase i tij. Më kujtohet një rast kur e pyeta pse kishte munguar nga shkolla një ditë, ai u përgjigj, "Më ka vdekur qeni, profesor." I thashë, "Mirë, të arsyetohet mungesa". Disa nxënës të tjerë u ankuan duke thënë, "Profesor, ne të tjerëve nuk po na i arsyeton mungesat edhe kur po kemi arsye më të forta". Ata i qetësova duke u thënë, "Hajt, hajt, se disave prej jush po ju vdesin gjyshet e gjyshërit nga dy-tri herë. Arsyetimi i Enverit ishte shumë origjinal dhe unik".

Pas mbrëmjes së maturës, e cila përfundoi në shtëpinë në ndërtim të babait të tij, Enverin nuk e kam parë me vite. Disa shokë të tij të gjeneratës, shumë vite më vonë, më patën thënë se Enveri kishte studiuar në Sarajevë dhe Beograd duke u përballur edhe me shumë vështirësi, dhe se premtonte të bëhej një aktor i madh. Kështu dhe ndodhi. Ai, edhe pse në një sistem shtypës për shqiptarët, shpërtheu si aktor i jashtëzakonshëm, njësoj si Bekim Fehmiu dhe Faruk Begolli.

Me sa duket, arti ia del të shpërthejë edhe në sistemet më të këqija.

Pas luftës në Kosovë dhe çlirimit të saj (kryesisht nga NATO, por pak edhe nga UÇK-ja, dhe kjo nuk duhet ta prekë asnjë luftëtar të lirisë sepse, brenda rrethanave, është bërë maksimumi), Enveri pa asnjë hezitim e lidhi fatin e tij prej aktori krejtësisht me Kosovën dhe Shqipërinë, dhe në këtë aspekt ka dhënë kontribute të vyera, sidomos me përgatitjen e aktorëve të rinj.

Ditëve të fundit, Enveri u gjend në thumb të shumë kritikave, aty-këtu pati dhe ndonjë mbështetje, për shkak se në një emision kishte shprehur një mendim të vetin për komandantët e luftës. Kjo deklaratë, disave iu djeg, kurse disa të tjerëve u jep rast të shprehen sërish se sa mbështetës të fortë e të patundur të UÇK-së janë.

Këta mbështetësit e zjarrtë janë më të dyshimtit. Shumica dërmuese e pjesëmarrësve në luftë janë shumë të mirë dhe tepër modest - konsiderojnë se vetëm e kanë kryer detyrën e vet ndaj atdheut.

UÇK-ja, pas luftës, u shndërrua në një nocion kompleks që shtrihet nga 13-14 000 pjesëmarrës aktivë, e deri në 60 000 me të ndajshtuarit, dhe është shfrytëzuar në mënyra të ndryshme, sidomos politikisht. Kjo, mbase, rrjedh edhe nga mentaliteti i trashëguar komunist apo stalinist nga i cili dhe nuk mund të lirohemi lehtë.

Enver Petrovci, si kushdo tjetër, mund të kritikohet e të lavdërohet për shumëçka.

Në rastin e pikërishëm, Enverit mund t'ia bëj vetëm një kritikë të vogël për faktin se, kur filluan ta sulmonin, ai sikur u tërhoq duke thëne se fjalën e kishte pasur për Titon. Tito, vërtet, i ka deklaruar popullit me dekada se kishte qenë vetëm një teneqexhi, duke e fshehur faktin se e kishte mbaruar fakultetin për ekonomi në Rusi, por qëllimisht donte të paraqitej se i përkiste proletariatit.

Me këtë formulë qëndroi në pushtet me dekada.

Kjo ishte e vetmja kritikë për Enverin nga kujdestari i klasës, me porosinë që gjithmonë të qëndrojë pranë mendimit të vet dhe të mos ketë kurrë frikë nga e vërteta ashtu siç e percepton vetë ai, edhe kur kjo mund t'ia prishë qetësinë në shumë pikëpamje.

Vazhdo të kontribuosh në fushën tënde, Enver. Ndihem krenar që të kam pasur nxënës ty, por dhe shumë e shumë të tjerë, qoftë nxënës apo studentë, kontributi i shumë prej të cilëve nuk ka munguar asnjëherë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat