Aktualiteti politik i shoqërisë: Populli është i lodhur nga demagogët

Opinione

Aktualiteti politik i shoqërisë: Populli është i lodhur nga demagogët

Nga: Gazetari Ismail Muçiqi Më: 9 prill 2024 Në ora: 14:27
Autori Ismail Muçiqi

Nga mëngjesi e deri në orët e vona të mbrëmjes, qytetarëve të Kosovës u servohen tema dhe debate politike më të ndryshme, të cilat po e demoralizojnë optimizmin e tyre. Mjerë ai popull që politika është vu në fokus të jetës, duke i lënë anash prioritetet që i duhen çdo familjeje për të zhvilluar shtetin. Këtë gjendje të mjerueshme e kanë krijuar disa mjete të informimit, përkatësisht disa televizione private, të cilat janë bërë strehë për një numër të pseudo analistëve pa dije, kulture dhe integritet. Po këta të njëjtit njerëz janë bërë pjesë e politikës redaktuese dhe editoriale të këtyre televizioneve, të cilat janë themeluar duke shkelur e shkuar nëpër dyer të ngushta me ndihmën e klaneve partiake dhe mafies biznesore. Gjuha dhe kultura e komunikimit tregojnë pasqyrën e vërtetë të individëve të cilët llomotisin në vazhdimësi duke e përqarë dhe helmuar opinionin shqiptar.

Nuk duhet të neglizhojmë faktin se disa portale dhe televizione të themeluara pas luftës janë produkte të biznesmenëve të njohur, të cilët u pasuruan në kohën më të vështirë, kur populli shqiptar terrorizohej nga forcat e policisë dhe nga aparatet diktatoriale serbe. Kemi harruar që këto mjete të informimit të na sjellin ndonjë reportazh nga fshati, ndonjë bujk apo blegtore të suksesshëm, ndonjë afarist i cili ka arritur sukses në biznesin e tij duke punësuar të rinjtë e të rejat apo duke ndarë një pjesë të fondit për studentë të dalluar që në të ardhmen do të duhej të bëheshin ekspertë për të ndihmuar vendin dhe shtetin.

Njeriu i Kosovës, përkatësisht "intelektualët", duhet ta dinë se jeta e vërtetë sot zhvillohet në fushat e arës, në shkollë, në fakultet, në ndërmarrje, në fabrikë dhe në shumë segmente tjera, të cilat japin produkt për çdo familje që e pin ujin dhe e thith ajrin e Kosovës. Kjo është vlera e vërtetë e njeriut që ballafaqohet me sfidat e jetës duke punuar ditë e natë në pronën e tij për të siguruar bukën për veten dhe familjen. Prandaj, opinioni i gjerë që mendon me logjikën e shëndoshë duhet t'i gjykojë dhe t'i bojkotojë këto të ashtuquajtura mediume të cilat po promovojnë përqarje dhe urrejtje ndërmjet njerëzve duke krijuar situata para opinionit, deri tek qërimi i hesapave edhe fizikisht.

Kosovës sot nuk i duhen këta opinionistë, këta analistë, këta moderatorë të cilët me veprimet e tyre e zbulojnë fytyrën e vërtetë se çfarë misioni kanë dhe për kë do punojnë. Këta misionarë në vazhdimësi përmes këtyre debateve pseudo-politike tregojnë karakterin dhe (llumin) e vërtetë të edukatës dhe moralit që kanë. Nuk ka dyshim se kjo garniturë e këtyre pseudo analistëve, opinionistëve (që thirrën veten gazetarë) shpesh herë pozicionohen në krahë të Vuçiqit dhe politikës serbe duke kritikuar institucionet legjitime të Shtetit të Kosovës në të cilën ata jetojnë. Kjo është pasqyra e vërtetë e gjendjes në sferën e informimit dhe komunikimit të shoqërisë kosovare, që nuk e ka menduar askush për fat të keq. Kjo katrahurë e (llumit) do të zgjasë deri sa shtresa intelektuale dhe kreative e popullit shqiptar në Kosovë është strukur duke humbur çdo arsye të veprimtarisë dhe aktivizimit qytetar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat