Për Olta Xhaçkën, PS hedh në “kosh plehrash” Kushtetutë e Gjykatë Kushtetuese

Opinione

Për Olta Xhaçkën, PS hedh në “kosh plehrash” Kushtetutë e Gjykatë Kushtetuese

Nga: Xhevat Mustafa Më: 13 prill 2024 Në ora: 11:36
Xhevat Mustafa

Farsa apo maskarada parlamentare e dt.11 prill 2024, për koincidencë ose jo, në ditën e 39 vjetorit të vdekjes së diktatorit dhe monstrës Enver Hoxha, për kundërvënien ndaj kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese lidhur me mbajtjen e mandatit të deputetes nga Olta Xhaçka, ish ministre në dy nga ministritë më të rëndësishme dhe përfaqësuese të qeverisjes dhe shtetit shqiptar, poste të dhuruar për lidhje familjare e personale nga Edi Rama e aspak për vlera e merita të saj, përmban, shpreh dhe përcjell disa mesazhe.

Së pari, se Enver Hoxha është gjallë në trupin, emrin, shpirtin, fytyrën, mendt, sjelljet, qëndrimet, veprimet, praktikat drejtuese, frazeologjinë, deklarimet dhe “hartimet”... e Edi Ramës! Së dyti, se enverizmi ka qenë e vazhdon të jetë në pushtet edhe në këta 10 vjet e 9 muaj të Rama- qeverisjes, “i modernizuar” me veshje firmato të jashtme e të brendshme dhe me kremra, parfume, deodorante...wip-ash e prodhime fare të reja, domethënë, pa iu nënshtruar zbatimit të “përvojës shqiptare” të ndërrimit disa herë të datave të prodhimit e të skadencës!

Së treti, se slogani i dalëboje apo i bajatosur i Edi Ramës, Erion Veliajt, Linda Ballukut, Lindita Nikollës, Taulant Ballës, Elisa Spiropalit, Olta Xhaçkës... se "përgjegjësia është personale" është një alibi e pabesueshme dhe e pazbatueshme as nga këta vetë e tufat me vartës, bashkëpunëtorë, zv.ministra, drejtorë, këshilltare, sekretare..., jo në raste të rralla, me dyshekët dhe brekët mbush me drogra e euro....Me këtë gjase votim e në të vërtetë urdhër- zbatim, grupi parlamentar socialist, që u bë gardh e ledh për të mbrojtur me çdo çmim e duke nëpërkëmbur çdo ideal e parim, si “monument kulture e familjarizmi” nga Gjykata Kushtetuese dhe nga SPAK-u "bijën e partisë", Olta Xhaçka, u ridëshmua se përgjegjësia dhe mbrojtja e korrupsionit është detyrë dhe çështje përtej personale, kolegjiale, ekipore, partiake, qeveritare...! Nga 11 prilli 2024 ky slogan e kjo alibi si dhe "reforma në drejtësi", një sajesë e përçudnuar sorosiano- edramiane, janë hedhur në një nga koshat e plehrave parlamentarë!? Merret me mend fati i tyre: për t'u djegur sa më parë në një nga “inceneratorët në dosje” të Tiranës, domethënë të Erion Veliajt dhe Edi Ramës!

Për paradoks apo “lakuriqësi” ndërgjegjeje e shpirtërore, Olta Xhaçka e shprehu “mirënjohjen” ndaj konsumimit të fortë të grupit parlamentar dhe personalisht të Edi Ramës në intervistën në Top Channel, me Grida Dumen, duke fyer papërgjegjshmërisht banorët e fshatrave të Himarës mbi sarajet e bashkëshortit të saj, me cilësimin e tyre “dikush nga mali” apo “ata nga mali”, domethënë “malokët” e krahinave dhe fshatrave të Jugut!? Për saktësi, nuk e tha troç "malokët", por u nënkuptua nga shumëkush që e dëgjoi ta nxirrte nga goja atë “kumbull të krimbur”. Është shprehur dhe kuptuar prej 80 vitesh, se sipas enveristo-edramistëve, të ish Zonës së Parë Operative, “malokë” ka vetëm në veri, edhe pse në “malet” ku banojnë ose kanë origjinën, janë qindra metra më ulët se "malokët" në Zagori, Vithkuq, Voskopojë, Dardhë, Kurvelesh, Salari, Drashovicë, Gjorm, Vranisht, Opar, Gjerbës, Tomorricë...! Këta të Jugut quhen fshatarë, ndërsa ata të Veriut,"malokë"?! Dhe hajde e mos e quaj këtë jo vetëm krahinarizëm, por edhe racizëm...!?

Me atë që tha me mendjen dhe gojën e saj, Olta Xhaçka na dha vetë të drejtë të mendojmë dhe besojmë se ajo foli jo vetëm si Olta, por edhe si Rama- parti- qeveri- oligarki...?! Gjithashtu, me këtë deklaratë të pafalshme e të dënueshme, Olta Xhaçka shprehu “me sinqeritet” një “harresë” apo mosmirënjohje masive në partinë e saj. Fjala është për “harresën” se ata “nga malet” e Jug perëndimit e të Jugut të Shqipërisë, pa u kujtuar dhe llogaritur sot "meriten historike" në dobi të PS- së, për shkatërrimin e shtetit shqiptar më 1997, u kanë dhënë 3 herë vota e 3 herë “fitore” në zgjedhjet parlamentare apo 3 herë mundësi për t’u oligarkizuar, milionarizuar e për të mbretëruar! Tani, “malokëve të Jugut” u mbetet t’i durojnë Oltën me shokë e shoqe, deri sa edhe më keq, si “skllevër e kavie” t’i trajtojnë e nga Shqipëria krejt t’i dëbojnë!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat