Regjistrimi i popullsisë është obligim ligjor e shtetëror

Opinione

Regjistrimi i popullsisë është obligim ligjor e shtetëror

Nga: Faik Miftari Më: 13 prill 2024 Në ora: 20:24
Faik Miftari

Në Republikën e Kosovës me 5 prill nisi regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave i cili do të zgjat gjer me 17 maj në organizim dhe mbarëvajtje të Agjencionit  të Statistikave të Kosovës në Prishtinë.

          Regjistrimi i popullsisë bazën ligjore e ka në Ligjin Nr. 08/L-114 për Regjistrimin e popullsisë, Ekonomive familjare dhe Banesave të miratuar me datë 21 korrik 2022 dhe i cili ka hyrë në fuqi me datë 11gusht 2022 pas shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

          Regjistrimi i popullsisë në kuptim të nenit 2 par.4 të Ligjit në fuqi theksohet se është me rëndësi të veçantë: “për institucionet shtetërore të Kosovës, për organizatat ekonomike, për institucionet akademike, për shoqërinë civile dhe për të interesuarit e tjerë, me qëllim të planifikimit dhe zbatimit të politikave të përgjithshme zhvillimore, për hulumtime shkencore dhe analiza të tjera, të nevojshme për fusha të ndryshme të shoqërisë”.

          Në kuptim të nenit 4 par.1 të Ligjit në fjalë ceket se:”çdo banor i Republikës së Kosovës detyrohet që gjatë regjistrimit, zyrtarit për regjistrim duhet t’i ofrojë të gjitha të dhënat e sakta për vete dhe të afërmit e tij/saj”. Andaj duhet të gjithë banorët e Kosovës të përgjigjen këtij regjistrimi të popullsisë, pasi që është një obligim ligjor e shtetëror  ndaj Republikës sonë të  Kosovës.

          Edhe pse në kuptim të nenit 4 par.1 të Ligjit në fjalë theksohet se: “çdo banor është i lirë të mos e deklarojë përkatësinë e saj/tij etnike dhe religjioze”, është me rëndësi primare që çdo banor i Republikës së Kosovës të deklarojë përkatësinë  e tij etnike, fetare dhe gjuhën amtare që flet. Në kuptim të kësaj të gjithë shqiptarët duhet të deklarojnë përkatësin kombëtare shqiptare, përkatësinë fetare islame apo katolike dhe gjuhën që e flasin, gjuhën shqipe, serbët përkatësinë kombëtare serbe, përkatësinë fetare ortodokse dhe gjuhën që e flasin, gjuhën serbe, boshnjakët përkatësinë kombëtare boshnjake, përkatësinë fetare islame, gjuhën që e flasin, gjuhën boshnjake, turqit, përkatësinë kombëtare turke, përkatësinë fetare islame, gjuhën që e flasin, gjuhën turke, romët, përkatësinë kombëtare rome, përkatësinë fetare islame, gjuhën që e flasin, gjuhën rome, etj.

          Në kuptim të nenit 7 të Ligjit në fuqi, theksohet se: ”objekt i regjistrimit janë: popullsia, ekonomitë familjare dhe banesat /shtëpitë”. Me regjistrim të popullsisë nënkuptojmë të dhënat për  banorët rezidentë dhe jorezidentë të Kosovës. Me ekonomitë familjare nënkuptojmë të dhënat për numrin e anëtarëve brenda një bashkësi familjare që jetojnë së bashku nën një kulm të përbashkët, çoftë shtëpi apo banesë. Me banesat/shtëpitë nënkuptohen banesat apo shtëpitë.

          Në kuptim të nenit 9 të Ligjit në fuqi theksohet mbrojtja e të dhënave dhe konfidencialitetit, ashtu që institucionet dhe personat përgjegjës janë të obliguar që gjatë gjithë procesit të regjistrimit dhe pas saj të ruajnë fshehtësinë e plotë të dhënave të personave të regjistruar, ekonomive familjare dhe banesave/shtëpive.

          Në kuptim të nenit 11 të Ligjit në fuqi ceken pyetësorët dhe dokumentacioni për regjistrim,  gjithsejtë janë 8  pyetësor dhe atë:  pyetësori individual (formulari R3), pyetësori i ekonomisë familjare(formulari R2), pyetësori për banesë/ shtëpi (formulari R1), pyetësori për anëtarët e ekonomisë familjare të cilët jetojnë jashtë Kosovës(formulari S1) , pyetësor për ekonomi familjare institucionale-kolektive (formulari C2), pyetësori për kuartet e banimit kolektiv(formulari C1), lista e ndërtesave(formulari LN), pyetësori i dëmeve nga lufta në ekonomitë familjare (1998/1999).

          Të gjithë pyetësorët e regjistrimit gjenden në ueb faqen e Agjencionit të Statistikave të Kosovës, www.ask.rks-gov.net/Rekos, ashtu që çdo qytetar i Kosovës ka qasje të informohet paraprakisht dhe të njoftohet për të gjitha pyetjet që do të shtrohen nga regjistruesit e popullsisë. Gjatë plotësimit të pyetësorëve, qytetari (banori)  ka të drejtë të kërkojë nga regjistruesi që të shikojë se përgjigjet e dhëna a janë shënuar në mënyrë të saktë, poashtu ka të drejtë të kërkojë numrin e ID-së dhe autorizimin e regjistruesit.

          Formulari R1 përmban pyetësorin për banesë/shtëpi, në të cilën regjistrohen banesat apo shtëpitë, si dhe pyetje tjera plotësuese lidhur me infrastrukturën, materialin ndërtimor, numrin e dhomave, furnizimin me ujë, energji elektrike, ngrohje e parametra të tjera. Formulari R2 përmban pyetësorin për ekonominë (bashkësinë) familjare, numrin e anëtarëve që jetojnë në një familje të përbashkët, kryefamiljarin, statusin familjar, pronësia, profesionet, sipërfaqja e tokës punuese, shfrytëzimi apo mosshfrytëzimi i saj, etj. Formulari R3 përmban pyetësorin individual, në të cilën regjistrohet çdo person apo banor individualisht, data, vendi i lindjes, vendbanimi,  statusi martesor, numri i fëmijëve, përkatësia etnike, fetare, gjuha amtare, nënshtetësia, përgatitja shkollore, profesioni që e ushtron, vendi i punës, etj. Formulari S1 përmban pyetësorin për anëtarët e ekonomisë familjare të cilët jetojnë jashtë Kosovës, në të cilin regjistrohen të gjithë personat jorezident që gjenden jashtë Kosovës . Formulari C2 përmban  ekonomitë familjare institucionale –kolektive në të cilin regjistrohen personat që gjenden në institucione kolektive sikur që  janë: konviktet e studentëve, spitalet, shtëpitë për kujdesje,  institutet me persona me aftësi të kufizuara, shtëpitë e pleqve, jetimoret, kazermat ushtarake, burgjet dhe shtëpitë korrektuese, manastiret, kampe refugjatësh, etj. Formulari C1përmban pyetësorin për kuartet e banimit kolektiv, në të cilin përfshihen objektet të projektuara për banim të grupeve më të mëdha të individëve . Kuartet e banimit kolektiv përfshijnë  hotele, motele, kampe për azilantë, etj. Formulari LN përmban listën e ndërtesave  të cilin duhet plotësuar të dhënat për objektet që nuk janë për banim, gjysmë të rrënuara apo të rrënuara në të cilin nuk jetojnë njerëzit, pastaj ndërtesat tjera, dyqane, zyre, kafet, restorante, xhami, kisha, shkolla, punëtori, fabrika, etj. Formulari  R4 është  formulari i fundit por shumë i rëndësishëm pasi përmban pyetësorin për dëmet e shkaktuara gjatë luftës së vitit 1998/1999, e cila periudhë përkufizohet prej datës 28 shkurt 1998 e gjer më datën 11 qershor 1999, në të cilën plotësohen dëmet ekonomike të shkaktuara brenda ekonomive familjare, dëme të shkaktuara në njerëz, të vrarë, të zhdukur, të plagosur, të burgosur, etj.

          Për të gjithë banorët(qytetarët) e lindur në Kosovë, ose që kanë prejardhje nga Kosova, por që punojnë, jetojnë dhe gjenden jashtë Republikës së Kosovës më shumë se 12 muaj mund të regjistrohen përmes aplikacionit online gjatë kohës së regjistrimit prej datës 5 prill e gjer më 17 maj duke u kyçur në ueb portalin, www.ediaspora.rks-gov.net, Është e udhës që banorët jorezident të Kosovës poashtu të përgjigjen masovikisht pasi që është me interes të jashtëzakonshëm  të dihet se sa është numri i qytetarëve të shpërngulur nga Kosova kudo nëpër botë.

          Të gjithë pyetësorët janë të shkruara në gjuhët zyrtare në nivel shtetëror dhe lokal,  në gjuhën shqipe, serbe, angleze, boshnjake, turke. Është me rëndësi që paraprakisht kryefamiljarët të shënojnë numrat personale të  gjithë anëtarëve të bashkësisë familjare, të cilët mund të merren nga letërnjoftimet apo pasaportat, ndërsa për fëmijët nën moshën 16 vjeçare merren nga ekstrakt e lindjes.

          Në fund të këtij vështrimi lidhur me regjistrimin e popullsisë i ftoj të gjithë banorët rezidentë e jo rezident të Republikës së Kosovë t’i përgjigjen këtij regjistrimi të popullsisë në mënyrë masovike, të gjitha komunitetet në Kosovë, edhe pse tani është paralajmëruar se pjesëtarët e komunitetit serb do të bojkotojnë regjistrimin e popullsisë. Me këtë regjistrim, duke marrë parasysh migrimin enorm të popullsisë së Kosovës  pas luftës së vitit 1998/1999 për shkaqe ekonomike, përkundër migrimit të popullsisë së mëhershëm gjatë viteve 1990-1999 për shkak të politikës pushtuese dhe represive të pushtetit shtetëror okupues të Serbisë,  natalitetin gjithnjë e më të ultë, do të shohim se a do të kemi të popullsisë rezidente të Kosovës , apo zvogëlim të saj në raport me Regjistrimin në vitin 2011 me ç’rast Republika e Kosovës ka pasur gjithsejtë 1.739.825 banorët rezident në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat