A. Vuçiq, është një kriminel lufte, dialogun me të cilin, Kosova duhet ta ndërpres menjëherë..!

Opinione

A. Vuçiq, është një kriminel lufte, dialogun me të cilin, Kosova duhet ta ndërpres menjëherë..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 14 prill 2024 Në ora: 21:28
Autori Rexhep Elezaj

Shqiptarë, kudo që jeni, në Kosovë, Iliridë, Shqipëri dhe anë e kënd botës, MBANI NË MEND; presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është një kriminel lufte, është një çetnik më i zi se Drazha Mihajlloviç, është një racist, fashist dhe antishqiptar i përbetuar, një barabë politik, si dhe kupola e krimit të organizuar politik në Serbi.

Është kriminel lufte, sepse ka marrë pjesë në bombardimin e Sarajevës, në luftën në Vukovar kundër kroatëve, ka vrarë kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë, diku me dorën e vetë, e diku me propagandën e tij të luftës kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, pra ky është ai që ka deklaruar nga posti i ministrit të Millosheviçit për informata, se; “Për një serb duhet vrarë 100 boshnjakë”, se “UÇK-ja është organizatë terroriste, se shqiptarët duhet vrarë dhe dëbuar nga Kosova”. Pra, kemi të bëjmë me një kriminel lufte, i cili i ka shërbyer me tërë qenien e tij regjimit të kriminelit S. Millosheviç, duke e nxitur që të vras sa më shumë boshnjakë muslimanë në Bosnje.

Njëjtë i ka shërbyer edhe kriminelit të luftës, V. Sheshelit, për me vra sa më shumë kroatë dhe boshnjakë, duke iu ofruar informata kriminelëve, R. Mlladiçit dhe R. Karaxhiçit, për ekzekutimin e mbi 8372 boshnjakëve dhe masakrën më monstruoze pas LDB-re, e kryer nga ushtria serbe (VRS) ndaj boshnjakëve muslimanë në Srebrenicë, masakër e cila është shpallur akt gjenocidial nga Gjykata e Hagës për Drejtësi, dhe kështu me radhë, krim pas krimi, duke u fshehur pas posteve shtetërore që i ka bartur gjatë viteve 1991 – 1999.

Ata të cilët e njohin mirë gjuhën serbe, e që aktualisht në Kosovë ka pak shqiptarë që e kuptojnë një qind përqind (100%), vetëm në fjalimin e tij të sotëm të mbajtur në një kazermë ushtarake në Beograd, ku promovoi flamurin special ushtarak për Njësinë Policore ushtarake, me emrin “KOBRA”, meqë rast, pranë kërcënimeve dhe fyerjeve që ua bëri shteteve më të fuqishme të botës, Amerikës, Francës, Gjermanisë, etj., foli edhe për “Kosovë e Metohinë”, si gjithnjë me fjalorin e tij prej racisti dhe shovinisti në katrorë.

Po ashtu, faktorët ndërkombëtarë i quajti rrenacak ordinerë, sepse kur paska biseduar me ta për Kosovën, ata gjoja i paskan premtuar diçka tjetër, ndërsa në praktikë paskan vepruar krejtësisht ndryshe, siç tha, në interes të A. Kurtit, ndaj të cilëve do të hakmerret në rastin e parë që do t’i vije në muajt e ardhshëm.

Kërkoi që Këshilli Parlamentar i Evropës ta rishqyrtojë edhe njëherë vendimin për pranimin, e të ashtuquajturës Kosovë, në KiE, duke potencuar, se kur ata na flasin për sundimin e drejtësisë në Kosovë, përveç se atje nuk ka drejtësi, aty ka “terror shqiptar”, i cili po ushtrohet ndaj serbëve, ndërsa “Zajednica” as pas 11 viteve nuk është formuar, dhe se për këtë e paska njoftuar presidentin francez, M. Macron, etj.

Duke folur për arrestimin e një serbi në Bërnjak nga policia e Kosovës, Sreçko Anastasijeviq, Vuçiq, të njëjtin e quajti serb të guximshëm dhe hero, ndërsa policinë e Kosovës e quajti terroriste, e cila të njëjtin e paska burgosur në vitin 2001, ngase siç pohoi, ata nuk janë policë, duke thënë qëllimisht, se ata janë terrorist, të cilët gjoja nuk kanë pasur të drejtë të hyjnë në veri sipas marrëveshjes së Brukselit.

Madje, lidhur me këtë rast paralajmëroi, se gjykata përkatëse e Serbisë dhe Ministria për punë të brendshme, javën e ardhshme do të veprojnë sipas ligjit, dhe se cilido që e shkelë kushtetutën e Serbisë aty ku ne e kemi qeverisjen efektive, do të burgoset, duke aluduar qartë për hakmarrje ndaj shqiptarëve..!?

Pra, a mund të na thotë dikush, se cili është dallimi i këtij fjalori të A. Vuçiqit, sot pas 37 viteve, me atë të kriminelit S. Millosheviç në Fushë Kosovë në vitin 1987, kur një grupi serbësh iu drejtua, se “Askush nuk guxon t’iu prekë me dorë”, pra cili është dallimi mes këtij bastardi dhe mësuesit të tij, kriminelit të luftës, V. Sheshelit, i cili shqiptarët i konsideron popull in-ekzistent në Kosovë, gjithnjë sipas tij, “gjysma e të cilëve na qenkan serbë të islamizuar”, madje të cilët duhet zhdukur nga faqja e dheut..!?

Por, se çfarë nënkupton gjuha e tij kërcënuese ndaj Kosovës, si dhe shpallja “luftë” fuqive të mëdha botërore për shkak të Rezolutës së AP të OKB-së për gjenocidin serb në Srebrenicë, e cila pritet të aprovohet me 5 maj, mbetet të shihet në ditët dhe muajt në vazhdim.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat