Një apel për të ndaluar dhunën në familje dhe për të parandaluar vrasjet e grave nga dora mashkullore

Opinione

Një apel për të ndaluar dhunën në familje dhe për të parandaluar vrasjet e grave nga dora mashkullore

Nga: Zymer Mehani Më: 16 prill 2024 Në ora: 13:16
Zymer Mehani

Zemra të dashura,

Sot, në një botë ku shumë gra vuajnë nga dhuna në familje, bëj një thirrje për të ndryshuar këtë realitet të trishtë. Dhuna në familje nuk është thjesht një çështje private; ajo është një shkelje e të drejtave themelore njerëzore dhe duhet të luftohet me të gjitha mjetet.

Nuk ka asnjë arsye apo justifikim për të abuzuar, fizikisht ose emocionalisht, ndaj një personi prej tjetrit, veçanërisht ndaj atyre që duam. Gratë, çdo ditë, bien pre e dhunës së fshehur në familje. Kjo dhunë shpesh kulmon në tragjedi, me vrasjen e tyre nga dora mashkullore (bashkëshortët, ish-bashkëshortët apo "të dashurit" e tyre.

Në vend që të bëhemi dëshmitarë të kësaj dukurie të tmerrshme, na duhet të bashkohemi për të ndërtuar një shoqëri ku respektohen të drejtat dhe integriteti i çdo personi. Kjo kërkon përpjekje të përbashkëta nga të gjithë ne: institucionet, shoqëria civile, komunitetet fetare, si dhe secili prej nesh si individë.

Ju bëj thirrje të gjithëve, nëse e dëgjoni ose shihni ndonjë gjë të dyshimtë, të mos hezitoni të reagoni, ngase edhe ju vetë mund të keni vajza, motra, bashkëshorte e nëna. Dëgjoni, mbështesni dhe ndihmoni ato që vuajnë nga dhuna në familje. Mos e mbani veten në heshtje për frikën e turpit ose për frikën e rikthimit të dhunës.

Duhet të krijojmë një kulturë ku dhuna në familje është e papranueshme, ku viktimat janë të mbështetura dhe ku autorët përballen me përgjegjësi për veprimet e tyre. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndryshojmë kursin dhe të shpëtojmë jetë.

Le të punojmë së bashku për një botë ku gratë jetojnë pa frikë dhe me dinjitet, ku dashuria dhe respekti janë parimet themelore. Le të jemi dëshmitarë të këtij ndryshimi dhe të angazhohemi për ta bërë atë realitet.

Nuk duhet të vriten gratë - kjo është thirrja ime për të gjithë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat