Në vend të festës sot Kosova mbanë ditë zie

Opinione

Në vend të festës sot Kosova mbanë ditë zie

Nga: Dedë Preqi Më: 17 prill 2024 Në ora: 15:18
Dedë Preqi

Sot Kosova, do duhej të festonte për arritjen e saj në rrafshin e integrimeve, dhe në secilën prej tyre të shpalosen dhe realizohen shanset e saj, sikur që ishte edhe dje me 16 prill 2024, në Asamblenë e Këshillit të Evropës, ku nga shumica e përfaqësuesve të kësaj Asambleje votojnë pozitivisht për shtetin e Kosovës.

Mirëpo, qenka vështirë ta përkufizosh një gëzim ku do ndjehemi të qetë dhe të festojmë një datë të tillë historike, që do të ishte shumë e rëndësishme për shoqërinë dhe shtetin tonë, nga ana tjetër askush nuk është i përgatitur që brenda një gëzimi të pritur shpërthen një shqetësim i pa pritur, i cili po krijon habi dhe konfuzion, mos të themi edhe një problematikë të thellë në shoqërinë tonë shqiptare.

Jo vetëm diçka, por shumë çka nuk është në rregull në shoqërinë tonë shqiptare, dhe sikur po e cyt një shtysë shkatërruese këtë shoqëri njerëzore për ta dëmtuar vetveten. Çfarë kuptimi ka për njeriun e kësaj SHOQËRIE, që të fitojë botën mbarë, nëse i mungon vlera ekzistuese njerëzore, siç është në rend të parë edhe «familja».

Dhe jo vetëm duke u ndalur te rasti i fundit dhe qoftë i fundit i Gjyljetës, që u privua nga jeta nga bashkëshorti i saj, duke dhënë shembullin më të keq të një bashkëshortësie, që e tronditën gjithë popullin e trojeve shqiptare dhe më gjerë, nga një forme e shëmtuar tipike dhe primitive, që po merr hapësirë dhe po thellohet aq shumë kohën e fundit në shoqërinë tonë shqiptare.

Në veçanti në kohën e pas luftës, gjithnjë e më kërcënuese bëhet jeta e gjinisë femërore dhe bashkë më të edhe zvetënimi i vetë natyrës shoqërore, dhe ky rrezik rritet deri në atë masë sa zbehen marrëdhëniet ndërgjinore në këtë vend, duke mos i besuar njëri-tjetrit, apo bashkëjetuesit të vet, me të cilin e ndajnë jetën, që pjesa e «fajit» i bie mashkullit, sepse në të shumtën e rasteve mashkulli është më dhunues dhe dominues ndaj gjinisë femër.

Ndoshta, veprimet e dhunshme mbetën « jashtë » ndëshkimeve nga ligji i shtetit, për ata që veprojnë, dhe në të vërtetë veprimet depërtojnë dhe përsëriten brenda përbrenda, dhe ky rrezik vjen e rritet në atë masë sa zbehen lidhjet dhe normat morale, duke u zgjeruar rrënoja shpirtërore e një shoqërie të tërë, nga e cila pritet ardhmëria e një njerëzimi.

Gjinia femërore në vendin tonë po përjeton një krizë të thellë dhe një gjendje, që mos u përsëritë apo të krahasohet nga e kaluara e saj e hidhur gjatë luftës së fundit nga fashizmi serb, dhe sot kjo gjini nuk po trajtohet me dinjitet, e cila edhe këto ditë, duke u maltertuar e dhunuar e më në fund edhe po vriten nga partnerët dhe bashkëshortët e vet.

Ndoshta askush nuk e ka marrë me mend se në Kosovë, në mesin e kësaj shoqërie lindin njerëz sadist dhe akterë të tillë të dhunës ndaj gjinisë femër, edhe pse ekzistojnë ligjet ndëshkuese dhe me këtë qëllim nuk kemi të bëjmë që të kritikojmë ligjet tona ndëshkuese, por duhet të kritikohet kultura e jonë ndërvepruese dhe kritika duhet ti drejtohet prokurorisë shtetërore, e cila kundërmon korrupsion prej kohësh, duke mos marrë masa ndëshkuese ndaj të pandehurve, sepse shumica prej këtyre aktereve ka rënë, kanë kaluar dhe janë liruar nëpër duart e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat