Kohë e çmendur dhe këshilluesi i liderëve botëror

Opinione

Kohë e çmendur dhe këshilluesi i liderëve botëror

Nga: Ilir Levonja Më: 19 prill 2024 Në ora: 16:43
Ilir Levonja

A është çmendur, Ilir Meta, Edi Rama, apo shqiptarët vet? Ky është indeksi që duhet zbuluar, pasi loja është koklavitur aq keq, sa barra në thelb bie mbi shqiptarët. Në kohën e akrobacive të Ilir Metes, ish kryeministër të cilin nuk e bën shqiptarët, ish president, të cilin nuk e votuan shqiptarët etj., Edi Rama deklaronte në Paris, i ulur me një çarter me flamurin turk se, liderët botërorë konsultoheshin me 'të për çështje të universit.

Tani ta mendosh se kësaj kohe tmerrësisht delikate ku aludohet për një luftë të tretë botërore, Shqipëria një vend totalisht pa ushtri, ku investimet strategjike i konsideron resortet bregdetare për sojin e partisë në pushtet, dhe ka për kryeministër një soj kungulli të tillë, është dhimbje nervore. Pra liderët e botës konsultohen me Edi Ramën se si të arrihet paqja në Lindjen e mesme, se si të shuajnë konliktin në Ukrainë, madje si mund të shuajnë luftën civile edhe në vendet e Amerikës së Jugut, ku lëvizjet e armatosura të gangove po shkatërrojnë Ekuadorin, Hondurasin, Haitin. Dhe akoma më tutje, Afrikën e egër të cilën shqiptarët e show bizit e kanë kthyer në hobi të prirjes së tyre turistike.

Një vend me GDP skandaloze dhe me demokraci bizarre, ku të gjithë buxhetin e ka totalisht të akumuluar rreth këtyre emrave, është sot edhe nën trysninë e ambasadave, ku pavarsisht varjes publike të demokracisë, u thonë kësaj treshe të çmendur, go on, vazhdoni ju, nuk i pranojmë protestat e dhunshme. Megjithëse nuk e kishin këtë standart kur policia e Edi Ramës, hidhte gaz lotsjellës mbi demokratët në kohën e pandemisë.

Megjithatë kanë të drejtë pasi shqiptarëve u duket normale vet, fakti që Edi Rama ulet me çarter me flamur turk, u duket normale deklaratat e Ramës kur thotë se është në Paris që të konsultoj liderët botëror. Kënaqen e argalisen kur Ilir Meta thotë se do bëhem rishtas president, por pas 20 vjetësh. Ta mendosh që në 2044 të kesh rishtas kryeministër Edi Ramën dhe president Ilir Metën, kurrë mos u bëftë Shqipëria. Pasi vetëm demokraci nuk mund ta quajmë. Demokracia është diçka tjetër. Po me sa duket, shqiptarët nuk jetojnë dot pa këta emra, përfshi këtu edhe energjitë e humbura tek dera e një bashkie, pavarsisht se ideatori është i çmenduri që këshillon liderët botërorë. Shto nga ana tjetër faktin e edukatës sonë demode, se, i shërbej iks lideri për shkak se ai më ka bërë një nder dikur, pavarsisht se ai po shkel me të dya këmbët të gjitha normat elementare të demokracisë etj., kemi plotësisht një stanjacion ku vetëm Shqipëri nuk ka më. Kjo në aspektin e demokracisë.

Por kemi thjesht një alla republika e të çmendurve që kurrë nuk kanë masë kohe, cikli, rrotacioni..., por me mbështetjen e fortë të të çmendurve të tretë demosit, a popullit, i cili ka pranuar dhe ka ringjallur një luftë të ashpër klasash pikë për pikë si ajo Enver Hoxhës. Pra kush është i çmendur nga këta individë? Apo jemi ne të gjithë, të cilët qofshim kushdo, me pikëpamje të majta a të djathta, veç intelektualë nuk jemi. Qofshim me diploma a me tituj, vetëm me atdheun nuk jemi. Jemi ca heshtakë sehirxhinj që nuk kemi as më sikur thërrmija të ndërgjegjes për të thënë mjaft, hap krahun, ik. Jemi kthyer në bagëti sa të gjithë kemi nga një litar në qafë, shkruaj e thuaj kështu, shprndaje, bëj like sa të mundësh, paguaji tjetri faturat e prapmbetura të energjisë që të japi votën. Kur do të shpëtoj atëhere Shqipëria? Kur demosi, populli të ngrihet, pa dallim besimi, bindjesh, idesh, prishni trarë e dogana mes botës shqiptare, se ndryshe, kurrë nuk kemi për t'u bërë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat