Kodi etik diplomatik e moral i munguar në Shqipëri!

Opinione

Kodi etik diplomatik e moral i munguar në Shqipëri!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 20 prill 2024 Në ora: 09:59
Foto ilustrim

Në diplomaci, si në çdo profesion, ka një kod sjelljeje. Ky kod në teorinë e filozofisë lidhet me moralin në paraqitjen diplomatike, në vendimmarrje, si dhe në deklarime.

Përveç kodit etik, i cili është i normuar me ligje, konventa dhe rezoluta të caktuara, siç është p.sh Konventa Diplomatike e Vjenës, diplomatët kanë dhe ligje dhe rregulla të pashkruara. Konfidencialiteti është një nga rregullat deontologjike të diplomacisë. Ndërsa raporti me diplomatët e vendeve të tjera dhe kolegët vendas diktohet nga rregullat e shkruara normative dhe përbëjnë korpusin e sjelljes diplomatike.

Bota njeh diplomatë që profesionin e tyre nuk e ndërrojnë me asgjë. Pra që nuk shesin parimet e tyre të etikës diplomatike me dollarë, euro, flori apo favore seksuale. Nuk korruptohen, për shkak të principeve etike dhe integritetit profesional që ata kanë. Bota ka me shumicë diplomatë dinjitozë, të cilët nuk fyejnë dhe nuk cënojnë dinjitetin dhe integritetin e të tjerëve, jo më të shteteve e popujve, apo grupeve të popullsisë në vendet ku ata shërbejnë.

Ndërsa të premten përfaqësuesit e katër ambasadave në Tiranë, asaj amerikane, të BE-së, OSBE-së dhe Britanisë së Madhe dolën dhe dënuan demonstruesit paqësorë kundër hajdutit e grabitqarit të pasurive publike, pra kundër Erion Velisë, pse këta demonstrues hodhën molotov te dera e bashkisë së Erionit hajdut.

Ishte një fyerje e rëndë në disa aspekte: - Thanë se “në demokraci nuk kryhen akte dhune”! Pra diplomatët e këtyre ambasadave fyen rëndë inteligjecën e shqiptarëve dhe sidomos të elitës intelektuale. Ata që kuptojnë nga qeverisja, ata që kanë studiuar sistemet, modelet dhe format e qeverisjes, nuk mund ta pranojnë se Shqipëria sot është nkjë demokraci, siç na mashtrojnë diplomatët e huaj.

Përkundrazi Shqipëria është vetëm një njollë e zezë në hartën e Europës. Njollë e mbushur me krim të organizuar, bashkëpunim të shtetit, institucioneve të tij dhe administratës publike me mafien, njollë e një korrupsioni sistematik dhe endemik. Eshtë një shtet autoritar, sepse të gjitha pushtetet janë në një dorë, të kryeministrit. Shqipëria është një vend që qeveriset nga mafia, e cila shpopullon çdo ditë këtë vend.

Këtë o që përmenda i thonë vetë raportet dhe përgjimet telefonike që vijnë pikërisht nga vendet që këta ambasadorë përfaqësojnë. Ç’është kjo diferencë kaq e madhe midis qëndrimeve diplomatike të këtyre ambasadave në mbrojtje të shtetarëve të korruptuar e bashkëpunëtorë të mafies e krimit të organizuar nga njëra anë dhe raporteve që publikojnë vendet e tyre? - Se ambasadat e huaja euro-atlantike na gënjejnë kur thonë se “Shqipëria është demokraci”, këtë e kuptojnë të gjithë, edhe injorantët.

Nëse Shqipëria do të ishte demokraci, ajo do të ishte tashmë anëtare e Bashkimit Europian, sepse ajo është i vetmi vend në rajon që nuk ka patur e nuk ka asnjë problem me fqinjët, pasiqë kufizohet me vetëveten. Prandaj dhe kjo hipokrizi duhet të na bëjë më të vetëdijshëm se morali dhe etika diplomatike e diplomatëve të huaj në Shqipëri është zero. Eshtë zero, sepse ata marrin në mbrojtje grabitjen e pasurive tona kombëtare nga dyshja Rama-Veliaj.

Eshtë zero, sepse ata denojnë ata që grabiten, taksapaguesit shqiptarë, dhe mbrojnë grabitqarët e pashpirt të këtij vendi. Eshtë zero, sepse e trajtojnë Shqipërinë si një koloni dhe jo si një vend, qytetarët e të cilit duhet ta kenë të drejtën të jenë të lirë.

- Deklarata e së premtes kundër një zjarri që nuk dogji asgjë dhe mbrojtja e Erion Velisë në emër të demokracisë dhe sjelljes demokratike ishte hipokrizi e gjallë. Ndryshe do të duhet të besojmë se Franca. Britania e Madhe, Italia, Greqia e vende të tjera ku protestuesit djegin godina e makina, nuk qenkan vende demokratike. Kush e beson këtë? As vetë ata nuk e besojnë. Vetëm se tallen me ne.

Duan të na bëjnë magji e të besojmë se Europa që digjet në protesta nuk qenka demokraci e zhvilluar, ndërsa Shqipëria na qenka një zonjë demokracie, që nuk duhet të preket. - Na fyejnë, sepse mbrojnë një pushtet mafioz, të drejtuar nga dy kryetarë të mafies në pushtet, kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Na fyejnë, sepse na quajnë, njësoj si Olta Xhaçka, “njerëz mali”! Kur në të vërtetë protesta është e njerëzve të qytetëruar dhe me dinjitet të spikatur. Na fyejnë, sepse kërkojnë që shqiptarët e dhunuar, të shpronësuar me dhunë, të grabitur e të keqtrajtuar i trajtojnë si dele.

Vetëm deleve u kërkohet të dalin ne kullotë si turmë dhe me një shkop nga mbrapa të vihen përpara. Na fyejnë, sepse me ato deklarata nxisin mafien në pushtet të përdorë dhunë kundër protestuesve paqësorë. Në vend të dënojnë përdorimin e njerëzve civilë për arrestime dhe dhunë kundër protestuesve, ambasadat dënojnë viktimën e tyre.

Kjo fyerje e rëndë në dinjitet dhe integritet i diplomatëve të ambasadabve kryesore në Tiranë ndaj shqiptarëve të revoltuar e të dhunuar, duke mbrojtur krimin e organizuar, është shkelje e rëndë e etikës diplomatike dhe vlerave morale të Perendimit, nga ata vijnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat