Tragjike edhe vet populli serb është nën presionin e Vuçiqit

Opinione

Tragjike edhe vet populli serb është nën presionin e Vuçiqit

Nga: Dedë Preqi Më: 22 prill 2024 Në ora: 16:32
Autori Dedë Preqi

Mbas vetëshkarkimit të qytetarëve serb nga Institucionet e katër komunave veriore të Kosovës, në nëntor të vitit 2022, këto vende të boshatisura në komuna, si dhe kryetarët e tyre, sipas ligjit dhe Kushtetutës, do duhej të plotësohen, duke shpallur zgjedhje të reja.

Mbas zgjedhjeve të reja, të cilat i shpalli presidentja e vendit në katër komuna me shumicë serbe në Mitrovicën veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe në Leposaviq, për shkak të numrit të vogël të pjesëmarrjes së qytetarëve serb, zgjedhjet i fituan katër kryetar shqiptar, të cilët u kundërshtuan fuqishëm me protesta agresive, sidomos hyrja e tyre në Institucione ishte e vështirë dhe e jashtëzakonshme.

Me 29 maj 2023, nga protestat e dhunshme të organizuara nga Lista serbe dhe të tjerë, në katër komunat veriore, për të kundërshtuar katër kryetarët shqiptar, kishte protestues kriminel dhe të dhunshëm që kishin ardhur edhe nga viset tjera të Serbisë, të cilët shkaktuan kaos dhe dhunë të pa parë, duke i plagosur rëndë afro 25 ushtar të KFOR-t, dhe pjesëtar të policisë së Kosovës e shumë gazetar të vendit.

Mbas reagimeve të shumta ndërkombëtare, duke kërkuar dorëheqjen e katër kandidatëve të zgjedhur, mbase faktori ndërkombëtar kërkoi largimin e kryetareve shqiptar, edhe pse i kishin fituar zgjedhjet në përputhje me ligjin, por për shkak të daljes së ulët të qytetarëve serb në zgjedhje ata u kundërshtuan si të pa përshtatshëm.

Ndër të tjera, qeveria dhe shteti i Kosovës, e nxjerr një udhëzim administrativ, që për largimin, ose vazhdimin e këtyre kryetarëve nga vendi i tyre i punës, do duhej të iniciohet një formë e peticionit nga qytetarët e këtyre katër komunave, sepse me largimin e menjëhershëm të tyre mund të biem ndesh me ligjin.

Nëse peticioni ka sukses me mbi 50% plus 1, me po, ose jo për largimin apo vazhdimin e tyre, dhe pastaj të shpallen zgjedhje të reja nga presidentja e vendit, të cilën iniciativë e morën edhe vet qytetarët serb në veri të vendit, që u printe edhe Lista serbe.

Dhe çfarë ndodhi, në ditën e organizimit të votimit për të vendosur për një referendum të tillë me 21 prill të këtij muaj në katër komunat me shumicë serbe, procesi i kësaj iniciative qytetare u vlerësua si i dështuar, për shkak të numrit të vogël të daljes së qytetarëve në votim, që ndryshe e merr kuptimin e bojkotimit, apo duke e bojkotuar vetveten.

Qytetarët serb të veriut, përmes kësaj iniciative do e kishin mundësinë të shprehin vullnetin e tyre për të vazhduar apo për të ndërprerë punën e kryetarëve shqiptar në këto komuna, të cilët vet i kanë kundërshtuar, dhe tani të ndikuar nga Lista serbe, me urdhrat e Vuçiqit, me vetëdije i janë imponuar një mashtrimi dhe loje të tillë.

Lidhur me procesin e kësaj iniciative të dështuar ka pasur reagime nga vendet e ndryshme të Kuint-it, në Kosovë, ndër të tjera edhe nga SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe dhe shumë vende tjera, duke shpreh keqardhje për qytetarët serb të këtij vendi, me ç’rast reagime ka pasur edhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, duke e quajtur këtë dështim si një fatkeqësi të shkakëtuar nga vet Vuçiqi, për qytetarët serb të Kosovës.

Reagimet nuk kanë munguar as nga Serbia dhe Lista serbe, të cilat reagime do të ishin edhe qesharake, sidomos kur thuhet se, u tregua një shkallë e lartë e unitetit serb në Kosovë, me bojkotimin e këtij procesi të iniciuar nga Albin Kurti, dhe nuk është Lista serbe dhe Serbia, që po i frikëson qytetarët serb, por është Albin Kurti, me njësitë e tij ilegale policore në Kosovë.

Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kërkesat e BE-së, prandaj Kosova i bënë thirrje urgjente BE-së, dhe bllokut Evropian, të heq sa më parë masat ndëshkuese për Kosovën, që i vendosi në mënyrë të pa drejtë, që nga maji i vitit të kaluar 2023.

Kështu, edhe faktori i jashtëm ndërkombëtar e ka në mënyrë të qartë apo jo, që do ta vërtetonte raportin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, kur bëhet fjalë për çështjen e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku qeveria e këtij vendi bënë përpjekje të vazhdueshme për integrimin e qytetarëve pa dallim përkatësie në Institucionet e saj.

Ndërsa Serbia dhe kryetari i saj Vuçiq, u bënë presion qytetarëve serb përmes Listës serbe, që këto Institucione të këtij vendi t’i bojkotojnë, që do të thotë se, përpjekjet e shtetit të Kosovës dhe qeveria e saj mundohet të afrojë një perspektivë të mundshme ndaj qytetarëve të vet pa dallim, në anën tjetër kjo perspektivë përkthehet në një anë tragjike për popullatën serbe, e cila i nënshtrohet lojërave dhe presioneve të presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat