Vuçiqi u tmerrua nga luaneshat e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Vasfije Krasniqi

Opinione

Vuçiqi u tmerrua nga luaneshat e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Vasfije Krasniqi

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 23 prill 2024 Në ora: 17:32
Foto ilustrim

Nuk është hera e parë që Aleksandër Vuçiç gjunjëzohet përballë të vërtetës. Kështu ndodhi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, aty ku Vuçiçi u tmerrua nga e vërteta e pakapërcyeshme e krimeve të tija dhe të Millosheviçit. I tmerruar se para tij ndodhej e vërteta e tij e gjallë, heroina Vasfije Krasniqi, Vuçiçi këtë e quan kurth kundër Serbisë me arsyetimin se të mbijetuarat e masakrave jugosllave në Kosovë nuk e kanë vendin në korin diplomatik apo në ekipin këshilltarëve të presidentes Vjosa Osmanit.

Logjika e shtypësit shpjegohet përmes pyetjes së tij “Pse nuk na keni informuar se kush do të ishte pjesë e secilit prej delegacioneve?”, me Josjvën dhe OKB që u duhet të tregojnë, të marrin leje nga Vuçiçi për të zgjedhur kush do të marrë pjesë dhe kush jo. Tmerri i Vuçiçit nuk përfundon vetëm me praninë e grave, të Vasfijes, por edhe nga e vërteta e përplasur në sy nga presidentja Osmani.

Pasi ia përplasi në sy krimet e Millosheviçit, pjesë e të cilave ishte edhe Vuçiçi, i cili ka strehuar, mbrojtur dhe promovuar policët dhe ushtarakët që kryen krime gjatë luftës në Kosovë, presidentja u ndal konkretisht tek zonja Vasfije.

Presidentja i kujtoi Vuçiçit se si e mbijetuar e dhunës seksuale Vasfije Krasniqi Godman, ka qenë vetëm 16 vjeçare kur është dhunuar dy herë nga forcat serbe, derisa shtoi se tani ajo është zë për shumë gra dhe popuj të vuajtur nga dhuna në shtete të ndryshme të botës. E vërteta është frika e vetme e Vuçiçit dhe Serbisë, me mashtrime kanë falsifikuar historinë, kanë shtypur dhe derdhur gjakun e të tjerëve.

Vjosa Osmani, si askush tjetër nga Kosova, ia përplas në sy të vërtetën. Prandaj, Vuçiçi në OKB po përballët me e vërtetën e rëndë, pasqyra e tij dhe e Serbisë është Vasfija, dhe qindra gra të dhunuara, mbi një mijë fëmijë të vrarë dhe mbi dhjetë mijë shqiptarë të rritur të vrarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat