Drejtësia në Shqipëri, nën “breshër” kritikash për padrejtësi!?

Opinione

Drejtësia në Shqipëri, nën “breshër” kritikash për padrejtësi!?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 24 prill 2024 Në ora: 09:33
Xhevat Mustafa

zyra e korridore të Ministrisë së Drejtësisë, të Prokurorisë së Përgjithshme, në SPAK, media dhe gjetiu është dëgjuar shpesh ankesa dhe kërkesa se për këtë sektor të drejtësisë mungojnë dhe duhen urgjentisht edhe 123 prokurorë të tjerë! Kjo kërkesë u ripërsërit, kushedi për të satën herë, edhe nga Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, më 17.04.2024, kur raportoi për punën e organit të akuzës gjatë vitit 2023. Me të drejtë analiza si ngjarje dhe theksimi i kësaj kërkese të hershme gjeti pasqyrim të shpejtë edhe në media. Mes të tjerave, Prokurori i Përgjithshëm, Çela, informoi se gjatë vitit 2023, janë dërguar në gjykatë 9652 çështje me akuzë ndaj 11401 të pandehurve, duke shënuar një ulje me 12% me vitin pararadhës. Me seriozitet, formalisht dhe për nga volumi i dosjeve dhe çështjeve dhe për të pasur një funksionalitet sa më normal, mund të jetë një shqetësim i drejtë dhe kërkesë që meriton përmbushje apo plotësim të shpejtë nga hallkat vendimmarrëse apo problem-zgjidhëse, me shifrën që kërkohet nga shefi i Prokurorisë së Përgjithshme.

Kjo mund të bëhet, për hire të vështrimit të largët perspektiv, edhe pa u ndikuar nga ulja në 10% e çështjeve për hetim e gjykim gjatë vitit 2023! Por, më shumë me një dozë humori “me spec djegës” apo deri në grotesk, referuar traditës së moçme 80 vjeçare të drejtësisë allashqiptare, pra edhe të këtyre 32 viteve gjase pas komunizëm e gjase demokraci, nuk mund t’i ndalohet askujt e nuk ekzagjerohet nëse mendohet dhe thuhet: e përse duhen këta 123 prokurorë të tjerë e kaq shumë prokurorë, së bashku me pjesën në detyrë të "tufës"...? Për më tepër, kur për pagat e larta dhe shpenzimet e tjera suplementare, do t’i rëndonin së tepërmi buxhetit të shtetit tonë, i cili siç dihet mirë e nuk fshihet me gjithë gjethet e fiqve të Shqipërisë dhe veshjet e jashtme e të brendshme të “10 milionë turistëve”, prej 80 vitesh vazhdon të jetë ndër më të varfrit në Evropë e përtej saj, në nivel global apo botëror?! Për deri sa SPAK deri sot nuk ka guxuar të "ftojë për kafe” Edi Ramën si kryeministër dhe disa nga bashkëpunëtoret dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt e me simptoma të ngjashme prekjeje shumëvjeçare nga “virusi i korrupsionit” , si mund të mendohet dhe besohet se nuk ka njëanshmëri apo kompleks inferioriteti dhe frike ndaj tij? Apo, se nuk e njeh parimin, mitin, praktikën, përvojën….e paprekshmërisë apo pandëshkueshmërisë së Zeusit...dhe të vartësve të tij më besnikë...?

Ata shqiptarë “të majtë” dhe ndërkombëtarë gjase të paanshëm, që shqetësohen nga kritikat ndaj SPAK dhe i dalin në mbrojtje të flaktë e të shpejtë, duke e pandehur dhe reklamuar të pamëkatë dhe të panjollë si engjëll, apo si “monument kulture” e si “pasqyrë drejtësie” jo vetëm Altin Dumanin, por krejt ekipin e tij, "harrojnë" apo anashkalojnë, së pari, të shkuarën nëpër CV e nëpër dosje gjykatash të secilit prej tyre. Së dyti, faktin se SPAK, vërtetë ka hetuar dhe prangosur më shumë figura e pushtetarë nga "piramida e së majtës", nga qeverisja qendrore e lokale, por, në mënyrë figurative, ka penalizuar një pjesë nga banda e 40, 400, 4.000... hajdutëve, ndërsa nuk i ka prekur një qime floku individualisht dhe familjarisht.. Ali babës!? Kjo dëshmon se SPAK e ka vetëm me fjalë si yll polar "pandëshkueshmërinë" për nga lartësia e postit. Ose, se e zbaton njëanshmërisht, vetëm nga ana e opozitës, duke dënuar liderin e PD- së, Sali Berisha!? Për më tepër e më keq, non gratizuar më shumë sipas një skenari shqiptaro-amerikan(sorosian) me largpamësi objektivi dhe qëllimi, nëpërmjet zyrtarit të korruptuar e të dënuar ligjërisht të FBI, McGonigal dhe jo rastësisht e jo për “harresë“, pa vështruar në të njëjtin nivel edhe nga pozita qeverisëse, me lidhje jo vetëm korruptive me këtë ish funksionar të FBI- së!? Ka muaj që pas Berishës, viktimë më shumë e një skenari të lehtëkuptueshëm ndërkombëtar apo shqiptaro-amerikan, më saktësisht edramian- yurikimian-mcgonigolian-sorosian- blinkenian... po i tunden prangat liderit të partisë së dytë të opozitës, Ilir Metës.

Kjo nuk kërkon vramendje për të kuptuar se objektivi final është lënia e vendit, domethënë e Rama-parti-qeverisë, pa OPOZITË ose me një opozitë sorosiane-edramiane, sa për iluzion dhe reklamë pluralizmi e të një alternative politike të dytë tejet anemike e më shumë në kacafytje me vetveten...!? Është e logjikshme dhe e pritshme, por jo e këshillueshme dhe e mbështetshme, që lideri i partisë së “LIRISË”, Ilir Meta, të depresohet dhe panikizohet, sa të humbë qetësinë dhe aftësinë vetëpërmbajtëse në fjalor e ton, sidomos ndaj kreut të SPAK-ut, Altin Dumani. Kështu, pa dashur, më shumë i prish punë vetes dhe ia shton arsyet si dhe ia lehtëson punën Altin Dumanit, që aktualisht ka në duar edhe gurin, edhe arrën, edhe mbështetjen amerikane e nga qarqe diplomatike në BE-Bruksel...!? Më freskët, më 18 prill 2024 nëpërmjet të ngarkuarit me Punë të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Wisner atij iu rifërkuan krahët nga klani dominues Soros në DASH e në ambasadën amerikane në Tiranë. Nuk vonuan dhe Wisnerit i mbajtën iso disa ambasadorë të vendeve perëndimore. Ndërsa panë dhe dëgjuan një akt të ri avokatie mbrojtëse për SPAK dhe për kreun e tij, Altin Dumanin, edhe më 18 prill 2024, shumica e shqiptarëve nuk e përjetuan me habi “harresën” e ambasadës amerikane për “harresën” nga SPAK të “dosjes korruptive McGonigal - Shqipëri”, në të cilën gjendet shumë herë(10-13 herë) edhe emri Edi Rama...drejtpërdrejtë si dhe indirekt nëpërmjet Dorian Duçkës dhe Agron Nezës. Është bërë e kuptueshme apo është “lakuriqësuar” edhe nga goja dhe dosja e McGonigalit se këta të dy ishin misionarë të Tiranës qeveritare në këtë skenar korruptiv me përzierjeje interesash bisnesore dhe politike, me objektiv kryesor non gratizimin e Sali Berishës dhe dëmtimin sa më shumë e më gjatë të opozitës si koalicion dhe si alternativë për rrotacion qeverisës?! Njëanshmëria dhe njëzëshmëria e disa shefave ambasadash perëndimore në Tiranë u shpreh edhe më fort në reagimet pas protestës së një kontingjenti opozitarësh para godinës së Bashkisë së Tiranës, kundër korrupsionit shumëvjeçar, të pafre, të lakuriqësuar dhe të pandëshkueshëm të kryetarit të saj, Erion Veliaj. Këta diplomatë perëndimorë “harruan” se protesta të dhunshme ka pasur edhe në Paris, Athinë, Romë, Bruksel, New York... e gjetiu! Por, sipas tyre, në Tiranë "nuk duhet të ketë", sepse, nënkuptueshëm, vihet në rrezik mbijetesa e gjatë në pushtet e qeverisjes edramjane-sorosiane! Këta ambasadorë bëjnë mirë që shqetësohen dhe reagojnë ndaj akteve që çojnë në acarimin e situatës së rendit e të sigurisë në Tiranë, por, po kështu e po kaq u kërkohet të shqetësohen dhe reagojnë edhe ndaj burimit të korrupsionit gjërëpërfshirës e mbizotërues në majën e piramidës qeverisëse, edhe tek Edi Rama si individ dhe si familje.

Kjo është bërë e domosdoshme dhe urgjente sidomos këto vitet e fundit, kur tek ai si individ e si ekip qeverisës po shfaqen dhe shprehen tendenca, doza dhe raste të forta autoritarizmi, deri në diktatorizim dhe neodiktaturë. Fatmirësisht, pas pak ditësh këtë detyrë ambasadës amerikane në Tiranë, prej vitesh mbush me sorosianë, ia kujtoi më 22 prill 2024 raporti i DASH. Paradoksalisht e jo rastësisht, raporti i ri i DASH, edhe pse në atë ndjehet një dozë “mëshire kristiane” dhe “dora e butë sorosiane” ndaj Rama-qeverisjes e Antony Blinken, përsëri e nxin Shqipërinë! “E lakuriqëson apo ia nxjerr bojën” sidomos për mungesën e një lufte frontale dhe të fortë kundër korrupsionit; për mungesë pavarësie dhe integriteti të institucioneve të drejtësisë, deri për lidhje të segmenteve dhe individëve të saj, ashtu si edhe të policisë, edhe me elementë dhe struktura të krimit të organizuar...Por, në këtë raport qeveria dhe drejtësia e saj kritikohen edhe për raste jo të rralla të “gjuetisë së shtrigave” ndaj disa mediave dhe gazetarëve, që kanë pasur kurajë të bëjnë kritika, përgjithësisht mbështetur në fakte ndaj disa prej ministreshave dhe ministrave të saj, pa kursyer kryeministrin për pjesën e vet, domethënë për “pjesën e luanit”...!

Përmbledhurazi, mund të thuhet se DASH e nxin Shqipërinë dhe qeverinë Rama, përfshirë edhe drejtësinë shqiptare, ndërsa ambasada amerikane në Tiranë, prej vitesh bën të kundërtën, i mbron dhe lyen me bojë të bardhë, që nuk mban gjatë...!? Natyrshëm lind dhe formulohet pyetja: ky paradoks apo kundërvënie janë të rastësishme apo të paramenduara dhe të shndërruara në pjesë të një loje të pasinqertë e jo dashamirëse me Shqipërinë dhe shqiptarët???!!! Gati në një ditë me këtë raport, në RAI 3 u transmetua një emision investigativ, që sikur i ilustron, konkretizon apo konfirmon nga ana e përtej Adriatikut kritikat e nga përtej Atlantikut! Duke e braktisur trajtimin serioz, referuar raportit fare të freskët të DASH(22 prill 2024) dhe duke shtuar dozën e humorit, në këto rrethana e me këtë mentalitet veprues nga “Zeusi në majën e piramidës qeverisëse” si dhe vartësie horizontale e vertikale ndaj tij edhe në institucione të drejtësisë, edhe në Prokurorinë e Përgjithshme e në SPAK, sikur “janë shumë, mjaftojnë e teprojnë” edhe vetëm gjashtë vetë për të përfaqësuar dhe mbuluar të gjitha gjykatat dhe prokuroritë, siç ndodhte në kohën e Enver Hoxhës! Fjala është për ekipin apo çetën Edi Rama, Ulsi Manja, Olsian Çela, Altin Dumani, Arben Kraja, Irena Gjoka…?!

Nënkuptueshëm, duke pasur secili nga disa celularë të prodhimeve të fundit, me çmime të lartë sa “mund të bëjë kryqin edhe një hoxhë” e në funksionim të pandërprerë gjatë 24 orëve...mjet këtyre celularëve, të paprekshëm edhe nga “hakerat iranianë” apo “ervinmuçianë”, u mundësohet të kenë lidhje të menjëhershme me njeri-tjetrin si dhe me diplomatë dhe zyrtarë të Xhorxh Sorosit në DASH, në Ambasadën e SHBA- së në Tiranë e në disa ambasada të tjera, siç ishte traditë në kohën e ambasadores Yuri Kim, për “konsultim miqësor e konfidencial” për çdo vendim…në këtë shtet me “politikë, qeverisje dhe drejtësi të pavarur...”!? Duke e mbyllur, përsëri me seriozitet, keqardhje dhe revoltim, shumë nga shqiptarët kanë arsye të bollshme të mendojnë dhe bëjnë pyetjen: moreni, vëllezër e motra, miq e shokë, kush është më e plotpushtetshme dhe më e kushtueshme në këtë Shqipëri, ajo që i themi më shpesh me fjalë-drejtësi apo ajo që e përjetojmë po kaq shpesh me vepra-padrejtësi...???

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat