Ana racionale e reagimeve të presidentes Osmani në KS të OKB-së!

Opinione

Ana racionale e reagimeve të presidentes Osmani në KS të OKB-së!

Prof.Dr. Enver Bytyçi Nga Prof.Dr. Enver Bytyçi Më 26 prill 2024 Në ora: 19:04
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i qëndroi fort shpifjeve dhe gënjeshtrave të presidentit të Serbisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. E shoqëruar nga katër gra të dhunuara mizorisht prej forcave ushtarake, policore e paramilitarëve të Milosheviçit dhe Vuçiq, ajo i kërkoi Aleksandër Vuçiq që t’u shprehte ndjesën publike këtyre grave dhe nënave që përjetuan tmerrin e gjenocidit serb në Kosovë. Ishte kjo një përgjigje, çfarë Vuçiq e meritonte për dy arsye: Sepse vazhdon e gënjen pa pikë turpi se gjoja “regjimi” i Kosovës përndjek serbët në këtë vend. Dhe sepse as i shkon ndërmend të kërkojë falje për krimet e gjenocidin serb në Kosovë.

Kam vënë re se shumica e shqiptarëve janë entuziazmuar emocionalisht nga ky qëndrim i zonjës Osmani, ashtu siç edhe u ekzaltuan me qëndrimin e zotit Kurti po përballë zotit Vuçiq para tre muajsh në të njëjtën sallë. E shoh normale këtë dhe nuk e shoh të motivuar që analistë të ndryshëm, të cilët nuk e duan qeverinë e zotit Kurti e presidenten Osmani, të shfryjnë kundër këtyre dyve e indirekt ose direkt të marrin në mbrojtje numrin një të shtetit serb dhe lidershipin e tij. E shoh jo racionale që këta analistë të parashikojnë kataklizmin në Kosovë e sidomos në veri të saj dhe me parashikime dashakeqe të fajësojnë qeverinë dhe institucionet e tjera të vendit. Të njëjtën gjë bëri edhe Vuçiq në Këshillin e Sigurimit. Foli në mënyrë të paragjykuar për “qëllimet e regjimit të Kurtit”, një gjuhë e njëjtë kjo me disa analistë në Prishtinë, por që interferojnë edhe në median e Shqipërisë.

Entuziazmi emocional është jo racional, por është normal në raste të tilla. Reagimi emocional në të kundërtën, është armiqësor, i qëllimshëm e jo vetëm emocional. Megjithatë unë do të doja të bëja një analizë logjike dhe racionale për atë që ndodhi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Qëndrimet e zonjës Osmani dhe përgjigjet e saj ndaj akuzave rrenacakësh të presidentit të Serbisë ishin të dobishme për disa arsye:

Së pari, sepse gënjeshtrave të Serbisë do të duhet t’u vesh përballë të vërtetën. E vërteta është baza e gjykimit dhe madje e vendimmarrjes. Asnjë forum ose organ kombëtar e ndërkombëtar serioz nuk merr vendime pa një hulumtim të caktuar për të njohur të vërtetën. Nëse gënjeshtra nuk ballafaqohet me të vërtetën, atëherë ajo gradualisht shndërrohet si perceptim i pranuar. Prandaj ka nevojë që gjithmonë të thuhet e vërteta. Madje është detyrë ta thuash e ta përsëritësh atë sa herë të jetë nevoja.

Së dyti, kundërshtitë ndaj rrenave serbe dhe shpalimi i të vërtetës së gjenocidit serb në Kosovë do të duhet të vazhdojnë derisa Beogradi me rezolutë të parlamentit të tij të pranojë se kundër shqiptarëve në Kosovë ka kryer jo krime lufte, por gjenocid. Kur të arrihet kjo, atëherë çdo gjë vihet në rrugën e zgjidhjes, sepse ndjesa serbe nuk lidhet vetëm me pranimin e të vërtetës. Lidhet edhe me pranimin e shtetit të Kosovës dhe heqjen dorë nga provokimet dhe kërcënimet e vazhdueshme kundër saj. Nëse Serbia pranon gjenocidin e saj në Kosovë, atëherë ajo do të jetë e detyruar ta pranojë edhe shtetësinë dhe integritetin territorial të saj. Për këtë arsye reagimet si ato të Vjosa Osmanit në Këshillin e Sigurimit të hënën e shkuar janë të dobishme. Janë qarku që mbërthen çmendurinë e autoriteteve të Beogradit jo vetëm për të mohuar krimin e rëndë të genocidit në Kosovë, por edhe për të gënjyer se “Serbët në Kosovë po pësuakan të njëjtën gjë si shqiptarët në kohën e Milosheviçit”! Në fakt kjo gënjeshtër e madhe është vënë edhe në gojën e ndonjë sharlatani analist të Kosovës. Turp!

Së treti, e vërteta është se polemikat me presidentin serb të presidentes kosovare, ashtu si më parë të kryeministrit Kurti, priten me entuziazëm, sepse shqiptarët ishin mësuar me tolerancën dhe heshtjen e Hashim Thaçit përballë autoriteteve të Serbisë gjatë dialogut të mëparshëm. Vetëm Vlora Çitaku thoshte deklarativisht në Këshillin e Sigurimit ndonjë gjë patetike dhe ne e duartrokisnim. Por edhe ajo me përfshirjen e saj në projektin serb të ndarjes së Kosovës rezultoi e pasinqertë. Ishim mësuar gjithashtu me Isa Mustafën kryeministër, që kur fliste hidhte sytë andej nga Hashimi, edhe kur ky i fundit ishte ministër i tij i Jashtëm. Dhe kaq. Në kontrast me këta reagimet e Vjosa osmanit janë krejt tjera, me frymë krejt tjetër. Që do të thotë se Vjosa dhe Albini nuk janë të mendimit që ndjesa serbe për gjenocidin e saj në Kosovë të ndodhë në fund të procesit të dialogut, por duan që kjo të ndodhë tani, para se të mbyllet ky dialog. Që do të thotë se idetë e Edi Ramës nuk ngjisin te Vjosa dhe Albini, siç ishin stamposur te Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat