A po fshihet kujtesa kolektive e krimeve të komunizmit në Shqipëri?

Opinione

A po fshihet kujtesa kolektive e krimeve të komunizmit në Shqipëri?

Nga: Frank Shkreli Më: 30 prill 2024 Në ora: 06:50
Frank Shkreli

Lexova një reportazh nga korrespondenti Gëzim Kabashi i entit mediatik ballkanik, BIRN se ndërtesa e ish-burgut të vjetër të qytetit bregdetar të Durrësit, “po rrënohet dhe me të rrezikon të zhduket një pikë reference e kujtesës kolektive për viktimat e regjimit komunist.” Ndërtesa ku u burgosën martirët e fesë në Durrës po rrënohe"

Në raportin e BIRN thuhet se “Godina e burgut të vjetër në Durrës po rrënohet dita-ditës, ndërsa banorët po e harrojnë funksionin e saj të dikurshëm. Menjëherë pas përfundimit të luftës, qindra qytetarë u mbajtën të izoluar brenda mureve të këtij burgu, si të hetuar apo të burgosur politikë. Mjaft prej tyre patën një fund të dhimbshëm, por e kaluara dramatike e kësaj ndërtese gjatë viteve të komunizmit duket se po fshihet nga kujtesa”, konstaton ndër të tjera, artikulli i BIRN.

Nëqoftse ky lajm vërtetohet për faktet që paraqet, atëherë ky akt është në vazhdimësinë e rasteve të tjera të turpshme e të shëmtuara të politikës së qëllimshme të tre dekadave të kaluara, në përpjekje për zhdukjen e gjurmëve të krimeve të komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës në Shqipërinë e ashtuquajtur post-komuniste, në Shqipërinë -- anëtare e NATO-s. Çfarë hipokrizie! Turp të ketë Tirana zyrtare – pozitë dhe opozitë -- që me masa të tilla siç është ky lajm për shembjen e godinës së ish-burgut të Durrësit, po vazhdojnë -- për më shumë se tre dekada të ashtuquajur tranzicion, që disa e quajnë demokraci – me qëllim të fshijnë nga kujtesa krimet e komunizmit dhe të pëjetësojnë si diçka pozitive -- trashëgiminë e regjimit më diktatorial sllavo-komunist në Evropë, e ndoshta në botë.

Në atë godinë të burgut të dikurshëm të Durrësit, me qindra shqiptarë kundërshtarë të regjimit kanë vuajtur dënimet dhe kanë ndërruar jetë nën torturat më çnjerëzore, disa prej më të shquarve të Shqipërisë së asaj kohe, si Myftiu i Durrësit, Mustafa Varoshi, i cili sipas shkrimit të BIRN ishte 50 vjeç, kur vdiq nga torturat dhe sëmundja në Burgun e Durrësit, ku për vite me radhë predikoi paqen dhe mirësinë. Imzot Vinçenc Prenushi – “Bariu i katolikëve dhe engjëlli i myslimanëve” dhe poeti e shkrimtari Arshi Pipa i cili mundi t’i shpëtonte ferrit komunist të Enver Hoxhës duke u arratisur në Shtetet e Bashkuara, prej ku pastaj me shkrime dhe vepra dëshmoi vuajtjet dhe vdekjet nga torturat komuniste në atë burg dhe shumë individë të tjerë të ajkës së Kombit shqiptar. 

Në një ese të gjatë, “Kujtime Mbi Vinçenc Prendushin”, botuar në “Flije të Atdheut”, botim i aktivistit shqiptaro-amerikan, të ndjerit Gjon Sinishta, poeti e shkrimtari Arshi Pipa, i cili pas arratisjes nga Shqipëria komuniste kaloi pjesën tjetër të jetës duke dhënë mësim në universitete amerikane dhe duke shkruar për përvojën e tij në burgun e Durrësit, që sipas lajmeve do të rrënohet -- dhe në burgje të tjera të regjimit komunist -- në shumë kujtime dhe dëshmi ka shkruar, ndër të tjerë, edhe për vuajtjet, torturat dhe vdekjen e klerikut të Kishës Katolike Shqiptare, tashti i shpallur i lumë si martir i Kishës Katolike Universale, Imzot Vinçenc Prendushit. Arshi Pipa shkruante, si pasqyrim, ndër të tjera, dëshminë e tij mbi kujtimet e vuajtjeve në burgun e Durrësit ku ka qëndruar për një kohë së bashku me Imzot Prendushin.

“Nanduer, 1947. Hove, hove, të burgosunit janë nxjerrë përpara gjyqit ushtarak. Ashtë vala e terrorit ma të egër, Intelektualë, teknikë, klerikë por edhe zejtarë, fshatarë, të gjithë ata që mendohej se janë kundërshtarë, veprues ose jo, të partisë, janë fshi dhe rrasë nepër burgje. Gjykimi ashtë sa për sy e faqe: proceset kurdisen ma parë nga Ministria e Mbrendshme, gjyqi vetëm i ve në skenë…Njeriu pandeh se gjëndet në nji seancë hetuesie por mbasi e bien në burg merr vesh se ashtë para gjyqit ushtarak…Në sallën e vogël qendrojnë mbi banka rreth gjashtdhjetë të burgosun. E shumta nuk njohin njani tjetrin. Fytyra të nxime, të hjekuna, që kqyren me njëri tjetrin frikshëm, pabesueshëm…Përpara meje ashtë nji burr me flokë të bardhë, i mbledhun kuspull, i veshun me nji mantel të zi, të dalun boje. Nuk ka lëviz gjithë kohën. Lëviz tash në thirrje të nji emni: “Vinçenc Prendushi”. “Ngrihet ngadalë, mundshëm dhe ulet mandej pa thanë asnji fjalë. Prokurori lexon pretencën e të pandehurit. Akuzat janë krejt gjenerike, pa asnji fakt konkret, “anmik i popullit”, “bashkpuntor i okupatorit”, “fashist”. Theksohet fakti se ka qenë peshkop i Kishës Katolike dhe me këtë rast, shtohen frazat: “klerik reaksionar”, “agjent i Vatikanit”. Në fund kërkimi i dënimit: 20 vjet”, dëshmon Arshi Pipa në shkrimin e tij, “Kujtime mbi Vinçenc Prendushin”. Por Imzot Vinçenc Prendushi nuk e kryen dënimin sepse nga vuajtjet e torturat në burgun e Durrësit, ai aty ndërron jetë pas torturash të tmershme.

Kështu i kujton minutat e fundit të jetës në këtë botë të Imzot Prendushit pas toruturave, bashkvuajtësi i tij Arshi Pipa në esenë e sipër-përmendur: “Imzot Prendushi u nda kso jete nji natë të Frorit, 1948. Atë natë kishte zjarm në votër. Kur ja mbylla sytë, sytë e lodhun e të shterrun, që aq shumë kishin rektue për dritë, mu duk se pashë në fytyrën e tij, të hajthët, të shkrime, të paqtë mbas nji mundimi, nji ndriçim jo të zakonshëm. Ndofta mue më bajshin sytë e përlotun, ndofta nuk ishte veçse nji refleks i flakrimeve të kuqremta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë, ndër zgavrrat e faqeve dhe ndër gropëzat e syve. Por, ndofta ishte diçka tjetër. Shpirti që në rrethanat e dhimbjes fizike topitet, tkurret, terratiset, ai kullohet prej saj, kur dhimbja të prajë, si ujt prej lymit që e pat trazue. Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit. Por ashtë vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin kur vërejmë qysh njerzit vdesin për ideale”, e përmbyll esenë e tij Profesori Arshi Pipa mbi vuajtjet, mundimet dhe më në fund vdekjen në duart e tij të Imzot Vinçenc Prendushit në burgun e Durrësit, pikërisht në atë godinën, ku sot po njoftohet se do të rrënohet duke zhdukur përgjithmonë gjurmët e krimeve të kryera në atë godinë nga regjimi sllavo-komunist. Por e vërteta, heret ose vonë, del në shesh, mbetet e gjallë nga dëshmitë sado që diktatorët dhe autokratët apologjetë të komunizmit sot duan të justifikojnë, të harrojnë dhe të zbukurojnë trashëgiminë kriminale të regjimit komunist. Një ndër këto dëshmi të gjalla “të kohës së robnisë” e të krimeve të regjimit të Enver Hoxhës në burgun e Durrësit, shënon 65-vjetorin e botimit (1959) – Libri i Burgut – i Profesor Arshi Pipës, njërit prej të dënuarve të regjimit në atë godinë burgu në rrënim e sipër sot. Sipas vet fjalëve të autorit në paraqitje: “Kështu qysh heret shestova me mbledhë në këtë libër përvojën time, por jo vetëm timen, të kohës së robnisë, që të ishte ky libër dëshmi e jetës së burgut e të kampit -- e nji ane të jetës nën diktaturën komuniste e cila karakterizon mirë gjithë kompleksin”, ka shkruar ish-i burgosuri në burgun e Durrësit, Profesor Arshi Pipa.

Image
Sivjet është 65-vjetori i botimit të librit të Profesor Arshi Pipës (1959), një përmbledhje e vargjeve të shkruara në birucat e burgjeve të Enver Hoxhës, përfshir burgun e Durrësit – “Nji libër që u nis bash me qëllim që të dilte ai nga burgjet, nga të cilat unë ndofta nuk do delsha”, ka shkruar Arshi Pipa.

Autoritetet shqiptare mund të rrafshojnë, paturpësisht, sot godinën e burgut të Sigurimit në Durrës, në përpjekjet e tyre për të fshirë gjurmët e krimit të regjimit sllavo-komunist aty dhe anë e mbanë Shqipërisë.

Por, ama, ata nuk do mund të shlyejnë dëshmitë e gjalla të ish-të burgosurve dhe “monumentet” e dëshmitarëve siç është Libri i Burgut i Profesor Arshi Pipës, në 65-vjetorin e botimit, kushtuar “Deshmorëve të Kombit që ranë kundër komunizmit me nderim, Auktori kushton”.

Image
“Godina e burgut të vjetër në Durrës po rrënohet dita-ditës, ndërsa banorët po e harrojnë funksionin e saj të dikurshëm”. (Gëzim Kabashi, BIRN) –Burgu ku Kleriku i madh Imzot Vinçenc Prendushi dha jetë nën torturat e xhelatëve komunistë në duartë e shkrimtarit e poetit Profesor Arshi Pipa me të cilin ndau qelinë –dëshmitar, siç ka shkruar edhe ai vet, “për të vërejtur se qysh njerzit vdesin për ideale.”
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat