Në Kosovë "Nusja (qeveria) po krihet, katundi (shoqëria) po digjet”! 

Opinione

Në Kosovë "Nusja (qeveria) po krihet, katundi (shoqëria) po digjet”! 

Nga: Fadil Maloku Më: 30 prill 2024 Në ora: 18:40
Fadil Maloku

Kosova në sferën e organizimit social, atë politik, e sidomos atë demografik, në sytë e institucioneve kredibile ndërkombëtare gjithnjë e më shumë po identifikohet si një “parajsë” ideale si për "rekrutimin" fuqisë punëtore, po edhe të rifreskimit e plotësimit të resurseve inflative të vendeve evropianë.

S ‘këndejmi, nuk është e rastësishme që të rinjtë e grup moshave 25-35, shtegdaljen nga frustrimi, pakënaqësia varfëria dhe papunësia evidente ende enorme (krahasuar me vendet e rajonit) e projektojnë kryesisht përmes katapultimit të vetës së tyre në tregun global.

Këtij "yryshi" të këtyre grup moshave apo kontingjenteve që po aspirojnë ta lëshojnë vendin, kur i shtojmë edhe ndryshimin e perceptimit vetanak mbi statuset sociale dhe jetën ekonomike që ata e ushtrojnë në Kosovë, si edhe premtimet boshe elektorale që u bëjnë politika, e kuptojmë se atyre nuk u vetë mjaftohet "oferta" e bërë për një jetë e mirëqenie identike me të tjerët në rajon dhe më gjerë. 

Sipas indikatorëve dhe parametrave të Bankës Botërore, largimi nga Kosova është trend permanent…! Atë po e gjenerojnë si frustrimi ashtu edhe pakënaqësia ndaj qeverisjes aktuale.

Dhe se ky trend, duket që do të ketë pasoja shumë afatgjata, si në kuotimin e demografisë ashtu edhe në konfigurimin social të vendit. Ngase, prodhon reperkusione nē procesin e shtet-ndërtimit, sovranitetit dhe demokracisë si synime strategjike të vendit. 

Po ashtu, kjo "arratisje" e pa menaxhuar ose shprazje në kontinuiele (për të mos thënë pa ndonjë kontroll e evidencë transparente nga ana e institucioneve shtetërore!?) e kontingjenteve dhe potencialit të resurseve të cilat do duhej ta rindërtonin si sovranitetin ashtu edhe kualitetin e shtetësisë së re, duket se po heshtet dhe me një indiferencë të habitshme edhe nga opozita e vendit!

Kështu që Kosova, ngadalë por, sigurt me këto trende pesimiste migruese po konvertohet në një vend të pasigurt si për investitorët vendas ashtu edhe ta të huaj. Në ndërkohë, derisa si thuhet;"Nusja po krihet (qeveria), katundi (shoqëria) po digjet"! Kêshtu që në faza afatgjata shanset që Kosova të mbetet një vend ekskluziv vetëm për pleq janë shumë reale...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat