Retorika VMRO-iste e veshur me putinizëm, nuk mund të jetë alibi për rebelim të shqiptarëve

Opinione

Retorika VMRO-iste e veshur me putinizëm, nuk mund të jetë alibi për rebelim të shqiptarëve

Nga: Prof. Dr. Skender Asani Më: 5 maj 2024 Në ora: 13:49
Prof. Dr. Skender Asani

Nga zgjedhjet parlmentare dhe ato presidenciale, na ndajnë edhe disa orë, kurse në skenën e këtushme politike po luhet një teatër “tragjikomik”, me të vetmin qëllim që proceset e reja, me ndryshime dhe me perspektivë evropiane të ngulfaten. Aktorët e kësaj loje, të mbledhur rreth disa koalicioneve të dyshimta dhe të çuditshme brenda dhe jashtë vendit, ka kohë që janë bërë gati të nxjerrin në pah rrugëtreguesit se nga duhet të lëvizë në të ardhmen Maqedonia e Veriut. Sepse atyre nuk iu intereson fryma e ndryshimeve evropiane, e cila do ta shkëpuste njëherë e përgjithmonë Maqedoninë e Veriut nga përqafimi i ftohtë rus. Atyre, përkundrazi, iu intereson të mbajnë peng proceset, t’i vonojnë ato dhe mundësisht të shkaktojnë ndonjë krizë e cila do të përdorej si alibi për sabotimin e proceseve euro-integruese.

Në retorikën parazgjedhore të VMRO-së dhe liderit të saj Mickoski është intensifikuar gjuha e shantazhit dhe mosdurimit ndëretnik. Duke e braktisur traditën e mirë të bashkëpunimit me popujt tjerë ballkanik, përfshi edhe shqiptarët, VMRO-ja e tanishme parapëlqen më tepër të duket një brigadiere vullnetare e veshur me uniformën e Putinit, e cila do të ishte e gatshme të përdor të gjitha mjetet për të penguar rrugëtimin euro-atlantik të vendit.

Regjisorët e kësaj atmosfere parazgjedhore janë munduar që të krijojnë situata me prapavijë të qartë ku qëllimi final nuk është artikulimi politik i temave për një prospertitet të përgjithshëm të vendit, por nxitja e radikalizimit të shqiptarëve përmes retorikës nacionaliste të VMRO-së dhe estabilishmentit saj.

Çuditërisht, një parti politike që proklamohet si gardiane e interesave nacionale maqedonase, me aq lehtësi bëhet trampolinë e tendencave bosnjizuese të Ballkanit, duke iu fry erërave të këqija të post-Dejtonit, ku Beogradi, me ndihmën e Moskës, do të ishin kumbarët më fatlum të këtij procesi destabilizues. Viktimë e këtyre tendencave mund të bie edhe Kosova, sidomos pas paralajmërimeve të Beogradit për një radikalizim të gjendjes në veri të vendit.
Futja e narrativës nacionaliste në retorikën parazgjedhore, e bën VMRO-në një instrument të dyshimt të lojërave oborrtare të Kremlinit, sepse vetëm duke e provokuar gjendjen, ata shpresojnë se situata do të delë nga kontrolli, shqiptarët gjoja do të rebelohen dhe në këtë mënyrë Maqedonia e Veriut do të humb hapin e nisur në procesin e përafrimit me BE-në.

Veshja e retorikës nacionaliste të VMRO-së me pëlhurën e tejdukshme të putinizmit, do të duhej të jetë shenjë alarmi për gjithë kapacitetet demokratike në shoqërinë e këtushme, duke treguar një sens të lartë përgjegjësie dhe reflektimi në një moment shumë vendimtar në të cilin ndodhet vendi, kurse bashkësia ndërkombëtare nuk do të duhej të qëndrojë duarkryq ndaj këtij putinizmi që po shpërfaqet në segmentet e caktuara të nacionalizmit maqedonas.

Në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim nuk guxojmë të braktisim kursin euro-atlantik në rrugëtimin tonë drejt vlerave perendimore, sepse çdo diversion mbi këto vlera, nënkupton prishje të balancave gjeopolitike, një synim ky i kahmotshëm i Kremlinit përmes satelitëve të tij në Beograd. Në kurrfarë mënyrë tjetër nuk do të mund të legjitimoheshin tendencat destabilizuese në Ballkan, prandaj na duket e çuditshme që një parti politike si VMRO, me kërkesat e saj për revidimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe të Prespës, të jetë kaq bashkërenduese në inskenimet e tilla dezitengruese ballkanike.

Maqedonia e Veriut nuk është një ishull i vetmuar në Ballkanin Perendimor ku valët e trazuara brenda nuk do të preknin edhe brigjet e stabilitetit rajonal. Përkundrazi, një vend me përbërje shumëetnike e shumëfetare, është gjithmonë test i qëndrueshmërisë për gjithë rajonin, sidomos kur kjo qëndrueshmëri varet nga kohezioni ndëretnik brenda Maqedonisë së Veriut.

Shqiptarët, të organizuar politikisht në institucione, dhe të edukuar në traditën shekullore të miqësisë me fqinjët, burimin e mirëqenies së tyre e masin pikërisht me forcën rezistuese që kanë ata ndaj provokimeve që vijnë nga stili putinian i fushatës parazgjedhore. As Mickoski as aletatë e tij të hapur dhe të fsheshur, nuk do të mund ta ndryshojnë ADN-në civilizuese të shqiptarëve, e cila shumë qartë e tregon rrrugën nga duhet të ecë Maqedonia e Veriut dhe i gjithë rajoni, ku në vend të kambanve shurdhuese të Kremlinit do të trokasin akrepat evropiane të BE-së, me një garancë sigurie të NATO-s dhe SHBA-ve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat