“Bota Sot” është dëshmore e fjalës së lirë!

Opinione

“Bota Sot” është dëshmore e fjalës së lirë!

Nga: Faton Mehmeti Më: 5 maj 2024 Në ora: 14:52
Autori Faton Mehmeti

Mediat, në veçanti ato që kanë guxuar të thonë të vërtetën e pakompromis, janë ballfaquar me sfida të ndryshme, deri në vrasjen e gazetarëve. 3 Maji shënohet si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, ku në Kosovë ende nuk respektohet liria e shprehjes.

Në këtë rast, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), bashkë me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Komisionin e Pavarur për Medie, kanë shënuar 3 Majin - Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, por nuk thanë asnjë fjalë për gazetarët e vrarë të "Bota Sot". Fillimisht ishte Bardhyl Ajeti, i cili u qëllua më 3 qershor të vitit 2005. Ai nuk kishte arritur të mbijetonte plagët, si pasojë e të cilave edhe ndërroi jetë.

Sulmi, përkundër se nuk u zbulua asnjëherë, përshkruhet si një atentat i përgatitur mirë, dhe që nuk la asnjë gjurmë. Pastaj, Bekim Kastrati, gazetar i "Bota Sot", bashkë me truprojën e dr. Rugovës, Besim Dajaku, u vranë vetëm për shkak se nuk ishin në anën tjetër, të atyre që pushtetin e shihnin si arritje, pavarësisht viktimave.

Këto vrasje ishin si tentativë për dobësimin e mbështetjes ndaj Ibrahim Rugovës, duke eliminuar gazetarin e "Bota Sot" dhe duke e ekspozuar para atyre që dëshironin ta eliminonin, kështu që filluan edhe eliminimin e truprojave të tij, me idenë që të ngjallnin frikë dhe panik tek ata që merreshin me sigurinë e Dr. Rugovës, me shpresën se do të largoheshin.

Pra, këto vrasje ishin në vazhdën e spastrimit të rrugës për të eliminuar edhe Dr. Rugovën, por për të arritur tek ai, duhet të eliminohen pengesat. Duke tentuar të pengonin lirinë e shprehjes, "Bota Sot" u godit si asnjë tjetër. Pa zbardhjen e vrasjeve të Bardhylit, Bekimit, Xhemal Mustafës etj., nuk mund të vlerësohet se liria e shprehjes ka kuptim. Megjithatë, sinonimi i lirisë së shprehjes dhe qëndresës është dhe mbetet "Bota Sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat