Ali Ahmeti e tradhtoi kauzën e luftës kundër “ndërhyrjes së zotit Kurti” në zgjedhjet maqedonase!

Opinione

Ali Ahmeti e tradhtoi kauzën e luftës kundër “ndërhyrjes së zotit Kurti” në zgjedhjet maqedonase!

Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 5 maj 2024 Në ora: 17:59
Ali Ahmeti dhe Albin Kurti

Ali Ahmetin nuk e njoh. Nuk e kam takuar asnjëherë. I jam mirënjohës që tetorin e vitit të kaluar çoi një përshëndetje të ngrohtë për mua, kur në Universitetin „Nënë Tereza“ të Shkupit u promovua libri im „Gjeopolitika Ruse në Europën Lindore dhe Juglindore“. Ali Ahmeti është një nga personalitetet më të spikatur të politikës shqiptare e maqedonase. Krahas Arbër Xhaferit, ai ka shënuar hapa të mëdhenj në arritjen e të drejtës së shqiptarëve dhe integrimin e Maqedonisë së Veriut në strukturat euro-atlantike. Ai e meriton të jetë jo vetëm qytetar nderi i kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës. Zoti Ahmeti ishte udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në vitin 1991 dhe u bë lider politik pas kësaj lufte. Për 23 vite ai e ka dominuar politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Prandaj nuk kam asgjë kundër dhënies së titullit „Qytetar Nderi i Tiranës“!

Por çdo politikan, çdo lider politik, krahas vlerësimeve pozitive do të duhet të përballet edhe me gabimet e dështimet e tij. Ali Ahmeti ka bërë gabime parimore, madje të rënda. Ai ishte mbështetës i Edi Ramës dhe Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës përmes ndryshimit të kufijve me Serbinë. Ai mbështeti hapur dhe kudo iniciativën e Beogradit për Minishengenin, të shndërruar më pas në Open Balkan. Duket se edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë mbështetës i kësaj iniciative serbe, edhe pse kjo iniciativë iu kundërvu hapur Procesit të Berlinit, si instrumenti kryesor i integrimit të Ballkanit Perendimor në Bashkimin Europian. Këto qëndrime pragmatike deri në thirrjen për pajtim pa kushte të shqiptarëve me serbët, nuk janë realiste dhe nuk i shërbejnë interesit shqiptar, së paku për momentin që kalojmë.

Ndërkaq ai gaboi jo pak që pranoi të celebrohet me titullin “Qytetar Nderi I Tiranës“, vetëm një javë para ditës së zgjedhjeve politike në Maqedoninë e Veriut. Ali Ahmeti dhe njerëzit e tij ishin kritikët më të mëdhenj të asaj që e quajtën „Ndërhyrje e Albin Kurtit në ato zgjedhje“, për shkak të mbështetjes që ai i dha koalicionit VLEN. Ndërkohë me pranimin e titullit në Bashkinë e Tiranës dha shembullin më të keq të mundshëm se sa dhe se si ai u përdor dhe keqpërdor nga dy liderët socialistë të Rilindjes së Tiranës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kreu i Bashkisë, Erion Veliaj. Ceremoni madhështore, emisione televizive, lëvdata dhe promocione pa fund në medie, të gjitha këto zotit Ahmeti ia mundësuan dy miqtë e tij, sidomos kreu i ekzekutivit të Shqipërisë.

Ky i fundit tha se kjo ceremoni nuk ka asnjë lidhje me fushatën elektorale në Maqedoninë e Veriut. Frojdi thotë se intriganti më i madh është ai që flet më së shumti për nder e rend e ndër kohë fsheh intrigën e vet. Edhe Edi Rama intrigoi kur mashtroi opinionin, duke thënë se nuk paska qëllime elektorale dhënia e titullit „Qytetar Nderi i Tiranës“ për liderin e BDI-së, Ali Ahmetin. Mashtroi dhe gënjeu si dreqi. Pa u skuqur fare. Dhe zoti Ahmeti e pranoi mashtrimin e mikut të tij, bashkautor dhe bashkësponsor i iniciativave serbe të Minishengenit dhe Open Balkan, pra të Edi Ramës.

Ky fakt më ka shqetësuar më shumë sesa vetë dhënia e titullit. Së paku të mos përpiqeshin të na merrnin për budallenj. Kreu i BDI-së duhej ta refuzonte këtë titull në këtë moment. Duhej të priste 9 majin. Nxitimi i tij dhe sponsorëve që ai ka në Tiranë për ta nderuar pak ditë para zgjedhjeve mund të jetë edhe shenjë frike, se ndoshta BDI dhe koalicioni i saj do t’i humbasin zgjedhjet. Por edhe nëse nuk është kjo, asgjë nuk e justifikon diversionin e ndërhyrjes në fushatën elektorale te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nga ana e qeverisë dhe bashkisë së Tiranës.

Në fund të fundit zoti Ahmeti dhe politikanët që e mbështesin atë e humbën kauzën e luftës kundër Albin Kurtit. Unë kam shkruar se edhe nëse zoti Kurti ndërhyn në fushatën elektorale te shqiptarët e Maqedonisë, ai i bën një shërbim shumë të mire çështjes shqiptare. Sepse te koalicioni i BDI-së aleat është kryeministri i Shqipërisë. Dhe në, vend që Kurti të bashkohej me kuazën pro-serbe të Edi Ramës dhe mbështetësve të tij, është shumë më e dobishme t’i kundërvihet kësaj kauze dhe të luajë rolin e antidotit në pozitat e luftës për të drejtën e Kosovës dhe të shqiptarëve. Kauzat serbe të Edi Ramës duhen luftuar me të gjitha mjetet e në çdo formë të mundshme. Derisa zoti Ahmeti dhe përkrahës të tjerë të planeve Rama-Vuçiq duhet të kuptojnë se janë në rrugën e gabuar. Ndaj dhe promocioni i tij në Tiranë ishte dyfish i dëmshëm!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat