Kush duhet t’i fitojë zgjedhjet parlamentare në RMV dhe pse?

Opinione

Kush duhet t’i fitojë zgjedhjet parlamentare në RMV dhe pse?

Nga: Skënder Musliu Më: 6 maj 2024 Në ora: 20:48
Skënder Musliu

Ditën e mërkurë, me 8 Maj votohet për zgjedhjet parlamentare në RMV-ë dhe elektorati shqiptar ka dy opsione, të votojë për koalicionin Fronti Europian në krye me BDI-në dhe koalicionin VLEN.

Duke u nisur nga fakti se BDI-ja për dy deka ishte në pushtet dhe nuk arriti t’a avancojë pozitën e shqiptarëvë, ashtu siç kishte premtuar, përpos punësimeve familiare dhe partiake, shtrohet pyetja se, a duhet të votohet kjo parti dhe Fronti Europian në këto zgjedhje ?!

Mendoj se jo, sepse premtimet e BDI-së reciklohen në çdo cikël zgjedhor dhe asnjëherë nuk realizohen. Madje nga pakënaqësia e elektoratit shqiptar, gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE dhe BDI-së, kur BDI-ja ishte bërë si maskotë dhe kukull duke i shërbyer si patericë partive maqedone, votuesit shqiptarë, në mungesë të një alternative, nga dëshprimi dhe zhgënjimi, u detyruan t’a votojnë LSDM-ën e Zoran Zajevit, duke kërkuar shpëtim nga qeverisja arrogante dhe antikombëtare të BDI-së.

Nëpër tubime BDI-ja, për t’i maksimalizuar votat, edhe kësaj rradhe me gjuhë populiste ka bërë premtime pa mbulesë. Jo vetëm që nuk është e ndershme të përmendet UÇK-ja nëpër tubime për vota, por është fatkeqësi dhe keqpërdorim i dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe luftarëve të vërtetë, sepse BDI-ja si parti e dalë nga lufta, edhe pas 23 viteve nuk e zgjidhi me Ligj çështjen e ushtarëve të UÇK-ës, invalidëve të luftës dhe dëshmorëve. Duke përdorur Ali Ahmeti « gjëra të kriposura, të vegetosura, keksa dhe gurabia », nuk mund të sjellë ndryshime dhe eurointegrime, ashtu siç nuk bëri për dy dekada, mbase është parti e kapur, e shantazhuar dhe pa kredibilitet, parti ku gërshetohen interesat individuale, familiare dhe partiake, është parti e kauzave dhe premtimeve të rreme, duke lënë anash interesat e sovranit. BDI-ja do të bëjë ç’mos për të qëndruar në pushtet, sepse nëse i humb zgjedhjet dhe shkon në opozitë ajo, jo vetëm që nuk do të vijë më në pushtet, por do të shpërbëhet dhe do të fillojnë procedimet para drejtësisë të lidershipit për korrupsionin 20 vjeçar, prandaj BDI-ja i dërgon emisar VMRO-DPMNE-s për koalicion paszgjedhor, për të hyrë në qeveri pa kushte.

Para çdo cikli zgjedhor, pa përjashtim, BDI-ja ka bërë punësime pa kriter, të cilëve tani iu bënë presion dhe shantazh për vota, shpërndanë ushqime esenciale nëpër vendbanimet e varfëra të shqiptarëve, dhe jo vetëm, duke keqpërdorur gjendjen e tyre të rëndë sociale.

Nuk ka demagogji dhe amoralitet se sa kur nëpër tubime ndëgjon Ali Ahmetin duke u ankuar për ndikimin rus, mirëpo ai nuk po tregon se këtë ndikim pikërisht BDI-ja e ka mundësuar

gjatë bashkqeverisjeve. Njësoj po ndodh edhe me thirrjet e tij për eurointegrimet, të cilat ndër vite ai i bllokoi, madje edhe ligjet me yll europian, që ishin prioritet për eurointegrime, nuk i votuan, prandaj është manipulim me opinionin t’a mashtrojsh ate. Në vend që BDI-ja të promovonte vlera, parime dhe progres për shqiptarët, ajo keqpërdori dhe kontrabandoi vullnetin e shqiptarëve duke u shndërruar ndër partitë më të korruptuara dhe inkriminuara.

Po ashtu, është ironi e kulluar kur tani ndëgjoni Zijadin Selën duke kritikuar partitë e VLEN-it, pjesë e së cilës deri dje ishte vet ai, kurse përkrahë BDI-në dhe PDSH-ën, që pjesën më të madhe të karierës së tij e kaloi duke i kualifikuar si parti të korrupcionit dhe krimit të organizuar. Pasi që Zijadin Sela përçau ASH-ën dhe e tradhëtoi elektoratin, fatkeqësisht u bë pjesë përbërëse e këtyre dy partive më të korruptuara dhe argat i krimit të organizuar. Prandaj konsideroj se, do të ishte normale, por edhe obligim moral, që votuesit e ASH-ës, të gjithë pa përjashtim, t’ia japin votën ASH-ës së Taravarit, duke e ndëshkuar Selën, i cili në momentet më kritike, para zgjedhjeve, qëllimisht përçau dhe tradhtoi partinë dhe elektoratin.

Tani, kur fatmirsisht kemi koalicionin VLEN, elektorati shqiptar duhet të tregohet i arsyeshëm dhe politikisht i ngritur, që me votë Frontin Europian, i cili në substancë është antieuropian, t’a dërgojë në opozitë. Zgjidhja më e mirë për shqiptarët, është t’a votojnë VLEN-in, si opsion i vetëm që garanton shpresën dhe ndryshimin, sepse bëhet fjalë për një koalicion me duar të pastra, të pakapur, pashantazhuar dhe i pakorruptuar, me orientime proeuropiane, për ndryshime kushtetuese dhe progres në shoqëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat