Liria ka emër pavdekësie...

Opinione

Liria ka emër pavdekësie...

Nga: Ndue Dedaj Më: 9 maj 2024 Në ora: 07:28
Ndue Dedaj

9 Maji 1945 është dita e fitores mbi fashizmin, ndërsa më vonë po 9 Maji u shpall dhe si Dita e Europës. Vetëm pesë vite nga fitorja e parë, Europa nisi përpjekjet për bashkimin e saj, çka nuk ka përfunduar as sot. Dy ngjarje të mëdha historike të kontinentit, që kanë në themel vlerat e lirisë. Jo më kot në Kosovë thonë, liria ka emër. Dhe emri i saj është ai i dëshmorëve dhe heronjve...

Mund të ndryshojnë regjimet, politikat, ideologjitë, por nuk ndryshon historia, aq më pak të tjetërsohet. Ajo ka heronjtë e saj, revolucionarë ose pacifistë. Heronjtë, dëshmorët, martirët, të rënët për Atdhe nuk marrin askund “leje” për të qendruar në histori. Ata janë të vetmit që kanë pasportën e përjetësisë. Ata i tejkalojnë kohërat, luftërat, sistemet politike, bindjet vetjake, apo dhe kombësitë. Dëshmorëve tanë të Luftës së Dytë, që këtë vit shënon 80-vjetorin e saj, nuk ua prish dot biografinë pas-Lufta, pasi ata si të rënë, janë nderi i Luftës, kurse “Pashallarët e kuq” tradhtia e saj. Në Kosovë lapidarët e të rënëve janë të mirëmbajtur, kurse në Shqipëri ato janë rrënuar gjithandej, ashtu si dhe varrezat e dëshmorëve. Dardania u këndon luftëtarëve të lirisë, kurse këndej Morinit nuk “guxon” askush të përmendë dëshmorët, partizanët, vetëm gjeneral Rahman Parllakun, edhe atë ngaqë më pas kishte qenë i dënuar politik. Në këtë kontekst të dyzuar po sjellim shembullin e dy dëshmoreve, Ganimetit në Gjakovë e Margaritës në Berat, ku për të parën këndohet që nga dita që ka rënë, kurse e dyta është harruar!…

S’duam t’i japim mend askujt, individët kanë njohjen, sentimentet dhe vështrimet e tyre karshi ngjarjeve dhe figurave të ndryshme, kurse për shoqërinë dhe institucionet (jo vetëm ato shtetërore) mungesa e nderimit dhe vlerësimit të heroizmit shqiptar në shekuj, pra dhe i dëshmorëve e partizanëve nacionalçlirimtarë, do të ishte dobësim i koshiencës historike.

“Ganimet, moj krenaria jonë”...

Është mbrëmje dhjetori 2023 në Tiranë. Albina Kelmendi, këngëtarja e re kosovare nga Peja, në programin televiziv “Këngë moj”, këndon dhe këngën “Lulkuqja e Gjakovës”, kënduar nga breza këngëtarësh për afro gjysmë shekulli. Ka aq shpirt në interpretimin e saj, sa të duket se historia e Ganimete Tërbeshit ka ndodhur dje. Dhe në të vërtetë, në Kosovë, ajo histori ka qenë dje, vetëm njëzet e pesë vite më parë, kur do të lindte këngëtarja më e re e “Lulkuqes”. Por në njëfarë mënyre është dhe sot, përderisa veriu i Kosovës sërish nxjerr heronj. Sa të ketë luftë do të ketë dhe heronj dhe mund të zbehet gjithçka me vitet, por jo qendresa për liri, brenda dhe jashtë mureve të kështjellave, brenda dhe jashtë kufijve ndëretnikë, brenda dhe jashtë telave me gjemba të burgjeve politike....

Po cila ishte Ganimete Tërbeshi? “Albanian Post” shkruan se vajza vinte nga një familje atdhetare nga Gjakova, që iu bashkua Lëvizjes Antifashiste, si korriere e postës ilegale, mbasi i vranë të vëllanë, Abedinin, në vitin 1941. Përveç tij, në luftë ishte e përfshirë thuajse e gjithë familja: motra Hidajete, hallat Muradije e Shefkije e shumë gra të tjera. Ganimeten e burgosin dhe, në mëngjesin e 30 gushtit të vitit 1944, e sjellin të lidhur në qytetin e Gjakovës, ku pasi i vranë para sysh nëntë shokët e saj antifashistë, të fundit varën atë. Ishte vetëm 17 vjeçare kur u ekzekutua. U shkruan vargje e u kënduan rapsodi për të. Për heroizmin e saj në vitet ’70 u shkrua edhe nga mediat serbe. Emrin e Ganimetes e mbajnë disa shkolla në Kosovë...

“Ganimet, moj krenaria jonë”... është refereni që këndohet tash 80 vjet në Kosovë dhe do të këndohet gjithmonë. Ganimetja ishte e vogël, por lufta çlirimtare e bëri të madhe. Tjetër që pas Luftës diktatura e fitimtarëve, që u shndërruan në sundues, shkaktoi tragjedi njerëzore dhe politike, si dhe të tjerë martirë e të salvuar, nacionalistë dhe intelektualë nga elita e kombit!...

E këto pak radhë janë vetëm një “telegram” në bashkëkohësi i një jetë të këputur pa filluar ende të çelte, që iu duhet përcjellë breznive të reja.

Por historia përsëritet, nuk do të ishte e vetmja Ganimete dëshmore e Kosovës, në luftën e fundit më 1998 do të binte dhe një tjetër vajzë atdhetare, 19-vjeçarja Ganimete Gjylani nga Drenasi.

“Margaritë moj, motra ime...”

Fryma e lirisë është mishëruar historikisht dhe në figurën e martirizuar të femrës, e cila nuk është vetëm heroina klasike. Lexuesi mund të përmendë emra të shquar, që nga Zhan D’Ark në Francën e shekullit XV deri te Shotë Galica në luftërat për Pavarësi Kombëtare, Sado Koshena në Luftën e Vlorës më 1920 etj.

Motër e vëlla, Margarita dhe Kristaq Tutulani në Berat, ashtu si Ganimeti dhe Abedini në Gjakovë, e meritojnë kurdoherë një kurorë dafinash. Por atë që nuk e bën gjithnjë politika, e bën poezia. Poeti i shquar Fatos Arapi e ka përjetësuar idealin e Margaritës 18 vjeçe në mënyrën më njerëzore e fisnike:

Margaritë, moj / Motra ime, moj...

Flisje për ëndërra / Ti që vetë ishe ëndërr.

Margarita së bashku me Kristaqin, u pushkatuan në një natë “alarmesh të përgjakura” në afërsi të Kavajës nga pushtuesit fashistë. Nuk ka një metaforë më të qëlluar se ajo e “alarmeve të përgjakura”, që i rri aq denjësisht dhe poema e Llazar Siliqit “Prishtina”:

“Me ditë, me javë me muaj e pritëm na vdekjen...”

A nuk kanë shkruar kështu poetët europianë kundër Aushvicit?... Por, më thoni, a kemi këso poezish më në tekstet tona shkollore? Druaj se jo.

E, pra, si Ganimeti si Margarita ishin aq të reja në moshë, sa gjimnazistet e sotme, paçka se në sytë tanë vijnë më të rritura, për shkak të veprimtarisë së tyre atdhetare.

Kujtesa ndaj tyre shkon më përtej se ato vetë dhe si thirrje për mirëmbajtjen e shenjave të Luftës dhe objekteve muzeale të dëshmorëve. Sërish Kosova, që i ka plagët më të freskëta, është shembull, mjafton të përmendim kullën muze e Jasharëve në Prekaz, apo shtëpinë muze të Berishajve në Suharekë, ekspozitën e fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së Kosovës 1998-1999 hapur në Prishtinë etj. Nuk është puna për një dorë gëlqerë për të lyer lapidarët e dëshmorëve, por për një rilindje shpirtërore dhe morale ndaj vlerave të lirisë. Rinia e sotme, vajzat e shkollave, pasarelave, ekraneve duhet t’i njohin Ganimetet dhe Margaritat e historisë sonë, krahas gjithë grave të tjera martire shqiptare.

Nuk janë vetëm veteranët dhe pasardhësit e tyre që kanë “ekskluzivitetin” e përkujtimit të Luftës, dëshmorëve, por në radhë të parë lipset të jetë nderimi shtetëror, kombëtar, pa drojen se po shkruam për “ata”, do të na kundërvihen “këta”, duke na etiketuar kështu e ashtu. Historia nuk është shilarës, me të cilin mund të kolovitesh andej - këndej, si një lojë fëmijësh....

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat