E keqja vjen prej atij që të njeh, jo prej atij që nuk të njeh!

Opinione

E keqja vjen prej atij që të njeh, jo prej atij që nuk të njeh!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 9 maj 2024 Në ora: 08:01
Enver Bytyci, foto ilustrim nga "Bota sot"

Keni vënë re që e keqja njerëzve u vjen prej të njohurve dhe jo prej të panjohurve. Ai që të njeh i di dobësitë tua dhe peshon interesat e veta para sesa të të bëjë keq. Kjo po i ndodh edhe Kosovës me refuzimin për ta vënë në rend dite pranimin e saj në Këshillin e Evropës. Pra, Kosova nuk është në axhendën e datës 17 maj për t’u pranuar në Këshillin e Evropës. Kjo, sepse Fuqitë e Mëdha nuk pranuan të kalojë vendimi i Asamblesë Parlamentare të këtij Këshilli për shkak se kryeministri i Kosovës refuzoi krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Në fakt nuk pranoi që pakoja e marrëveshjes së Brukselit të copëzohet në interes të palës serbe dhe që kalendari i Aneksit të Ohrit të ndryshojë. Pra, sepse Albin Kurti i përmbahet Marrëveshjes së shkurtit dhe aneksit të marsit 2023. Nga e gjithë kjo histori qytetari ka të drejtë të dijë disa të vërteta:

1. E vërteta më e madhe ka të bëjë me faktin se disa Fuqi Perëndimore nuk e mbajnë fjalën. Në krye të tyre janë Franca dhe SHBA-të. Ndërsa Gjermania është shndërruar në vagon të lokomotivës franceze. Italia e Melonit të refugjatëve që i sjell në tokën arbërore jo e jo! Ajo dëshiron benefite politike nga kjo tokë, por nga ana tjetër e dhunon atë edhe politikisht dhe në integritetin e saj.

Kjo e vërtetë ishte e pranishme prej kohësh. Pra, problemi nuk ka qenë dhe nuk është te vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën. Kam shkruar herë të tjera se këto vende do ta kishin njohur atë me kohë, nëse do të donin Uashingtoni, Parisi e Berlini. Por nuk ka ndodhur, sepse këto kryeqytete nuk duan që Kosova të ketë lirinë e pavarësinë e plotë të saj. E duan si karem për ta marrë Serbinë në strukturat euro-atlantike. Kur Fuqitë e Mëdha heqin dorë nga fjala që japin, atëherë besimi shkërmoqet me vendet e vogla. Po u shkërmoq besimi, nuk ka më as marrëdhënie miqësie. Ky është ligj i përgjithshëm i zhvillimit në shoqërinë njerëzore. Lidhjet midis njerëzve, shteteve e kombeve ruhen sa kohë që ka besim midis tyre. Më pas ato fillojnë e zbehen, më pas rrënohen plotësisht. Kjo do të ndodh edhe me Kosovën. Mund të vijë dita e të mos bëjë punë më miti i çlirimit të saj nga miqtë amerikanë e evropiane. Sepse nëse ajo u çlirua për t’u rikthyer nën Serbinë ose për ta shpërblyer atë me territore të Kosovës, atëherë ky lloj “çlirimi” shndërrohet në skllavëri!

2. Kam shkruar dje dhe kam thënë se fajtor kryesor i humbjes së betejës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama! Ai nuk foli asnjë fjalë gjatë gjithë kësaj kohe prej më shumë se një muaj, sepse ishte në pritje të këtij dështimi të Kosovës për t’u pranuar në KiE!

Ne e kemi në kujtesë thirrjen që ai i pati bërë KiE-së para më shumë se një viti që ta pranojnë Kosovën në këtë Këshill. Madje atëherë pati “dhënë urdhër”: Pranojeni menjëherë! Por mesa duket asokohe i duhej të hiqej paksa patriot shqiptar e për një moment të hiqte dorë nga patriotizmi pro-serb. Më pas u thirr në Paris. Vetëm pak orë pas Aleksandër Vuçiq kryeministri i Shqipërisë takoi presidentin francez, Macron. U morën vesh që të punojnë së bashku për ta kushtëzuar Kosovën me Asociacionin para se ajo të pranohej në Këshillin e Europës. Macron e përdori dakordësinë e Ramës për këtë me qëllim që ta bindë edhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz. I tha kancelarit se për këtë është dakord edhe Shqipëria. Kësisoj u bënë të katër bashkë, Macron, Vuçiq, Edi Rama dhe Olaf Scholz. Amerikani Escobar ishte aktiv kundër pranimit të Kosovës në Këshill. U krijua një front armiqësor i strukturuar kundër Kosovës. Kush përpiqet të thotë të kundërtën, ai është shurdh e qorr! Pra, edhe Shqipëria që e ka njohur Kosovën si shtet në kohën e Ramiz Alisë, ka heq dorë nga njohja e saj! Llafet thuhen ndryshe. Por detyra ime është të analizoj veprat! Veprat e Fuqive kryesore Evropiane, veç Britanisë së Madhe, veprat e Uashingtonit ku dikton Sorosi dhe veprat e sorosistëve kudo në botë, përfshirë dhe Edi Ramën, thonë se këta nuk e duan tashmë shtetin e Kosovës. Dikur thoshin se Kosova është fajtore, sepse ka korrupsion e krim të organizuar. Tani, edhe pse Kosova është demokraci model i rajonit, sërishmi thonë JOOOOOO!

3. Për ta ndëshkuar Kosovën vendet që e kanë njohur atë nuk i përmbahen marrëveshjes që vetë e sponsorizuan. Kur u nënshkrua marrëveshja e Brukselit në shkurt 2023, u tha se ajo ishte e sponsorizuar nga Franca dhe Gjermania. Kurti e pranoi menjëherë. Kërkoi nënshkrimin e saj. Ka pranuar edhe ngritjen e Asociacionit, por në procesin e zbatimit të plotë të asaj marrëveshjeje.

Tani Franca dhe Gjermania bëjnë të kundërtën. Edhe pse Aleksandër Vuçiq nuk e nënshkroi atë. Edhe pse kryeministrja e Serbisë shkroi letër për BE-në dhe e hodhi poshtë atë marrëveshje, Serbia vazhdon të përkëdhelet. Për hatër të presidentit serb Kosova nuk do të jetë në rend dite në Komitetin e Ministrave të KiE-së. Se mos zemrohet ai, Kosova duhet të paguajë çmimin e të qenit jashtë kësaj organizate. Kjo sjellje e Gjermanisë në mënyrë të çuditshme dhe e Francës në mënyrë të natyrshme, na bën me dije se shqiptarët duhet të luftojnë sërishmi për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e tyre.

Serbia kërcënon Perëndimin me luftë në Ballkan. Pse shqiptarët të mos bëjnë të njëjtën gjë, derisa kjo po funksionon me Serbinë?! E di se shumë shqiptarë do thonë “nuk e duam luftën”! Por ka shumë më tepër serbë, sesa shqiptarë, të cilët nuk e duan luftën. E megjithatë kreu i shtetit të Serbisë kërcënon me luftë. Dhe ai nuk do të heq dorë asnjëherë nga ky kërcënim, derisa shteti i Kosovës të mos marrë më frymë. Çfarë duhet të bëjmë? Të shkojmë si delja e plagosur pas ujkut Serbi?! Jo! Duhet të bëhemi bashkë! Të qërojmë hesapet me tradhtarët brenda nesh dhe të fillojmë e kërcënojmë edhe ne me luftë. Jo për të pushtuar ndonjë territor të huaj. Për të mbrojtur territorin e shtetit të Kosovës! Nuk shoh mundësi tjetër që ata që e kanë njohur Kosovën juridikisht ta njohin atë edhe praktikisht!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat