Refuzimi i Kurtit për kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE me formimin e AKS-së, është vendimi më i qëlluar që kur ai e mori postin e kryeministrit!

Opinione

Refuzimi i Kurtit për kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE me formimin e AKS-së, është vendimi më i qëlluar që kur ai e mori postin e kryeministrit!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 9 maj 2024 Në ora: 19:22
Rexhep Elezaj

Mbase, ka disa muaj që në prononcimet e mia publike kam propozuar, që pala kosovare duhet ta ndërpres, ose ta suspendojë pa tjetër dialogun me Serbinë, gjë të cilën e kam thënë, duke marrë parasysh pikërisht qëndrimet negative të disa shteteve anëtare të BE-së ndaj Kosovës, në rend të parë dhe para së gjithash, për shkak të paaftësisë të zyrtarëve të saj, gjegjësisht të ndërmjetësuesit të saj në dialogun Kosovë-Seri, M. Lajçak, që procesin e dialogut ta përmbyllin, së paku, me normalizim të raporteve midis dy shteteve, në mos të detyrimit të Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës..!?

Me një fjalë, BE-ja si monitoruese dhe udhëheqëse e dialogut Kosovë-Serbi, është bërë e qartë, se nuk ka arritur ta realizon as njërin dhe as tjetrën synim për 11 vite, andaj ndërprerja e dialogut me Serbinë, ose suspendimi i tij i përkohshëm nga ana e qeverisë së Kosovës, do duhej të kishte ndodhur menjëherë pas sulmit terrorist serb në Banjskë me 24 shtator 2023, para së gjithash, si përgjigje ndaj neglizhencës së Brukselit zyrtar ndaj interesave të Kosovës, si dhe të mos arritjes së asnjë rezultati konkret në këtë dialog të neveritshëm dhe të stërzgjatur për Kosovën.

Ngase, me vajtje-ardhje të pa asnjë sukses në Bruksel, Berlin, Paris, Mynih, Ohër, Athinë, etj., duke mos e bërë as hapin më të vogël për arritjen, e të ashtuquajturës Marrëveshjeje të përgjithshme, të obligueshme juridikisht si dhe gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, e cila (marrëveshja) në vend se të përmbyllej me sukses, ajo pas dhjetëra e dhjetëra takimeve, bisedimeve dhe takimeve të kota, është më larg arritjes, se sa kur ka filluar dialogu para 11 viteve..!?

Ndërsa, dakordimi mes Kosovës dhe Serbisë rreth disa çështjeve me karakter puro teknik, siç ishin tabelat e automjeteve, njohja e dokumenteve dhe diplomave, etj., në fakt nuk paraqisnin kurrfarë rezultati politik brenda dialogut, gjë të cilën e dinte shumë mirë pala serbe, e cila, duke taktizuar dhe manovruar me zyrtarët e BE-së, qëllim kryesor kishte dhe ende ka, prolongimin sa më gjatë të dialogut me Kosovën, duke e mashtruar dhe lozur me BE-në sikur macja me miun, për të fituar sa më shumë në kohë, por edhe për ta mjelë maksimalisht në aspektin financiar Evropën naive (sic!) me premtime të rreme, se gjoja Serbia është në rrugën evropiane të integrimit, e që ishte dhe është një gënjeshtër e gjallë, ngase siç dihet ajo as që e ka lëshuar ndonjëherë rrugën e saj me Rusinë dhe vëllain siamez, V. Putinin.

Prandaj, duke pasur parasysh “dashurinë” si dhe ledhatimin e BE-së ndaj Serbisë fashiste, si një arbitër politik dhe ushtarak në Ballkanin perëndimorë, mbase edhe si interlokutor mes Evropës dhe Putinit, për ta shpëtuar atë nga rreziku ruso-kinez, e gjithë kjo idilë serbo-evropiane, nuk ka mundur të përfundojë ndryshe, veçse me dështimin e dialogut Kosovë-Serbi..!?

Unë e di mirë, se disa analistë do thonë, se ndërprerja e dialogut me Serbinë nuk do të ishte hap i mirë për Kosovën dhe interesat e saj drejt integrimeve në BE, se një akt i tillë do ta izolonte Kosovën nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, se një gjë e tillë do ishte më shumë e dëmshme se sa e dobishme për Kosovën, etj., por këtu nuk duhet harruar kurrë faktin, se instrument i diplomacisë së një vendi sovran është edhe largimi nga dialogu, sabotimi i ndonjë konference ndërkombëtare, injorimi i kërkesave të faktorëve ndërkombëtarë, kur ato janë në shpërputhje me interesat kombëtare të shqiptarëve, etj., siç është tani kushtëzimi i anëtarësimit të saj në KiE me formimin e AKS-së, të cilin, me shumë të drejtë e ka refuzuar kryeministri Albin Kurti, vendim të cilin duhet përkrahur unanimisht të gjitha subjektet politike në Kosovë, pozitë dhe opozitë, pa asnjë dallim.

Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, është projekt madhor i miqve tanë amerikan në Ballkan dhe Evropë, është subjekt ndërkombëtar i pranuar nga më shumë se gjysma e vendeve të botës, ka një popull autokton dhe i zoti i vetvetes, qoftë me numër të banorëve, qoftë me potencialet e saja ekonomike, kulturore dhe sportive. Është një shtet me vete, me të cilin askush nuk mund të luan me fatin dhe të ardhmen e tij, është pjesë integrale e kontinentit të Evropës, të cilin nuk mund ta injorojë më askush në botë, më së paku BE-ja dhe shtetet anëtare të saj. Kaq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat