Në një kohë të trazuar për Kosovën ku përplasjet pozitë-opozitë degjenerojnë deri në fyerje dhe akuza për tradhëti, kryesisht lidhur me dialogun dhe raportet me Serbinë dhe aleatët tanë, një lajm vjen nga Berlini.
Konkretisht, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, pasi ka zhvilluar një takim me Sekretarin gjerman të Shtetit për Çështje Federale, Evropiane dhe Ndërkombëtare, Florian Hauer, në landin e Berlinit; ka njoftuar se një rrugë në Berlin do të emërohet me emrin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.
Ky njoftim shpërfaq rëmdësinë, peshën e madhe të presidentit Rugova, njeriut që bëri epokë.
Në arenën politike, në diplomaci Rugova është dhe mbetet politikani shqiptar më i madh në histori, krahas Skënderbeut rreshtohet edhe emri i tij. Disa mendojnë se Skënderbeu ishte vetëm luftëtar, por jo ishte edhe diplomat dhe udhëheqës i aleancës anti otomane.
Aktualisht, Kosova vuan mungesën e Rugovës në moment të saj krucial të kushtëzimit me Asociacion dhe bllokimit të pritshëm për anëtarësi. Urtësia, vizioni dhe vendosmëria e tij në këtë kohë do i shërbenin shumë Kosovës.
Larg politika ditore për konsum të brendshëm, Ibrahim Rugova edhe sot kujtohet dhe nderohet nga të gjithë, siç thotë populli "buka e tij ende po na mban". Politikanët e Kosovës e kanë të trasuar rrugën e suksesit në raportin e jashtëm, vetëm duhet të ndjekin rrugën e presidentit Rugova. Emri i tij është kodi që hap dyert e botës, andaj të vazhdohet kjo rrugë si e vetmja rrugë e suksesit.
Rruga në Berlin me emrin e presidentit historik të Kosovës është dëshmi e madhështisë dhe nderimit të emrit të tij dhe Kosovës që pashmangshëm lidhen tog me njëra tjetrën, si dy pjesë që plotësojnë njëra tjetrën.