Shqipëria e filipinasve?! Jo! Është koha e fundit kur vendosim ne dhe jo Edi Rama!

Opinione

Shqipëria e filipinasve?! Jo! Është koha e fundit kur vendosim ne dhe jo Edi Rama!

Nga: Prof.Dr. Enver Bytyçi Më: 14 maj 2024 Në ora: 11:11
Autori Prof. Dr. Enver Bytyçi

Kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama, pas manifestimit patriotik të Athinës, iu rikthye veprave anti-kombëtare të tij të pashmangshme. Deklaroi me mburrje se do të sjellë Filipinas për të zevendësuar shqiptarët, që ai vetë me politikat e tij anti-shqiptare të tipit të Çubrilloviçit i ka përzënë nga Shqipëria. Politikat demografike janë alfa e punës e çdo qeverie në botë, sepse shteti bazohet në dy elementë të patjetërsueshëm: - Territorin dhe popullsinë. Një territor i zbrazët nuk quhet komb, nuk ka as shtet. Një popullsi pa territor është një komunitet pa identitet. Nëse p.sh në Kosovë nuk do të jetonin shqiptarët, por serbët, atëherë nuk do të kishte as Rambuje, as Grup Kontakti, as bombardime të NATO-s kundër Serbisë, as çlirim të Kosovës (12 qershor 1999), as pavarësi të Kosovës (17 shkurt 2008), pra as shtet dhe institucione të një Kosovë të pavarur.

Nëse Shqipëria do të ishte e banuar me filipinas, sot nuk do të kishim një personalitet të flamurit, si Ismail Qemali, as një Isa Boletin që ta puthte flamurin shqiptar. Por mbas 112 viteve shtet i pavarur, në sajë të politikave anti-kombëtare të Edi Ramës ia arritëm edhe kësaj ditë. – Sot qeveria shqiptare i zëvendëson shqiptarët në vendin e vet me filipinas, me indianë dhe aziatikë të tjerë. Ndërkohë shqiptarët duhet të dinë se edhe marrëveshja me Melonin për ngritjen e kampeve të refugjatëve fillimisht në Lëzhë e në Shëngjin dhe më vonë në të gjithë veriun e Shqipërisë, është pjesë e programit politik të kryeministrit të Shqipërisë për ta zhbërë kombin shqiptar. Fillimisht veriun e vendit, atë pjesë ku familja, tradita dhe kombi vlerësohen më shumë se kudo.

Parimi: - T’ia nisim nga e vështira, për ta lehtësuar punën më pas në jug të Shqipërisë. Manifestimi i Athinës të dielën e shkuar ishte më së paku preludi i kësaj maskarade anti-kombëtare të kryeministrit shqiptar. Ishte maska e përpjekjeve për shpopullimin e Shqipërisë nga shqiptarët dhe zëvendësimin e tyre me filipinas dhe raca të tjera të globit. Kjo është arsyeja pse në Athinë politika, media dhe madje opinioni publik ishin të qetë dhe të patrazuar për “trazovaçin”, Edi Rama. Me siguri që ata janë lajmëruar për konspiracionin e atij manifestimi për të fshehur veprën e shpopullimit të Shqipërisë. Ndërsa Beogradi bën festë për këtë vepër anti-shqiptare të pashembullt në histori të Edi Ramës. Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët i kanë rezistuar përpjekjeve për shpopullim gjatë mijëra vjeçarëve e sidomos nga mesjeta e deri më sot.

U përpoqën serbët e Stefan Dushanit ta ndryshojnë hartën politike në favor të asaj perandorie. Madje ata u ndërruan emrat toponimeve shqiptare deri në Bistricën e Sarandës, Çorovodën e Skraparit e Novoselën e Vlorës, por nuk ia arritën ta asimilojnë elementin shqiptar në këto territore. U përpoqën shumë armiq të tjerë, veçmas dhe sërishmi serbët, që ta asimilojnë Kosovën dhe trevat e tjera në ish-Jugosllavi, por nuk ia arritën dot. Ish-kryeministri më jetëgjatë i Serbisë dhe Jugosllavisë, Nikolla Pashiç, thoshte më 1913 se “Ne do të përpiqemi që shqiptarët t’i asimilojmë. Nëse nuk do të duan të asimilohen, atëherë ne do t’i dëbojmë. Dhe nëse nuk do të duan të dëbohen, atëherë ne do t’i asgjësojmë”! Ndërkohë që asimilimi dhe dëbimi janë pjesë e politikave të asgjësimit asgjësimi. Këtë po bën Edi Rama. Ai nuk ka nevojë t’i asgjësojë shqiptarë. Po asgjëson shqiptarinë.

Të njëjtën gjë planifikoi në memorandumin e tij të 7 marsit 1937 akademiku serb, Vasa Çubrilloviç. Në atë memorandum janë shprehur të gjitha aspektet e programit serb të shpopullimit të Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare nga elementi shqiptar. Madje thuhet se duke i paguar politikanët shqiptarë në Tiranë, mundet që në këto përpjekje të shpopullimit të marrin pjesë edhe ata. A është Edi Rama ai që bën pjesë në grupin e shqiptarëve, për të cilët Vasa Çubrilloviç besonte se, duke i paguar do të bëhen pjesë e shpopullimit të trojeve shqiptare nga shqiptarët?!

Me përgjegjësinë e një njeriu që kupton efektet e tmerrshme të shkombëtarizimit të kësaj politike, i bëj thirrje çdo shqiptari që më së pari të refuzojë e të sakrifikojë, për të mosu larguar nga Shqipëria, së paku derisa të kalojë ky rrezik i tmerrshëm për kombin tonë. Ndërkohë dua të ve në dukje se është koha e fundit, kur mund ta shpëtojmë Shqipërinë nga një bandë dhe nga një bandit anti-shqiptar si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama! Ngrihuni, mos rrini asnjë minutë! Mos bëni gjumë të rehatshëm, sepse nesër nuk do të kemi asgjë tonën, as atdhe, as familje, as integritet, dinjitet, as emër dhe personalitet. Do të shndërrohemi në qenie, të cilat thjesht marrin frymë dhe e shumta mund t’i gëzohemi thjesht valëvitjes së flamurit shqiptar, por asgjë më shumë! Ngrihuni dhe nëse Edi Rama refuzon të ikë e të na lerë të qetë në atdheun tonë, atëherë ta përzënë me çdo mjet. Atdheu dhe kombi vlejnë miliona herë më shumë se çdo njëri prej nesh, më shumë edhe se kryeministri i Shqipërisë, në rastin e sotëm, Edi Rama!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat