25 vite pritje, shpresë e mallëngjim përvëlues për Mr. Ukshin Hotin

Opinione

25 vite pritje, shpresë e mallëngjim përvëlues për Mr. Ukshin Hotin

Nga: Rexhep Torte Më: 16 maj 2024 Në ora: 12:50
Autori Rexhep Torte

SHBA dhe BE, së bashku me udhëheqësit e Kosovës, duhet të këmbëngulin për të detyruar Serbinë gjenocidale të hapë arkivat e luftës për të zbuluar të vërtetën.

Ishte një ditë e diel, më 16 maj 1999, kur Z. Ukshin Hoti u lirua nga burgu i Dubravës pasi kishte përfunduar dënimin e tij, por çuditërisht humbi gjurmët e tij. SHBA dhe BE kanë një detyrim moral, njerëzor dhe demokratik për ta detyruar Serbinë gjenocidale të zbardhë fatin e Z. Ukshin Hotit dhe të të pagjeturve të tjerë që u rrëmbyen në Kosovë.

Kujtoj si sot, kur Z. Ukshin Hoti si një mik i ngushtë më tregonte për një rast interesant gjatë vizitës së tij në Indi si udhëheqës i Departamentit të ish-Jugosllavisë me botën e jashtme. Siç më tregonte Ukshini, duke shëtitur nëpër parkun e Rezidencës në Indi, nikoqiri i tij i tha, "Z. Ukshin, provoje të mbërthejësh këtë dru të kësaj peme me dy krahë, sepse sjell fat njeriut." Ukshini, me shtatgjatësinë e tij, arriti ta mbërthejë këtë dru përmes krahëve të tij të gjatë, duke përfituar duartrokitjet e të pranishmëve. Të shpresojmë që Zoti i Madhërishëm ta shndërrojë këtë rast në një mrekulli dhe që Ukshini të kthehet shëndosh dhe mirë nga arrestimi dhe izolimi në Serbi.

Udhëheqësit aktualë janë të paimtërsuar për fatin e Z. Ukshin Hotit dhe të të tjerëve të pagjetur. Është tradhti kombëtare dhe njerëzore, turp kombëtar dhe njerëzor, dhe mëkat i madh ndaj Zotit të Madhërishëm mosangazhimi i udhëheqësve aktualë në Kosovë. Ata në 22 vitet e kaluara të lirisë dhe pavarësisë nuk kanë bërë asgjë për zbardhjen e fatit të Z. Ukshin Hotit dhe të të tjerëve të pagjetur shqiptarë. Udhëheqësit aktualë në Kosovë janë bërë milionerë të pasluftës, duke shfrytëzuar dhe dëmtuar Kosovën dhe popullin e saj në brendësi dhe ndërkombëtarisht.

Qeveria e Albin Kurtit duhet urgjentisht të ndërprese shkollat e parave që paguajnë taksapaguesit e Kosovës për avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të akuzuarve të tjerë për vrasje për pushtet. Këto miliona euro duhet të shkojnë te Komisioni qeveritar për të pagjeturit dhe te Shoqatat për të pagjeturit në Kosovë. Pjesa e këtyre parave mund të shfrytëzohet edhe për të angazhuar ekspertë dhe avokatë ndërkombëtarë për të përgatitur padinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Serbisë gjenocidale për gjenocidin në Kosovë.

Me këto para, Komisioni qeveritar për të pagjeturit dhe Shoqatat për të pagjeturit do të mund të angazhojnë avokatë të shquar ndërkombëtarë që do të gjejnë mënyra për zbardhjen e fatit të Z. Ukshin Hotit dhe të më shumë se 1650 të tjerëve shqiptarë që Serbia i rrëmbeu në Kosovë.

Këtë duhet ta bëjnë sa më parë, pasi tashmë kanë kaluar 25 vite nga agresioni gjenocidal i Serbisë në Kosovë dhe Serbia gjenocidale nuk është ndëshkuar ende. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli akuzohen se janë bërë milionerë pas luftës, duke shfrytëzuar popullin e Kosovës. Ata nuk u mjaftuan me kaq, por para se të arrestoheshin në Hagë, hapën edhe xhirollogarinë e tyre në Luksemburg për t'u pasuruar edhe më shumë. Kur një pjesëtar i familjes Thaçi është në krye të makinës së narkos, atëherë i tërë klanët e drogës janë në qeveri dhe në Kosovë.

Ne si shoqëri e civilizuar duhet të ndëshkojmë kriminelët në Kosovë, duke filluar nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët janë akuzuar me 100% se kanë organizuar dhe kryer vrasje për pushtet. të njerëzve të pafajshëm në Kosovë. Ne si shoqëri e civilizuar duhet të kërkojmë zbardhjen e fatit të Z. Ukshin Hotit dhe të të gjithë të tjerëve të pagjetur shqiptarë në Kosovë. Zoti i Madhërishëm do të na ndihmojë të gjejmë përgjigjen dhe të nxjerrë të vërtetën.

Për lirimin e Z. Ukshin Hotit nga burgu, SHBA, BE, KE, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe organizatat tjera për të drejtat dhe liritë e njeriut dështuan me indiferencën dhe heshtjen e tyre pa precedent. Z. Ukshin Hoti ishte një personalitet i arsimuar, i njohur, i shquar dhe i dëshmuar për demokraci dhe liri.

Për lirimin e tij nga burgu, edhe shteti amë Shqipëria mbajti një heshtje totale. Në kohën e qeverisë së Meksit, në vitin 1993, Z. Ukshin Hoti kërkoi që Shqipëria t'i jepë dy shtetësinë, gjë që çuditërisht u refuzua.

Z. Ukshin Hoti, edhe përmes motrës së tij Myrvete Kasumi, arriti të nxjerrë nga burgu dhe të botohen në "Zëri i Kosovës", "Gazeta Shqiptare" dhe "Rilindja", si dhe në shumë tekste tjera që zgjuan interesim të madh te lexuesit.

Gjithashtu, Z. Ukshin Hoti ka botuar dy libra analitikë shkencorë: "Lufta e ftohtë e detanti" dhe "Filozofia politike e çështjes shqiptare".

Unë u njoha me Z. Ukshin Hotin për herë të parë në vitin 1969 në Beograd, ku ai punonte në LSPPJ në Departamentin për marrëdhënie me botën e Jashtme dhe ishte caktuar të mbajë ligjerata për punëtorët shqiptarë që jetonin dhe punonin në Beograd lidhur me amendamentet e propozuara për ndryshimin e Kushtetutës në ish-Jugosllavi.

Ai ishte një personalitet i guximshëm dhe i qartë, që para të pranishmëve thoshte, "Nëse popullata shqiptare në Kosovë dhe në tërë Jugosllavinë nuk trajtohet në mënyrë të barabartë si popujt e tjerë, atëherë Jugosllavia do t'i ketë shqiptarët thikë në shpinë". Me Ukshin Hotin takohesha shpesh dhe bisedonim për shumë çështje të shqiptarëve, dhe për të gjitha këto çështje kishim një mendje. Kështu u bëmë shokë besnikë.

Ai njihet bukur me anglishten, gjermanishten dhe frëngjishten dhe kohën e lirë e kalonte duke lexuar libra të ndryshëm.

Një ditë më informoi se do të shkonte në Angola si mysafir i Agostino Netos, udhëheqësit të kryengritjes "Frelimo", për çka mori disa vaksina kundër pickimit të mushkonjave, kafshimit të gjarpërinjve dhe infeksioneve të ndryshme.

Më vonë, Z. Ukshin Hoti në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd mbrojti më mënyrë brilante temën e magjistraturës "Faktori kimez në marrëdhëniet SHBA-Rusi" para komisionit të udhehqur nga profesori i shquar Pribiçeviq.

Ne mbetëm shokë të ngushtë. Unë e vizitoja familjen e tij në Krushë të Madhe dhe Ukshini e vizitonte familjen time në Dibër. Një herë në Dibër e solli për vizitë edhe vëllanë e tij Ragipin, i cili më vonë ra dëshmor si ushtar i UÇK-së.

Në verën e vitit 2000, në Dibër erdhën edhe Fatimja - nëna e Ukshinit, Myrvetja - motra e Ukshinit, Nexhat Fetoshi - nipi i Ukshinit dhe gjermania Erika Nerad-Rukolli - ish-deputete në Parlamentin Evropian.

Ardhja e tyre në Dibër ishte nxitur nga rrëfimi i mjekes Hannelore H. Dietrich, shoqes së Erikës që merrej me mjekimin e njerëzve me anë të bioenergjisë. Ajo kishte treguar se gjatë terapisë që i bën me pacientët i paraqitet silueta e Z. Ukshin Hotit, sikur është izoluar në një shtëpi buzë liqenit dhe që e ruajnë persona të armatosur, dhe se çdo mëngjes aty pari kalon edhe një kope me dele.

Me këtë rast, disa ditë kontrolluam brigjet e liqenit të Dibrës, Strugës dhe Ohrit, por për fat të keq nuk gjetëm asnjë gjurmë.

Disa të dhëna për jetën dhe veprimtarinë e Z. Ukshin Hotit janë:

Ka kryer Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb dhe është magjistruar në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.

Ka kryer specializimet në universitetet e SHBA-ve në Çikago, Harvard, Kembrizh-Boston dhe Vashington.

Ka qenë i vetmi person i zgjedhur për përfaqësimin e tërë specializantëve dhe studentëve pasuniversitarë nga Evropa në SHBA.

Ka punuar në detyra politike dhe arsimore në Kosovë si ligjerues në Fakultetin Juridik-drejtimi juridik-diplomatik dhe sekretar në Sekretariatin për marrëdhënie me Botën e Jashtme në KE dhe në Kuvendin e Kosovës, si edhe në institucionet federative për marrëdhënie me Botën e Jashtme.

Në nëntor të vitit 1981, u vu hapur në mbrojtje për demonstratat studentore në Prishtinë, duke iu kundërvënë Prof. Hajredin Hoxhës. Pas kësaj u arrestua dhe dënoi me 9 vite burg, që më vonë Gjykata Supreme e uli dënimin në 3 vite e gjysmë.

Për veprimtarinë e tij të frytshme dhe politikën e bashkimit kombëtar, ai u vu nën hetim dhe u dënuar nga Serbia. Pas shqiptimit të një dënimi të rëndë, pavarësisht mungesës së fakteve, u arrestua dhe dënoi përsëri me 5 vite burg, duke shpallur se "Mr. Ukshin Hoti, megjithatë, nuk është i marrë që të merret me se unë ia kam shqiptuar dënimin", që jep të kuptojmë se çdo gjë ka qenë e dirigjuar nga Qeveria e Serbisë.

Letra e hapur ndërkombëtarëve për gjetjen dhe lirimin e Z. Ukshin Hotit

Në datën 10 janar 2000, babai im, Haki Torte, një njeri 97-vjeçar nga Dibra, dërgoi një letër publike te personalitetet ndërkombëtare si Presidenti Bill Clinton i SHBA-ve, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan, Presidenti Tony Blair i Mbretërisë së Bashkuar, Këshilli i Europës, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe organizatat për të drejtat dhe liritë e njeriut, për të kërkuar ndihmë në gjetjen dhe lirimin e Z. Ukshin Hotit dhe të të burgosurve shqiptarë të tjerë nga Kosova.

Në këtë letër publike, Haki Torte përshkroi vuajtjet e popullit shqiptar dhe përjetimet e tij personale nga dhuna serbe, duke përfshirë eksodin nga Dibra në Tiranë gjatë viteve 1912-1920 dhe agresionin gjenocidal në Kosovë në vitet 1998/1999. Ai shprehu indinjatën e tij për trajtimin e padrejtë që po përjetonin të burgosurit shqiptarë, duke përfshirë Z. Ukshin Hotin, i cili ishte një mik personal i tij dhe një figurë që ai respektoi shumë.

Haki Torte shprehu brengën e tij për fatin e Z. Ukshin Hotit dhe të të burgosurve të tjerë, duke kërkuar përkushtimin e komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar në gjetjen dhe lirimin e tyre. Ai u lut për një angazhim të ri dhe të gjithanshëm për të zbardhur fatin e të burgosurve shqiptarë dhe për të sjellë drejtësi për ta.

Letra mbyllet me një lutje për shëndet dhe sukses për ata që janë të angazhuar në këtë çështje të rëndësishme. Megjithatë, ajo përmend edhe vdekjen e Haki Tortes në janar të vitit 2001, e cila ndodhi pa zbardhur fatin e Z. Ukshin Hotit, duke e lënë atë dhe komunitetin me një dëshirë të madhe për drejtësi dhe për të zbardhur të vërtetën.

Letra e Haki Tortes është një thirrje për bashkëpunim dhe solidaritet ndërkombëtar për një çështje njerëzore të rëndësishme. Ajo përfaqëson shpresën dhe dëshirën për drejtësi dhe liri për të gjithë, duke thirrur për angazhim të përbashkët për të zbardhur fatin e të burgosurve shqiptarë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat