Lajmi që erdhi nga qendrat e vendosjes të Bashkimit Evropian, të përkrahura edhe nga diplomatët amerikanë për bllokimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, është lajmi më i keq dhe shumë zhgënjyes për popullin e Kosovës. Kësaj gjendjeje i kontribuan disa faktorë determinues diplomatikë, të cilët përmes formave më të ndryshme ndikuan që çështja e Kosovës për t'u pranuar në Këshillin e Evropës të ketë disa kushte. Duhet të jemi të sinqertë dhe të vetëdijshëm se në vazhdimësi, integrimin e Kosovës në mekanizmat e organizatave ndërkombëtare e ka penguar dhe po e pengon Serbia me të gjitha forcat diplomatike kombëtare dhe ndërkombëtare.
Lobimi i Aleksandër Vuçiqit, vizita e tij në Francë që ndodhi para ca ditësh dhe takimi me Presidentin Francez Macron ishte pengesa e parë për ta penguar Kosovën në Këshillin e Evropës. Këtij procesi dhe shumë proceseve të tjera integruese për Kosovën i kanë penguar edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili është bërë përçarësi kryesor i faktorit politik shqiptar në të gjitha trojet shqiptare. Ky matrapaz kontravers ishte përkrahës i Vuçiqit dhe Serbisë për Ballkanin e Hapur duke e lënë Kosovën në geto. Edi Rama ishte lobuesi konspirativ për shkëmbimin e territorit me Serbinë në dëm të Kosovës.
Edi Rama në të gjitha takimet zyrtare diplomatike dhe ato jo zyrtare që i pati me përfaqësuesit e institucioneve të shteteve të fuqishme të Bashkimit Evropian prapa perdeve loboi kundër institucioneve të Kosovës për t'i ngopur epshet e tij karrieriste të sëmura me plotë patologji duke synuar veten si mbret i shqiptarëve. Kjo u vërtetua edhe para ca ditësh kur Federata e Futbollit të Shqipërisë ju bashkua federatës së futbollit të Serbisë për ta organizuar kampionatin e ardhshëm në futboll. Shou politik të cilin e organizoi Edi Rama në Greqi duke luajtur me ndjenjat e mërgatës shqiptare, përmes kartës së “patriotizmit folklorik” duke i dëmtuar raportet me Greqinë në dëm të Kosovës, nuk do koment. Kjo ndodhi pas raportit të Komisaries Bakoyannis e cila e dha dritën e gjelbër për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Nuk ka dyshim se rrugën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës e penguan edhe partitë politike në Kosovë të cilat nuk arritën të krijojnë unitet për një konsensus politik për çështjen e Asociacionit i cili është bërë mollë sherri për sigurinë e Ballkanit. Nga ky dështim nuk mund t'i ikin përgjegjësisë morale dhe politike disa mediume informative private të cilat me vite po e helmojnë opinionin me debate të kota dhe të dëmshme sensacionale në dëm të audiencës.
Andaj përgjegjësinë për dështimet tona të përditshme që nga paslufta në të gjitha sferat e jetës e mban politika e çakorduar, e paaftë, pa invencion dhe strategji, pa vizion dhe pa përvojë që i ndodhi Republikës së Kosovës. Nga përgjegjësia morale, njerëzore dhe intelektuale nuk mund t'i ikin aspak shtresa e ashtuquajtur intelektuale shqiptare në Kosovë dhe më gjerë, e cila është strukur dhe jeton në heshtje të mjerueshme. Andaj nuk mund të pritet më shumë nga institucionet e tanishme të Kosovës të cilat edhe kështu po dëshmohet se u mungon përvoja politike, profesionale dhe diplomatike për t'u përballur me rrethanat aktuale të politikës globale në botë. “Nuk mbahet kurbani ditën e Bajramit”.