Rexhep Torte kërkon: Macron, Scholz dhe Meloni, hiqeni mëkatin ndaj Kosovës se do ju bie kokës

Opinione

Rexhep Torte kërkon: Macron, Scholz dhe Meloni, hiqeni mëkatin ndaj Kosovës se do ju bie kokës

Nga: Rexhep Torte Më: 20 maj 2024 Në ora: 11:31
Autori Rexhep Torte

Ju, Emmanuel Macron - president i Francës, Olaf Scholz - kancelar i Gjermanisë dhe Georgia Meloni - kryeministre e Italisë, më 17 maj 2024 me arrogancë, kryeneçësi, arbitraritet dhe pa asfarë etike njerëzore e penguat Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, duke imponuar padrejtësisht që Kosova të themelojë edhe Asociacionin serb, që për Kosovën paraqet rrezikshmëri për sovranitetin e shtetit. Këtë kusht shtesë të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e bëtë për ta kënaqur dhe favorizuar Serbinë gjenocidale dhe hegjemoniste.

Po ju rikujtoj se ju dhe tërë udhëheqësit të ngjashëm me ju, para Zotit Krijues nuk peshoni as sa edhe një pikë uji në oqean dhe as sa një fije floku. Më 19 maj 2024 lexova informacionet se Francën, Gjermaninë dhe Italinë i ka kapluar një mot i lig me shira rrebesh, me erëra të furishme me shpejtësi 200 km në orë dhe me përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje dheu.

Dashë Zoti të mos ketë viktima në njerëz. Macron, Scholz dhe Meloni, tani po ju pyes pse nuk arritët t’i pengonit këto shira rrebesh, këto erëra të furishme, këto përmbytje të rrezikshme dhe këto rrëshqitje dheu, siç e penguat ditë më parë Kosovën paqedashëse dhe viktimë të agresionit gjenocidal serb, Kosovën pro SHBA, pro BE dhe pro NATO, që të mos bëhet anëtare e Këshillit të Evropës?! Ky është vetëm një paralajmërim nga Zoti Krijues për ju, është një këmbanë e fuqishme që ta korrigjoni mëkatin që ia bëtë qëllimisht Kosovës, se do ju bie kokës.

Pa mendoni njëherë me mendje të kthjellët, sa të pafuqishëm ishit që t’i pengoni këto shira rrebeshë, këto erëra të furishme, këto përmbytje të rrezikshme dhe këto rrëshqitje dheu që ndodhën në shtetet tuaja. Mendoni me mendje të kthjellët sa të pafuqishëm do të jeni, sikur juve apo familjet tuaja t’u godasë ndonjë tragjedi apo sëmundje e rëndë?!

Unë me tërë qenien time besoj dhe e frikësohem Zotit Krijues dhe kjo nuk më lejon të mendoj që dikujt t’i shkaktoj as edhe më të voglën padrejtësi apo të keqe. Besimi në Zotin Krijues më jep fuqi dhe qetësi të jashtëzakonshme shpirtërore në jetën time që po e jetoj si gazetar i moshës 78 vjeçe. Kujtojeni Zotin para se ta dëmtoni Kosovën e shenjtë dhe të njomur ndër shekuj me gjakun e shqiptarëve.

Rexhep Torte - gazetar dhe opinionist 20 maj 2024

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat