Kush e ndihmoi Enver Sekiraqën të arratiset, a ka gisht dikush nga gjykata?

Opinione

Kush e ndihmoi Enver Sekiraqën të arratiset, a ka gisht dikush nga gjykata?

Nga: Faton Mehmeti Më: 21 maj 2024 Në ora: 15:28
Autori Faton Mehmeti

Ka disa ditë që policia e Kosovës nuk e gjen të kërkuarin Enver Sekiraqa në adresën e tij të vendbanimit. Kështu që, e ka shpallur person në kërkim. I dënuar së fundmi me 25 vjet burg për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza, Sekiraqa, i njohur nga organet e drejtësisë si problematik, iku nga drejtësia pa asnjë therrë në këmbë.

A duhet të japë dikush nga sistemi i drejtësisë përgjegjësi për arratisjen e tij? Si mundi të arratisej Sekiraqa? Pse nuk iu bllokua pasaporta dhe pse nuk iu ndalua dalja nga Kosova derisa ishte në shqyrtim vendimi i lirimit të tij?

Nuk mund të ishte arratisur nëse do të ishin zbatuar në plotëni rregullat që duhen në raste të tilla. Faktikisht, Enver Sekiraqa nuk është rasti i parë; njësoj kishte ndodhur edhe me ish-kryetarin e Kaçanikut, Xhabir Zharkun. Njerëz të tillë janë produkt edhe i drejtësisë, i këtij sistemi të kalbur që veç drejtësi nuk prodhon.

Është shumë e sigurt se kurrë Sekiraqa nuk do të mund të ishte arratisur pa ndihmën, pa informimin paraprak nga dikush brenda drejtësisë për vendimin e Apelit me dënimin 25 vjet burg.

Pa u bërë reforma të thella në drejtësi, s’mund të ketë drejtësi; rrjedhimisht, do të prodhojë zemërim te qytetarët. Ministrja e Drejtësisë duhet të bëjë reforma ose të largohet. Nuk mund të rrini në krye të drejtësisë së kalbur. Enver Sekiraqa edhe mund të arrestohet, por nuk e besoj.

Ai sigurisht ka dalë jashtë shtetit; gjithsesi, edhe nëse arrestohet, asgjë nuk e ndryshon faktin se sa e lehtë është të ikësh dhe sa jo stabil është ky sistem i drejtësisë që veç drejtësi nuk prodhon. Nuk do të mund të largohej pa ndihmën e dikujt nga vetë gjykata. E turpshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat