Edi Rama mashtron: - Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën!

Opinione

Edi Rama mashtron: - Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 21 maj 2024 Në ora: 22:13
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë ka dhënë një intervistë për një gazetë-portal të Hashim Thaçit në Kosovë dhe ka shpjeguar se çfarë do të bënte ai në raport me dialogun me Serbinë, nëse do të ishte kryeministër i Kosovës. Do të zbatoja të gjitha detyrimet që vijnë nga Marrëveshja e Brukselit dhe më pas përgjegjësia t’i mbetej Serbisë, thotë zoti Rama.  Pra do ta krijonte asociacionin e komunave me shumicë serbe, edhe pse Beogradi nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur e sovran! Intriga e kësaj deklarate është sërishmi në funksion të realizimit të skenarëve serbë. Nëse Kosova formon asociacionin, siç thotë Rama dhe Serbia nuk e njeh Kosovën, atëherë veprimet serbe për ndarjen e Kosovës bëhen akoma më legjitime. Këtë kërkon të bëjë kryeministri i Shqipërisë!

Por nobelisti dhe diplomati i shquar, Martti Ahtisaari, ish presidenti prominent i Finlandës, në vitin 2007 kur hartoi dhe depozitoi në OKB planin e tij për mëvetësinë dhe pavarësinë e Kosovës, thoshte ndryshe. Asokohe nobelisti i shquar parashikoi i bindur se “Serbia nuk do ta njohë asnjëherë Kosovën”! Megjithatë Martti Ahtisaari ishte i aftë ta gjente “zgjidhjen e arte”, ndaj nuk rekomandoi kurrfarë asociacioni. Ai hartoi planin e shkëputjes së Kosovës nga Serbia me fokus trajtimin me respekt dhe dinjitet të minoriteteve, veçmas atij serb në Kosovë. Në planin e tij i dha këtij minoriteti aq shumë të drejta, sa nuk i ka sot asnjë pakicë etnike në asnjë vend të Bashkimit Evropian. Karakteristika e atij plani është harmonizimi i të drejtave të shumicës me ato të pakicës, me shumë element të diskriminimit pozitiv të pakicës.

Serbia nuk u pajtua me këtë plan. E kundërshtoi me të gjitha mjetet e forcat pavarësinë e Kosovës. Hartoi projekte post-Ahtisaari të pafundme, me qëllim që të zhbëjë shtetësinë e Kosovës. Loboi fort në vendet perëndimore dhe në Tiranën zyrtare! Nuk la gur pa lëvizur, me qëllim që ta rikthejë procesin në pikën zero. Për fatin e mirë të Kosovës dhe fatin e keq të vetë Serbisë, Beogradi e çoi çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e cila më 22 korrik 2010 shpalli vendimin e saj, duke thënë se “Pavarësia e Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me rezolutën 1244”! Vetëm Edi Rama nuk e di këtë fakt!

Por edhe pas kësaj politika dhe diplomacia serbe nuk pushoi së vepruari. Lobingjet dhe interesat serbo-ruse bënë që në vitin 2011, përmes një rezolute të OKB-së, të kërkohej rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi, i kamufluar me çështjet teknike. Ky dialog shpejt doli nga shinat e teknikës dhe u adresua te çeshtjet politike. Nuk u kufizua me zgjerimin e të drejtave të pakicës serbe në Kosovë, por shkoi te e drejta e Serbisë mbi Kosovën. Pra dialogu filloi ta kërcënojë shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kësaj skeme i shërbeu ngritja e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Presioni që iu bë Kosovës për këtë ishte i jashtëzakonshëm. Nga miqtë e saj. Kërkojeni dhe deklaratën e Ramës, ku kërcënon lidershipin e Kosovës duke i kërkuar me çdo kusht ngritjen e  kësaj gjykate. Tani qahet e bërtet se kjo ishte padrejtësi!

Se çfarë prodhoi dialogu i rinisur dhe Gjykata Speciale, e dimë të gjithë. Dialogu prodhoi përpjekjen për krijimin e Jugosllavisë së Re. Ky projekt i Serbisë vazhdon të marrë jetë edhe sot. Minishengeni ose Open Ballkan ishte sërishmi iniciativë serbe e krijimit të Jugosllavisë së Re, brenda së cilës do të përfshihej edhe Shqipëria. Lideri global i Tiranës dha miratimin e tij për këtë projekt, madje e konsideroi veten si bashkëthemelues të iniciativës serbe. Megjithatë ideja e Jugosllavisë së Re u ndërpre për më shumë se dy vite (2018-2020) me projektin e ndarjes së Kosovës. Në këtë rast ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai që mburrej për realizimin e këtij projekti. Ndërkohë iniciatorët ishin Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama. Por të qenit protagonist është sëmundja më e rrezikshme e politikanëve shqiptarë.

Ndërsa, ditë më parë Rama thoshte se “Kosova nuk e ka me Serbinë dialogun. Këtë ua kam thënë të gjithë udhëheqësve tuaj. Kosova e ka dialogun me BE-në”. Truk më bizar se ky nuk mund të gjendet. Duke thënë këtë, kryeministri i Shqipërisë përpiqet ta kundërvejë edhe më tej Kosovën me Bashkimin Evropian dhe SHBA-të. Ky është tani objektivi i tij! Ta paraqesë Kosovën si delen e zezë në raport me Serbinë dhe të vazhdojë ritualin e rehabilitimit të Beogradit dhe Aleksandër Vuçiq. “Bëji ti detyrat tua dhe pastaj le mos t’i bëjë Serbia të vetat”! Logjika: - Krijoje asociacionin, edhe pa njohjen e Serbisë dhe pastaj lufto për ta ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tënd”!

Ndërkaq Aleksandër Vulin, njeriu i Vladimir Putin pranë Aleksandër Vuçiq, një ditë më parë deklaronte se zgjedhjet lokale të përsëritura në Beograd e gjetkë janë zgjedhje “për të mos hequr dorë nga RS, janë zgjedhje për të drejtën tonë dhe vendim për të mos njohur kurrë shtetin e rremë të Kosovës”.

Edi Rama mashtron, Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën. E vërteta është ajo që thoshte Martti Ahtisaari, jo kjo që thotë kryeministri i Shqipërisë! Zgjohuni dhe kuptoni se djalli fle e zgjohet edhe në Tiranë sa i përket rrënimit të shtetësisë së Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat