Nëpërkës serbe nuk iu shtyp koka në kohën e duhur

Opinione

Nëpërkës serbe nuk iu shtyp koka në kohën e duhur

Nga: Eshref Ymeri Më: 22 maj 2024 Në ora: 07:01
Eshref Ymeri

“Shqiptarët janë mendjelehtë”, Gregori Xhonson

Ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Republika e Dardanisë vazhdon të mbajë mbi shpinë peshën e rëndë të marrëveshjeve që kryetradhtari Thaçi, me bandën e tij, patën nënshkruar me Serbinë fashiste në Bruksel për varrosjen e interesave të popullit dardan. Të gjithë shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare, në mbarë trojet tona etnike, patën shpresuar shumë se pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosja më 14 shkurt 2021, pesha e rëndë e marrëveshjeve tradhtare të Thaçit do të flakej me neveri në koshin e mbeturinave. Por, për fatin e keq të mbarë kombit shqiptar, Lëvizja Vetëvendosja nuk e ndërmori kurrë një hap të tillë. Por edhe më i çuditshëm dhe më i pabesueshëm është qëndrimi i Kryeministrit Albin Kurti, i cili, kur ishte në opozitë, pati deklaruar publikisht se me Serbinë nuk do të ketë kurrfarë dialogu pa njohje reciproke. Për habinë e të gjithëve, kur mori postin e kryeministrit, e hëngri fjalën, nuk e mbajti premtimin për çështjen e dialogut: pranoi të ulet në bsedime me Serbinë fashiste. Ky qëndrim i tij i pashpjegueshëm e ka ulur dhe vazhdon ta ulë gjithmonë e më poshtë autoritetin e Republikës së Dardanisë, e cila, konkretisht, nuk gëzon pavarësi dhe sovranitet faktik.

Do të dëshironim me gjithë zemër që Albin Kurti, sapo mori postin e kryeministrit pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, të kishte pasur si busull orientimi politik shprehjen e shkëlqyer aforistike të mendimtarit, personalitetit politik dhe filozofit Nikolo Makiaveli (Niccolò Machiavelli - 1469-1527), i cili ka thënë: gjithmonë është më i zgjuar, më i vendosur dhe më i arsyeshëm, sesa kryeshtetari”.

Rrjedha e mëvonshme e ngjarjeve vërtetoi katërcipërisht se sa aktuale vazhdon të tingëllojë deklarata e ish Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Gregori Xhonson, e cila ka një domethënie të thellë për historinë e mbarë kombit shqiptar.

Në një informacion, të botuar në internet dymbëdhjet vjet më parë, thuhet se autoritetet e Shkupit zyrtar, “... më 13 gusht të vitit 2001 u detyruan ta nënshkruajnë Marrëveshjen e Ohrit, nën presion të forcave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të cilat nga Haraçina po përgatiteshin të hynin në Shkup. Dihet, po ashtu, se asokohe, në Shkup kishte shkuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, admirali Gregori Xhonson, dhe i kishte bindur autoritetet e Qeverisë së Shkupit se nuk mund ta fitonin luftën kundër shqiptarëve, por mund ta ruanin shtetin e tyre, nëse do të nënshkruanin një marrëveshje, e cila do t’ i joshte shqiptarët mendjelehtë dhe do të ruhej status quoja edhe për një kohë të gjatë në këtë shtet të krijuar si Republikë jugosllave në vitin 1945” (Citohet sipas: Ahmet Qeriqi: “I robëruari nuk ka çka humb në luftë, përveç këmishës së zezë të robërisë”. Faqja e internetit “Radio Kosova e Lirë”. 21 tetor 2012).

Është sa e çuditshme, aq edhe e pabesueshme se si është e mundur që Kryeministri Albin Kurti (çka e kam theksuar edhe disa herë të tjera në internet) nuk organizoi Referendum mbarëpopullor për të vjelë mendimin e opinionit publik lidhur me marrëveshjet që kryetradhtari Thaçi, në mirëkuptim të ngushtë me tradhtarë të tillë, si Isa Mustafa, Kadri Veseli, Edita Tahiri, Jakup Krasniqi, Enver Hoxhaj etj., pati nënshkruar me Serbinë fashiste në Bruksel. Jam i bindur që vota e mbarë opinionit publik do të ishte tërësisht në përkrahje të Kryeministrit Albin Kurti, kundër atyre marrëveshjeve dhe për flakjen e tyre në koshin e plehrave të tradhtisë thaçiste. Të gjitha ato marrëveshje, sidomos ajo për krijimin e bashkësisë së komunave serbe, e kanë shndërruar Republikën e Dardanisë në një qyqare të mjerë që ka mbetur pa zot.

Çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare, duhet të jetë plotësisht i vetëdijshëm se Republika e Dardanisë ndodhet para tradhtisë së madhe nga ana e atyre ndërkombëtarëve perëndimorë, të cilët, krahas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Dardanisë, dhanë një kontribut të madh për çlirimin e saj nga zgjedha shekullore e bishës fashiste serbe. Por duhet pasur parasysh se “gjella” e asaj tradhtie pati filluar të gatuhej që pas mbarimit të luftës, në qershor të vitit 1999, pikërisht me negociatat NATO-UÇK për demilitarizimin e UÇK-së. Ato negociata kanë qenë një akt sa i turpshëm, aq edhe poshtërues për Dardaninë. Sepse, për shkak të tradhtisë që iu bë Dardanisë, nuk u vu në jetë po ajo strategji që u zbatua kundër Gjermanisë fashisto-naziste në pranverën e vitit 1945, e cila, për shkak të krimeve të rënda që pati kryer që prej shtatorit të vitit 1939 kundër popujve të Evropës, u mposht ushtarakisht nga forcat aleate dhe u nda në katër zona pushtimi. Tradhtinë e ndërkombëtarëve perëndimorë ndaj Dardanisë e ka pasë vënë në dukje ish-Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanieri, i cili, para disa vjetësh, në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, pati deklaruar:

“… pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë” (Citohet sipas: Lamberto Zanieri. “Kosova ka mbetur në mes të rrugës”. Faqja e internetit “Radio Evropa e Lirë”. 16 prill 2011).

Të njëjtat krime barbare pati kryer edhe Serbia fashiste në vitet ’90 kundër disa popujve të gadishullit të Ballkanit, por forcat e NATO-s, pas përfundimit të bombardimeve, nuk e vazhduan luftën me trupa tokësore në territorin e Serbisë për ndarjen e saj në zona pushtimi. Përkundrazi, sipas Marrëveshjes së Kumanovës, të nënshkruar mes NATO-s dhe Beogradit më 09 qershor 1999, Dardania qe ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Ajo marrëveshje mes NATO-s dhe Beogradit ka qenë dhe mbetet sa befasuese, aq edhe paradoksale, sepse me një shtet agresor, të mposhtur ushtarakisht, nënshkruhen jo marrëveshje, por akte kapitullimi pa kushte, pikërisht si akti i kapitullimi të Gjermanisë naziste para aleatëve. Nëse Serbia fashiste do të qe pushtuar nga forcat tokësore të NATO-s dhe të qe ndarë në zona pushtimi, duke e demilitarizuar krejtësisht ushtrinë e saj, atëherë nepërkës serbe do t’i qe shtypur koka përfundimisht, ashtu siç i qe shtypur nepërkës gjermane në vitin 1945, dhe tani Dardania do të ishte një Republikë krejtësisht e pavarur dhe sovrane, pa pasur më kurrfarë shqetësimesh në kufijtë e saj veriorë. Gjatë bombardimeve të NATO-s, 80% të të cilave i kryen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nepërka serbe vrerin e vet e zbrazte kundër popullsisë civile të Dardanisë, ndërsa në territorin e vet rrinte kokëtulatur. Por pas mbarimit të luftës, filloi ta ngrinte kokën dhe në parlamentin e saj kaloi ligjin kushtetues, sipas të cilit Dardania konsiderohet pjesë e Serbisë.

Evropa perëndimore e stanit të brukselianëve, vazhduesja e traditës antishqiptare të asaj Evrope, të cilën Fishta i Madh e pati etiketuar ashtu siç e meritonte - kurva e motit, - pas shpalljes së pavarësisë së Dardanisë më 17 shkurt 2008, vazhoi përkujdesjet e veta për Serbinë fashiste. Në kuadrin e dialogut Dardani-Serbi, Evropa brukseliane, duke u pozicionuar qëllimisht kundër Republikës së Dardanisë, emëroi si ndërmjetës dy përfaqësues nga dy vende që nuk njohin pavarësinë e Kosovës - Borelin e Spanjës dhe Lajçakun e Sllovakisë. Ky qëndrim i Evropës brukseliane ishte sa i turpshëm, aq edhe i pabesë. Për fatkeqësinë tonë të rëndë kombëtare, asokohe në krye të Republikës së Dardanisë ishte kryetradhtari me damkë i saj me bandën e tij. Dihet që Hashim Thaçi ishte peshkuar me kohë nga shërbimi sekret francez për t’u vënë në shërbim të Serbisë fashiste. Prandaj ai dhe banda e tij i pranuan me kënaqësi dy emisarët brukselianë në shërbim të Begradit.

Me kalimin e viteve, ajo deklarata e cituar më lart e Lamberto Zanierit u vërtetua në praktikë edhe me shtimin e radhëve të bashkësisë ndërkombëtare në përkrahje të Serbisë fashiste. Madje në anën e saj u rendit edhe kandidati për president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp.

Në dhjetor të vitit 2015, i kapluar keq nga afshet e fushatës së ardhshme zgjedhore për postin e presidentit, ai shprehej se për të gjitha fatkeqësitë e Serbisë, fajin e paskej administrata e Klintonëve. Ai deklaronte:

“Pikërisht ata organizuan kaosin në Ballkan dhe në Kosovë. Shikoni se çfarë bënë ata në Serbi me bombardimet nga lartësi të mëdha. Për mua personalisht, bombardimi i serbëve është një turp i vërtetë. Ndërkohë, Klintonët këtë e vlerësojnë si një sukses të paparë. Kërkoj ndjesë para popullit serb për të gjitha gabimet e politikës amerikane. Në qoftë se unë do të vij në krye të Amerikës, atëherë ka për të ndryshuar kursi i politikës së jashtme, i cili deri tani shpeshherë ka qenë i gabuar” (Citohet sipas:“Trampi i kërkoi falje Serbisë… për Klintonët”. Faqja e internetit “stihiya.org”. 25 dhjetor 2015).

Në njërin nga emisionet e veta të muajit tetor 2016, “Zëri i Amerikës”, po ashtu, ka dhënë informacionin në vijim:

“Kandidati presidencial nga radhët e republikanëve në Shtetet e Bashkuara, Donald Tramp, u ka kërkuar ndjesë serbëve për bombardimet e NATO-s … Duke iu kërkuar falje serbëve për politikën amerikane e veçanërisht të presidentit Klinton, ai paralajmëroi që nëse bëhet president “do të forcojë lidhjet me qeverinë në Beograd...”” (Citohet sipas: “Donald Trump i kërkon ndjesë Serbisë për bombardimet e NATO-s”. Faqja e internetit “zëriamerikës”. 13 tetor 2016).

Trampi, paturpësisht, u kërkonte falje serbëve për bombardimet e NATO-s, sepse as që donte t’ia dinte absolutisht për krimet e tyre aq të rëndë kundër popullit dardan.

Dihet që Trampi, pasi u zjodh president, në qëndrimin ndaj Republikës së Dardanisë, për të kënaqur plotësisht interesat shoviniste të Moskës së Putinit dhe të Beogradit, fillimisht, si të dërguar special për Kosovën, pati emëruar këshilltarin e vet Xhon Bolton, armikun e pavarësisë së Kosovës. David L. Filips, Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Kolumbia në Nju York, njëherësh njohës i mirë i rrethanave politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka botuar sa e sa materiale në mbrojtje të shtetit të Dardanisë dhe përgjithësisht të shqiptarëve, për këtë këshilltar të Trampit, ka shkruar:

“Gjatë dhjetëvjeçarëve, Boltoni ka qenë i papërmbajtur në simpatinë e vet parësore ndaj Serbisë. Ai është në përkrahje të planit të tanishëm të Beogradit për ndarjen e Kosovës, në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi” (Citohet sipas: David L. Phillips. “Bolton's Bias Against Kosovo - Paragjykimet e Boltonit kundër Kosovës”. Faqja e internetit e gazetës “Dielli”. 18 shkurt 2019).

Pas Boltonit, Trampi emëroi Metju Palmerin, dhëndrin e Serbisë, i cili pati deklaruar se kur të dilte në pension, do të zhvendosej me banim në Serbi. Më në fund, siç themi ne në Labëri, Trampi “e shtiu në hi” (në kuptimin: e “ndriti” me atë që bëri), si të dërguar special emëroi Riçard Grenellin, një njeri të pamoralshëm dhe aspak dashamirës ndaj Dardanisë.

Ish-diplomati amerikan Xheims Perdju, njohës i mirë i Ballkanit, në një analizë të botuar në fillim të muajit maj 2020, shkruan:

“Ambasadorja amerikane në OKB, Suzan Rajs, e ka quajtur Grenellin “një nga njerëzit më të këqij, më të pandershëm që kam hasur ndonjëherë…”. Pse po mban Grenelli një qëndrim proserb në bisedime? Pse SHBA-të po destabilizojnë një vend proamerikan në një kohë kaq të ndjeshme? Diçka mban erë këtu. Si një luftëtar entuziast i dhënë pas Trampit, Grenelli mund të jetë thjesht duke u përpjekur me gjithë forcat për të kënaqur shefin e vet. Por dyshoj se këtu bëhet fjalë për diçka më shqetësuese, veçanërisht pas dyshimeve të thella që më mbeten për marrëdhënien mes Trampit dhe Vladimir Putinit. Unë dyshoj - pa pasur prova - se Putini i ka paraqitur Trampit pikëpamjet e tij proserbe, i ka theksuar se shqiptarët janë myslimanë dhe më pas i ka kërkuar Trampit ndihmë për negociatat. Ashtu si me emërimet e tjera të keqpeshuara, Trampi bëri shërbëtorin e tij besnik, agresivin dhe antagonistin Grenell, njeriun kyç në Kosovë. Kjo do të ishte një dhuratë e fituar lehtë për Putinin, i cili kënaqet kur shkakton telashe të çfarëdollojshme në Evropë” (Citohet sipas: Xheims Perdju,. “Vashingtoni ngatërrohet në Ballkan, ndërkohë që flakët e COVID-19 gllabërojnë botën”. Uebfaqja amerikane e lajmeve “The Hill”. 04 maj 2020).

David L. Fillips, me një guxim të admirueshëm intelektual, ka deklaruar:

“Presidenti Donald J. Tramp ka tradhtuar besimin e Kosovës në SHBA, duke mos mbështetur progresin e arritur përgjatë dekadave… Kam pasur nderin të punoja për Kosovën me Ambasadorin Riçard C. Hollbruk. Unë nuk mund të flas për të, por mund ta imagjinoj tmerrin për paragjykimet antishqiptare të Trampit… Trampi e ka tradhtuar Kosovën. Kur të votojnë në nëntor, shqiptaro-amerikanët duhet të kërkojnë ndryshimin e regjimit në Amerikë” (Citohet sipas: David L. Filips. “Trampi e tradhëtoi Kosovën”. Faqja e internetit “Front Online”.04 maj 2020).

Ndërsa në një tjetër analizë, ka theksuar:

“Diplomacia e Trampit dhe paragjykimi proserb ka qenë një dështim. Ajo çnderon mijëra shqiptarë të Kosovës që vdiqën për shkak të agresionit të Serbisë” (Citohet sipas: David L. Filips. “Administrata Tramp kërkon zgjidhje të shpejtë, por s’ka zgjidhje të tillë për krimet e Serbisë”. Faqja e internetit “Zëri”, 25 gusht 2020).

Shqiptarët me brumosje të shëndoshë nacionaliste në mbarë trojet tona etnike, patën besuar dhe shpresuar se ndryshimi i administratës në Vashington, me ardhjen në pushtet të partisë demokrate, formacionit politik të Bill Klintonit, do të mbahej një qëndrim krejt tjetër, fort dashamirës, jo vetën ndaj Republikës së Dardanisë, por edhe ndaj Republikës së Shqipërisë. Por nuk ndodhi kështu absolutisht. Në krye të Departamentit të Shtetit u emërua Antoni Blinken, njeriu i Sorosit, armikut të kombit shqiptar. Dhe cilat qenë pasojat?

Së pari, doli në pah përkrahja e fuqishme e përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit për kryeministrin Rama, kryetradhtarin e kombit shqiptar, i cili ka flirtuar dhe vazhdon të flirtojë me kryekriminelin Vuçiç për copëtimin e territorit të Republikës së Dardanisë. Shembullin më konkret të kësaj përkrahjeje e pati dhënë ish-ambasadorja Juri Kim, e cila, gjatë tërë mandatit të saj diplomatik në Tiranë, duke u reklamuar pranë Ramës dhe pjellës së tij Erion Veliaj, pati mbajtur të tilla qëndrime, sikur të ishte anëtare e asamblesë së partisë socialiste. Madje opozitën e pati kërcënuar me shprehjen e famshme të kohës së diktaturtës komuniste: “do të hani bar”.

Së dyti, gjatë vizitës së tij në Tiranë, Bill Klintoni (të cilit mbarë kombi shqiptar i është jashtëzakonisht mirënjohës për bombardimin e Serbisë fashiste në pranverën e vitit 1999), deklaroi:

“Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë që do të doja të mos kishte ndodhur kurrë! Nuk është më vendimi im, por kosovarët i krijuan ato katër qyteza në të mirë të serbëve, për t’u dhënë katër kryebashkiakë më tepër. Kështu që mendoj se tani kanë bërë një gabim, që të votohej. Mendoj se është e lehtë për shqiptarët, tani në shumicë, që të përpiqen që të përfitojnë nga momenti, për të paraqitur argumentin tyre, por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është ta ndalim këtë marrëzi” (Citohet sipas: “Tensionet në veri të Kosovës, Klinton mesazh Kurtit nga Tirana: T’i jepet fund kësaj marrëzie, zgjedhjet s’duhet të ishin zhvilluar”. Faqja e internetit e gazetës “Shqiptarja.com”. 03 korrik 2023).

Vallë nuk ishte i informuar Bill Klintoni që serbët në ato katër qyteza nuk i ndaloi Kryeministri Albin Kurti të merrnin pjesë në zgjedhje, por ishte kryekrimineli Vuçiç që i ndaloi. Prandaj thirrjen për “ndalimin e asaj marrëzie” Bill Klintoni duhej t’ia drejtonte kryekriminelit Vuçiç, jo Kryeministrit Albin Kurti. Dhe do të kishte qenë me shumë vend që Bill Klintoni, atë thirrje, të shkonte t’ia përplaste në fytyrë Vuçiçit në mes të Beogradit.

Së treti, gjatë vizitës së tij “fluturake në Tiranë, Sekretari i Departamentit të Shtetit Antony Blinken, e dëshmoi fare shkoqur se kishte ardhur me të vetmin qëllim, për të ngritur sa më lart kredinë e Ramës në sytë e opinionit publik shqiptar. Prandaj, pa e çarë kokën absolutisht për skandalin me Mcgonigalin dhe gjëmën që Rama kërkon t’i bëjë tash sa kohë Republikës së Dardanisë, për copëtimin e saj, në bashëpunim të ngushtë me kryekriminelin Vuçiç, duke sfiduar keq opozitën dhe të gjithë ata shqiptarë, të cilëve Rama u ka hedhur në qafë lakun e varfërisë, lëshoi një deklaratë skandaloze:

“Zoti kryeministër është jo vetëm udhëheqës i shkëlqyer, por kryeministër i mirë”. (Citohet sipas: “Blinken propagandë Ramës: Udhëheqës i shkëlqyer dhe kryeministër i mirë! U ka dhënë drita të bukura”. Faqja e internetit “Bold News”. 15 shkurt 2024).

Së katërti, ambasadorit amerikan në Republikën e Dardanisë Xhefri Hovenier, ka kohë që i ka zënë gjuha lesh për krijimin e një shteti serb brenda territorit të saj, të ashtuquajturës bashkësi e komunave serbe (asociacion).

Së pesti, ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer Hill, s’po lodhet së përsërituri se është koha për krijimin e bashkësisë së komunave serbe në Republikën e Dardanisë.

Së gjashti, i dërguari i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, i radhitur vendosmërisht në anën e Serbisë, para më shumë se një viti, pati deklaruar me një ton arrogant, sikur të ishte në shtëpinë e vet:

“Asociacioni është pjesë e propozimit evropian dhe detyrim, Kosova e ka kuptuar që duhet të bëhet”. (Faqja e internetit e gazetës “Shqiptarja.com”. 28 shkurt 2023).

Pra, Gabriel Eskobari, në harmoni të plotë me diplomatët e ish-administratës së Trampit në qëndrimin fort miqësor ndaj Serbisë, kërkonte me çdo kusht krijimin e bashkësisë së komunave serbe, pa e çarë kokën absolutisht për gjashtë kushtet e kryeministrit Albin Kurti, të renditura në vijim:

1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

2. Nuk mund te jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emri, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik.

3. Duhet të ketë reciprocitet të të drejtave, çfarëdo të drejta për serbët në Kosovë duhet të ketë edhe për shqiptarët në Serbi.

4. Para vendosjes së Asociacionit, duhet të shuhen strukturat ilegale në veri dhe armët ilegale duhet të dorëzohen.

5. Asociacioni mund të jetë pjesë e marrëveshjes finale vetëm pas njohjes reciproke, me ç’rast Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së.

6. Vuçiçi të tërheqë letrat e mosnjohjes që ka dërguar ndaj pesë shteteve të Bashkimit Evropian.

Të gjithë bashkëkombasit tanë në trojet e veta etnike, u gëzuan pa masë kur më 16 prill 2024, shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti raportin që rekomandonte anëtarësimin e Republikës së Dardanisë në këtë organizatë me seli në Strasburg. Anëtari i bandës kriminale të Beogradit, ministri i punëve të jashtme të Serbisë, faqeziu Ivica Daçiç, u shpreh se 16 prilli është “ditë e turpshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”” (Citohet sipas “Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështet anëtarësimin e Kosovës”. Faqja e internetit “Shqiptarja.com”. 16 prill 2024).

Fjalën e fundit për një anëtarësim të tillë, do ta jepte Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në mbledhjen e 16 majit 2024. Fatkeqësisht, Komiteti në fjalë, Republikën e Dardanisë nuk e përfshiu absolutisht në rendin e ditës, çka vihet në dyshim serioziteti i mbështetjes së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që rekomandonte anëtarësimin e Rerpublikës së Dardanisë në këtë organizatë. Injorimi i pahijshëm që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës i bëri Republikës së Dardanisë, dëshmon pa mëdyshjen më të vogël se Evropa brukseliane, në qëndrimin ndaj kombit shqiptar nuk ka hequr dorë absolutisht nga tradita antishqiptare e Evropës fishtiane.

Ja një reagim nga radhët e eurodeputetëve:

“Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka reaguar lidhur me mospërfshirjen e Kosovës në rendin e ditës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës. Në profilin e tij në “X”, eurodeputeti shkruan se shtetet anëtare të Këshillit të Evropës iu kanë përulur Serbisë, duke përmendur Gjermaninë, Italinë dhe Francën (Citohet sipas: “Eurodeputeti holandez: Shtetet anëtare të KiE-së iu përulën Serbisë”. Faqja e internetit e gazetës “Shqiptarja.com”. 18 maj 2024).

Për çfarë dëshmon toni arrogant i Gabriel Eskobarit, me fjalët “Asociacioni është pjesë e propozimit evropian dhe detyrim...?”.

Dëshmon për një të vërtetë tragjike për kombin shqiptar: vendimet për fatet e tij i kanë marrë dhe vazhdojnë t’i marrin gjithmonë të huajt dhe shqiptarët vetëm duhet t’i zbatojnë për rrudhosjen e përhershme të trojeve të tyre etnike, për të kënaqur epshet shoviniste të serbogrekëve.

Lind pyetja: ato vendime pse i kanë marrë dhe vazhdojnë t’i marrin vetëm të huajt?

Përgjigjen e gjejmë te bindja që kishte krijuar ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Gregori Xhonson, se shqiptarët janë mendjelehtë. Kjo nuk ishte bindja e tij personale. Ajo ishte reflektim i një gjykimi të konsoliduar të Perëndimit evropian për ne shqiptarët. Sepse terrenin për një gjykim të tillë ne e patëm krijuar vetë. Ne, së pari, në krahasim me shtetet fqinje, u shkëputëm të fundit nga errësira otomane, kur ajo kishte marrë tatëpjetën, dhe, së dyti, ai që quhet themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, e pati dëshmuar në praktikë që ishte kryemendjelehti i kombit shqiptar. Sepse, së bashku me dyzet firmëtarët, pasi firmosi shpalljen e pavarësisë, nuk lëshoi kushtrimin e menjëhershëm për ngritjen e popullit më këmbë, që nga Arta e Preveza e deri në Nish, për rrëmbimin e armëve dhe krijimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e trojeve tona etnike nga bisha serbogreke. Përkundrazi, duke marrë me vete Isa Boletinin dhe disa të tjerë, u ngrit e shkoi në Londër, për t’i lypur Eduard Greit, ministrit të jashtëm anglez, mbrojtjen e tokave tona nga ujqit evropianë, të cilët na i patën copëtuar e bërë çarçaf. Në vitin 1915, heroi i Dibrës dhe i mbarë kombit shqiptar, trimi legjendar Elez Isufi (1861-1924), i tha një leksion të shkëlqyer kryemendjelehtit Ismail Qemali dhe firmëtarëve të tij: lëshoi kushtrimin, ngriti më këmbë popullin dibran dhe lumin Drin i Zi e mbushi me kufoma ushtarësh serbë, çka edhe sot e kujtojnë me tmerr në Beograd. Po sikur Ismail Qemali me firmëtarët e tij të kishin lëshuar kushtrimin për mobilizimin e mbarë popullit, a mund të përfytyrohet se sa trima, si Elez Isufi, do të kishin dalë në skenën e historisë shqiptare?

Në këto kushte, kur diplomacia sorosiste amerikane dhe Evropa brukseliane janë bërë palë kundër Republikës së Dardanisë dhe ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi Kryeministrin Albin Kurti për krijimin e një shteti serb (të ashtuquajtur asociacion) brenda territorit të saj, është duke u vënë në provë vendosmëria e qeverisë dardane dhe mbështetja e saj mbarëpopullore. Tani është koha mëse vendimtare që Kryeministri Albin Kurti të vërë në zbatim premtimin parazgjedhor për ndërprerjen e çdolloj dialogu me Serbinë fashiste, si edhe me çdolloj ndërmjetësish të huaj, si Boreli, Eskobari dhe Lajçaku, të cilët janë rreshtuar tërësisht në krah të Serbisë, duke shprehur vendosmërinë e tyre kundër Republikës së Dardanisë.

Si adhurues dhe simpatizant mjaft i vendosur i popullit dardan, mendoj dhe propozoj shumë miqësisht që Kryeministri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, të kenë përherë parasysh shprehjen aforistike të Nikolo Makiavelit, të cituar më lart.

Me siguri që ata janë të bindur plotësisht se Departamenti i Shtetit, me sorosistin Blinken në krye, nuk është më Departamenti i kohës së Zonjës së Shquar Medlin Obrajt, e cila dallohej për karakterin e saj tepër të vendosur. Në një informacion, të botuar në internet para më shumë se dhjetë vjetësh, në të cilin bëhet fjalë për pragfillimin e bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, thuhet:

“Kur ministri i punëve të jashtme të Britanisë Robin Kuk, vetëm sa kishte arritur të thoshte se juristët e tij asnjëherë nuk do ta aprovojnë ultimatumin që i është paraqitur Beogradit dhe nuk do ta përkrahin planin e bombardimeve, Ollbrajti përgjigjen tashmë e kishte pasur në majë të gjuhës: “Pajtoni në punë juristë të tjerë!”. Ja kështu bëhet politika sipas mënyrës amerikane” (Citohet sipas: “Intervistë e gjeneralit rus Leonid Ivashov për revistën “Itogi”. Faqja e internetit “russmir.info”. 27 gusht 2010).

E kuptoj dëshpërimin dhe revoltën e thellë që po përjetojnë në heshtje tre udhëheqësit kryesorë të Republikës së Dardanisë dhe të gjithë vëllezërit tanë dardanë me vetëtije të lartë kombëtare, për shkak të tradhtisë së lartë të Ramës, si argat i pështirë i Beogradit. Diktatura komuniste e Tiranës dihet që ishte agjenturë e serbosllavizmit, prandaj rolin agjenturor kundër vëllezërve tanë dardanë e ka luajtur dhe vazhdon ta luajë deri tani trashëgimtarja e saj, partia neokomuniste e Tiranës me mantel socialist. Në periudhën mes viteve 1997 deri në vitin 2005, kjo parti ka qenë në pushtet. Pra, pikërisht në atë peridhë të fundviteve ’90 - 1997-1999, - kur bishat serbe po masakronin vëllezërit tanë në Dardani, dy kryeministrat neokomunistë, Fatos Nano dhe Pandeli Majko, luajtën rolin e tradhtarit Enver Hoxha në qëndrimin ndaj Dardanisë. Intelektuali i shquar ushtarak, kolonel Dilaver Goxhaj, i radhitur vullnetarisht në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Dardanisë, me detyrë zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm, më ka pasë rrëfyer se asokohe shteti shqiptar i Tiranës kishte të instaluar në veri të vendit 400 tanke, por nuk ndërmori kurrfarë hapi për të futur në Dardani qoftë edhe një tank të vetëm kundër bishave serbe. Prandaj popullit shqiptar të Dardanisë i duhet medoemos të bëhet mbështetje e fuqishme e treshes udhëheqëse, për t’i dalë zot vendit, kundër kryekriminelit Vuçiç dhe kundër kryetradhtarit Rama. Sot, për Republikën e Dardanisë, si kurrë ndonjëherë, kanë një tingëllim mjaft aktual vargjet e shkëlqyera të poetit Kolë Jakova (1916-2002), me një pështatje fare të vogël:

“Çka po thot’ Perlati? / Burra bahi gati / Se ka ardh sahati / T’i dalim vendit zot”.

Kaliforni, 20 maj 2024

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat