SHBA dhe BE e durojnë Serbinë ziliqare

Opinione

SHBA dhe BE e durojnë Serbinë ziliqare

Nga: Rexhep Torte Më: 22 maj 2024 Në ora: 10:59
Autori Rexhep Torte

Diplomatët amerikanë dhe evropianë s'do ta kuptojnë shpejt naivitetin e tyre se Serbia do të shkëputet nga Rusia e do t’i bashkangjitet Perëndimit. Këta diplomatë mendjelehtë, apo edhe të shitur te Rusia, nuk mund ta arsyetojnë veten kur Rusia do t'i bashkohet BRICS-it, bllokut të shteteve ku bëjnë pjesë Rusia, Kina, India, Koreja e Veriut, Afrika e Jugut dhe Brazili, të cilët janë kundërshtarët kryesorë të SHBA-ve dhe të BE-së.

Koha do të dëshmojë sa të padrejta dhe të papërgjegjshme janë veprimet e diplomacisë amerikane dhe evropiane ndaj Kosovës paqedashëse, që ka Kushtetutën më demokratike në Evropë, e cila u garanton të drejta dhe liri të barabarta të gjithë banorëve pa dallim feje dhe etnie.

Sa e padrejtë dhe skandaloze është këmbëngulësia e diplomacive të SHBA-ve dhe të BE-së që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që për Kosovën paraqet rrezikshmëri dhe fitil të ndezur për konflikte. Sa armiqësorë ndaj Kosovës janë ata që në vazhdimësi kërkojnë prej Kosovës të bëjë lëshime të dhimbshme, ndërsa Serbia gjenocidale tolerohet si ziliqare.

Gjarpri vritet në kokë, jo në bisht.

Koha do të dëshmojë sa të pavëmendshme u treguan SHBA-të dhe BE-ja, që misionin e tyre pas çlirimit të Kosovës nuk e realizuan gjer në fund, duke i lënë hapësirë Serbisë gjenocidale, e cila përkundër tërë vrasjeve, masakrimeve, dhunimeve, rrëmbimeve, eksodit dhe shkrumbimit të Kosovës në agresionin e viteve 1998/99, tani po ringjallet dhe po e kërcënon sërish pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Koha po dëshmon se SHBA dhe BE, gjatë sulmeve ajrore 78-ditore, është dashur ta gjunjëzonin tërësisht Serbinë gjenocidale, sepse, siç thotë populli, gjarpri vritet në kokë, jo duke ia këputur vetëm një pjesë të bishtit, sepse gjarpri e regjeneron bishtin.

SHBA dhe BE gabuan rëndë që nuk i arrestuan dhe burgosën të gjithë kriminelët serbë, duke mos përjashtuar edhe kriminelët Aleksandar Vuçiq dhe Ivica Daçiq, bashkëpunëtorët e ngushtë të kriminelit Slobodan Millosheviq, si edhe shumë kriminelë të tjerë që njihen me emër e mbiemër dhe që jetojnë të lirë në Serbinë gjenocidale dhe nxisin konflikte të reja. SHBA dhe BE gabuan rëndë duke lejuar që kontingjenti i Francës në përbërje të KFOR-it të vendosej në veri të Kosovës, gjë që rezultoi me vendosjen e kufirit te ura e Ibrit! SHBA dhe BE gabuan rëndë që i lejuan grupet e armatosura ilegale serbe t’i sulmonin shqiptarët e pafajshëm dhe autoktonë në Mitrovicën e veriut në shkurt të vitit 2000, me ç'rast vranë dhjetëra shqiptarë autoktonë e të pafajshëm, plagosën dhjetëra të tjerë dhe detyruan me dhunë të shpërngulen më shumë se 15 mijë shqiptarë, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk guxojnë të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre!

SHBA dhe BE gabuan rëndë që imponuan para gati 12 vitesh fillimin e dialogut gjoja teknik Kosovë-Serbi, i cili së shpejti për të favorizuar Serbinë gjenocidale u kthye në dialog politik, duke e tensionuar situatën në veri të Kosovës, gjë që u manifestua me forcimin e grupeve të armatosura ilegale serbe, me strukturat ilegale territoriale serbe, me “Ujqit e ruajtjes së urës së Ibrit” dhe me kontrabandën në veri të Kosovës.

BE gaboi rëndë duke caktuar udhëheqës të dialogut Kosovë-Serbi pro serbët Catherine Ashton, Federica Mogherini, Johannes Hahn dhe së fundmi edhe pro serbët Josep Borrell dhe Miroslav Lajčák, të cilët hapur janë vënë në krah të Serbisë gjenocidale kundër Kosovës viktimë.

SHBA gaboi rëndë duke caktuar emisarë për Ballkanin Perëndimor pro serbët John Bolton, Matthew Palmer, që e ka bashkëshorten serbe, duke caktuar emisarin pro serb Richard Grenell, emisarin autokrat pro serb Gabriel Escobar, i cili më shumë kujdesej t’ia organizonte bashkëshortes së tij ekspozitat në Serbi sesa që angazhohej në punën e tij si emisar në Ballkanin Perëndimor. E njëjta gjë është edhe me Antony Blinken, Sekretarin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, me ndihmësit e tij Derek Chollet dhe James O’Brien, pro serbë të kulluar, të cilët janë të prirur ta kritikojnë dhe kushtëzojnë Kosovën viktimë dhe nuk e kritikuan kurrë Serbinë gjenocidale, e cila është gjeneratore dhe nxitëse e të gjitha aktiviteteve luftënxitëse në veri të Kosovës.

SHBA dhe BE e dinë mirë se tensionet destabilizuese dhe sulmet terroriste në veri të Kosovës i organizon dhe financon Serbia, por bëhen të verbër e të shurdhër ndaj Serbisë. Kjo u dëshmua edhe me sulmin terrorist serb te Manastiri Ortodoks serb te Banjskës në Zveçan vitin që shkoi, ku policia e Kosovës konfiskoi një arsenal të madh armatimi dhe disa autoblinda serbe, por që as SHBA dhe as BE nuk e ndëshkuan dhe sanksionuan Serbinë, por padrejtësisht e sanksionuan Kosovën viktimë.

SHBA dhe BE, nëse ia duan të mirën Kosovës demokratike dhe nëse duan që të sigurojnë paqe në Ballkan, domosdo duhet që si emisarë në Ballkan të angazhojnë diplomatë dinjitozë, të drejtë e të guximshëm për ta detyruar Serbinë gjenocidale t’i respektojë BE-në, SHBA-të dhe NATO-n, duke i vendosur sanksione Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës dhe duke i kufizuar marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën. Rusia dhe Kina janë kundërshtarët kryesorë të SHBA-ve, BE-së dhe të NATO-s, ndërsa përkundër kësaj Serbia gjenocidale gjithnjë e më shumë po i forcon marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën. Më e keqja është se Serbia gjenocidale favorizohet dhe merr investime nga BE dhe SHBA, dhe blen armatime nga Rusia e Kina.

Serbia nuk e përfilli as letrën që ia dërgoi Presidenti Joe Biden.

Është iluzore të mendohet dhe të besohet që dialogu Kosovë-Serbi është një dialog i lehtësuar nga BE-ja, sepse faktet flasin tërësisht ndryshe. Joe Biden, Presidenti i SHBA-ve, vitin që shkoi u dërgoi letra autoriteteve në Kosovë dhe në Serbi që ta avancojnë dialogun Kosovë-Serbi duke e patur në qendër njohjen e ndërsjellë. Kjo letër inkurajuese e presidentit Joe Biden as nuk u përfill fare nga Serbia gjenocidale, por as nga Josep Borrell dhe Miroslav Lajčák, të cilët, të shtyrë nga serviliteti ndaj Serbisë gjenocidale, dialogut Kosovë-Serbi ia imponuan Planin Franko-Gjerman, i cili paraqet vetëm një farsë gjoja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por e ka hequr tërësisht njohjen de jure dhe de facto të Kosovës.

Më e keqja është se për të gjitha dështimet e dialogut, në vend që të fajësohet Serbia gjenocidale, e cila shantazhon dhe nuk përfill asgjë, fajësohet dhe sanksionohet Kosova demokratike pro SHBA, pro BE dhe pro NATO. Kosova, në zbatim të Kushtetutës dhe të ligjeve të saj, është duke vendosur rend në veri të Kosovës, dhe në vend që të mbështetet e ndihmohet në këtë drejtim, SHBA dhe BE e kritikojnë dhe i kërkojnë Kosovës që çdo veprim në veri të saj, qoftë mbi bazën kushtetuese e ligjore, duhet të koordinohet me partnerët SHBA dhe BE. Kjo vetëm e vetëm për ta kënaqur Serbinë gjenocidale!

Tashmë kanë kaluar 25 vite nga çlirimi i Kosovës dhe SHBA e BE kërkojnë nga Kosova të bëjë lëshime karshi Serbisë gjenocidale, lëshime që as SHBA dhe as BE nuk do t’i lejonin për shtetet e tyre, lëshime që e cënojnë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Shembulli i fundit është vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës që në Kosovë valuta kryesore të jetë vetëm euro, gjë që e ndalon dinarin serb të qarkullojë dhe të hyjë pa kontroll në Kosovë, duke i shkaktuar dëme ekonomisë së Kosovës dhe duke financuar grupet ilegale kriminale serbe në Kosovë. Policia dhe doganat e Kosovës më 20 maj 2024 zhvilluan një aksion policor në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, me ç’rast i mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë ku zhvilloheshin aktivitete financiare ilegale pa licencë dhe në kundërshtim me ligjin. Me këtë rast, policia e Kosovës konfiskoi 1 milion e 600 mijë euro, 74 milionë dinarë, mbi 19 mijë franga dhe rreth 14 mijë dollarë amerikanë dhe 40 dollarë australianë.

Departamenti Amerikan i Shtetit ndaj këtij aksioni policor në Kosovë reagoi duke thënë se, “Jemi të zhgënjyer që policia e Kosovës ndërmori aksion në zyrat financiare në veri të Kosovës pa u koordinuar me partnerët ndërkombëtarë gjë që përshkallëzon tensione”. Reagim të ngjashëm pati edhe nga BE-ja, e cila si gjithnjë thotë se “problemet duhet të zgjidhen vetëm përmes dialogut të lehtësuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, dialog të cilin Serbia po e shantazhon dhe nuk e përfill që nga fillimi, sepse qëllimi i saj i vetëm është ta gllabërojë veriun e Kosovës me minierat e Trepçës dhe me Liqenin e Ujmanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat