Arsyet pse Spanja njohu Palestinën janë standarde edhe për njohjen e Kosovës!

Opinione

Arsyet pse Spanja njohu Palestinën janë standarde edhe për njohjen e Kosovës!

Nga: Prof.Dr. Enver Bytyçi Më: 23 maj 2024 Në ora: 11:45
Autori Prof. Dr. Enver Bytyçi

Spanja e njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës. Dekada me radhë ajo kishte refuzuar njohjen e saj, edhe pse shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë, e kishin njohur atë. Palestina ishte shtet sovran dhe i pavarur, por pas vitit 1948 ngjarjet rrodhën ndryshe e shteti palestinez u shkërmoq. Kjo ishte kostoja e asaj që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Tani, pas shumë dekadash edhe Spanja e disa vende të tjera arritën në përfundimin se shteti i Palestinës duhet njohur. Dhe qeveria spanjolle dje shpalli vendimin e saj për njohje. Pse pikërisht tani? Pse në këtë moment kur në Gaza ushtria zraelite dhe kryeministri Netanjahu po kryejnë genocid kundër popullsisë së pambrojtur të Palestinës? Pra njohja lidhet drejtpërdrejt me krimet kundër njerëzimit dhe asgjësimin e kombit palestinez nga ana e ushtrisë dhe politikës izraelite. Nuk ka asnjë argument tjetër që e interpreton ndryshe këtë njohje. Qeveria spanjolle tha edhe se kjo njohje forcon paqen e stabilitetin në rajon.

Por krimet në Gaza janë argumenti kryesor pse Spanja njohu Palestinën dhe po ky argument shërben gjithashtu edhe për njohjen e Kosovës si shtet sovran e të pavarur. Qeveria konservatore e Madridit ishte aktive në pranverën e vitit 1999 për të ndërhyrë më trupa ushtarake në Kosovë dhe për çlirimin e saj prej sundimit, dhunës dhe terrorit të shtetit, ushtrisë dhe policisë së Serbisë. Spanja nuk pati asnjë dilemë për këtë, edhe pse pati vende ose politikanë nga vende të tilla si Italia, Greqia e Franca, të cilët punuan për të stopuar bombardimet e NATO-s kundër Serbisë. Të qenit aktiv i Spanjës asokohe lidhet pikërisht me gonocidin serb kundër shqiptarëve.

Edhe pas çlirimit të Kosovës, Spanja mbështeti të gjitha iniciativat që çuan në pavarësinë e Kosovës. Por papritmas, me shpalljen e pavarësisë, ajo u distancua nga qëndrimet e mëparshme dhe madje i forcoi lidhjet me Beogradin. Ka pak vite që qeveria e Madridit e ka zbutur qëndrimin e mëparshëm refraktar ndaj shtetësisë së Kosovës. Ka njohur pasaportat dhe dokumentet e tjera. Toleroi disa vendime në favor të Kosovës nga ana e BE-së. Po ashtu në KiE është treguar e matur e gati neutrale.

Qëndrimet e Spanjës ndaj Palestinës janë momenti kyç i rivlerësimit dhe rigjykimit të saj edhe për Kosovën. Spanja thotë se njohja e shtetit palestinez i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon. E njëjta gjë vlen edhe në rastin e Kosovës. Shteti i Kosovës është garanci e shtuar për stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit. Këto 25 vite, pas ndërhyrjes ushtarake të Aleancës dhe çlirimit të saj nga Serbia, e kanë dëshmuar plotësisht këtë të vërtetë. Dhe është logjike të thuhet se paqja dhe stabiliteti në Ballkan e forcimi i tij përmes njohjes së shtetit e pavarësisë së Kosoës është më jetik, sesa paqja dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme, veçmas për Europën.

Por kryesorja lidhet me atë që thashë në fillim. Kosova, ashtu si edhe Gaza sot, iu nënshtrua, sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX, një dhune e terrori të egër shtetëror, të cilin e ushtroi Serbia përmes një platforme dhe komande ushtarake e policore, me qëllim spastrimin etnik të Kosovës prej shqiptarëve dhe kolonizimit të saj me serbë. Masakrat, veprat kriminale të vrasjes së 1432 fëmijëve, vrasja e pleqve, grave, djemve dhe burrave të paarmatosur të Kosovës në turmë, përdhunimi i mbi 20 mijë vajzave dhe grave, djegja dhe shkatërrimi i objekteve të banimit, biznesit dhe të trashëgimisë kulturore e historike të shqiptarëve në Kosovë, të gjitha këto ishin akte genocidiale dhe krime kundër njerëzimit të parashikuara në ligjet ndërkombëtare. Mbi këtë bazë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli më 22 korrik 2010 pavarësinë e Kosovës si akt të pajtueshëm me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të 10 qershorit 1999.

Atëherë pse nuk u dashka që ky precedent genocidi i Serbisë në Kosovë të shërbejë për të drejtën e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës?! Pse për Palestinën vlen një kriter si ky, ndërsa për Kosovën nuk vleka?! Standardi i dyfishtë nuk e justifikon qëndrimin e qeverisë së Spanjës kundër njohjes së pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Në rastin e njohjes së Palestinës si shtet ka rënë gjithashtu alibia e krahasueshmërisë me problemin katalonjas dhe atë bask. Shtetet serioze i bazojnë politikat e tyre në parime e standarde të caktuara, ndaj dhe marrin vendime të thelluara e të studiuara me kujdes. Vendimi për njohjen e Palestinës është natyrisht i thelluar. Një vendim tjetër për njohjen e Kosovës është e do të ishte i tillë, si në rastin e Palestinës!

Të shpresojmë se qëndrimet spanjolle për shtetësinë e Kosovës do të përputhen me realitetin, me nevojën për paqe e stabilitet në Europë, me të drejtën e banorëve të Kosovës që të jenë të lirë nga dhuna e terrori serb, me nevojën e integrimeve rajonale dhe evropiane jo vetëm të Kosovës, por të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat