OKB miratoi Rezolutën mbi gjenocidin serb në Srebrenicë - dilema mbi këtë çështje!

Opinione

OKB miratoi Rezolutën mbi gjenocidin serb në Srebrenicë - dilema mbi këtë çështje!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 23 maj 2024 Në ora: 20:41
Rexhep Elezaj

Me shumicë të thjeshtë prej 84 votash, AP e OKB-së aprovoi Rezolutën mbi gjenocidin serb në Srebrenicë!

Mirëpo, që në fillim duhet nënvizuar faktin, se votimi i kësaj Rezolute me vetëm 84 vota pro, 68 abstenime dhe 19 vota kundër, është një numër mjaft zhgënjyes dhe i ulët, sidomos për pritjet e boshnjakëve dhe shqiptarëve, të cilët, duke qenë viktimat më të mëdha të gjenocidit, terrorit dhe masakrave të regjimit fashist dhe kriminel, të  kryera në vitet 1991 – 1999 me urdhër të kasapit të Ballkanit, S. Millosheviqit, të cilët, thënë realisht, kanë pritur që numri i vendeve që do votojnë pro kësaj Rezolutë do të jetë shumë më i madh se ky që doli nga votimi. Dhe kjo, duke marrë parasysh faktin se gjenocidi i kriminelëve serbë në Srebrenicë, ku vranë 8372 boshnjakë, është vlerësuar nga vetë Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Hagë, si akt gjenocidi.

Pra, votimi i sotëm në AP të OKB-së i Rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë, me numrin kaq të madh të vendeve që u përmbajtën gjatë votimit, mbase shtron pyetje dhe dilema, në rend të parë, për popujt e botës demokratike si dhe vendet e pazhvilluara të Afrikës dhe Azisë, e që flasin, se bota gjendet në një udhëkryq të madh, kur janë në pyetje interesat dhe të drejtat globale të njerëzimit, qoftë tek disa popuj në botën perëndimore, qoftë më shumë sosh në botën lindore-aziatike, dilema dhe të drejta, të cilat, sikur janë shndërruar në objekt dhe mjet për luftë në shërbim të qërim hesapesh mes disa vendeve të botës, viktimë e të cilave, si gjithherë, janë popujt e vegjël dhe të rreshtuar, kryesisht pas orientimeve ideologjike dhe interesave të oligarkisë dhe kastave udhëheqëse në shumë vende të botës, e që shihet qartë se janë shtete vasale ndaj njërit, apo bllokut tjetër dominues në botë.

Madje, votimi i sotëm në AP të OKB-së, tregoi qartë se bota dhe njerëzimi po rrëshqasin drejt bipolaritetit dhe ndarjeve të reja globale, politike dhe ekonomike, se vlerat e njeriut dhe të drejtat e tij po e humbin kuptimin e tyre natyror, duke u shndërruar në inerci dhe inteligjencë artificiale, gjë të cilën e tregon qartë edhe heshtja e tyre morbide ndaj gjenocidit që po ndodhë në Gaza të Palestinës që disa muaj. Që, në realitet, me votën e tyre përmbajtëse dhe kundër kësaj Rezolute me të cilën dënohet dhe përkujtohet gjenocidi i tmerrshëm në Srebrenicë ndaj boshnjakëve muslimanë në korrik të vitit 1995, flet bindshëm se tek disa popuj dhe vende në botë po vdes ana humane si dhe ndjenja njerëzore, se njeriu dhe jeta e tij është mbi çdo vlerë tjetër në këtë jetë.

Sido që të jetë, aprovimi i kësaj Rezolute, qoftë dhe me vota të thjeshta, krahasuar me numrin prej 193 shteteve anëtare të OKB-së, do i jep frymë dhe kahje të re përcaktimit njerëzor, se krimi dhe gjenocidi nuk mund të falën dhe as të harrohen kurrë, me shpresën se një ditë jo të largët do të dënohet edhe gjenocidi serb në Kosovë, i kryer ndaj 2 milion shqiptarëve me 1998/99, vetëm se ishin shqiptarë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat