Rama dhe opozita në Prishtinë - trashëgimtarë të tradhtisë së Enver Hoxhës

Opinione

Rama dhe opozita në Prishtinë - trashëgimtarë të tradhtisë së Enver Hoxhës

Nga: Eshref Ymeri Më: 25 maj 2024 Në ora: 07:11
Eshref Ymeri

Duke pasur parasysh sjelljen e pahijshme të Ramës në qëndrimin ndaj Kryeministrit Albin Kurti në Samitin e Kotorrit, në Mal të Zi, një zonjë e nderuar, gazetare nga Republika e Dardanisë, ka shtruar dy pyetje:

Pyetja e parë: Si komentohet sjellja e ftohtë e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e Kotorrit, dhe përqafimi i Ramës me Vuçiçin?

Pyetja e dytë: A është kjo një dëshmi e radhës për raportet vëllazërore Shqipëri-Serbi, kur dihet se Shqipëria nuk e përkrahu Kosovën as në sfidën e saj për anëtarësim në KiE?

Për këtë zonjë të nderuar, ashtu si edhe për çdo shqiptar me brumosje të admirueshme atdhtarizmi, qëndrimi i Ramës ndaj Kryeministrit Albin Kurti në Samitin e Kotorrit, ishte një njollë turpi në vetë ballin e Ramës, i cili përfaqëson faqen më të zezë të kombit shqiptar. Ajo skenë, e transmetuar në mjetet e informimit masiv, kur Rama, si një njeri pa kurrfarë edukate, i zhveshur kokë e këmbë nga çdolloj kodi moral, pa e lëvizur prapanicën absolutisht, për t’u çuar më këmbë, në shenjë respekti, për të përshëndetur Kryeministrin Albin Kurti kur hyri në atë mjedis në Kotorr, dëshmon pa mëdyshjen më të vogël se vendi ynë ka në krye një bërllok të mjedisit mbarëkombëtar, një surrogato, siç e theksoi me shumë të drejtë intelektuali i shquar, Prof.dr. Enver Bytyçi, në mitingun e demokratëve të datës 23 maj 2024 pranë pallatit, ku banon udhëheqësi i opozitës, Prof.dr. Sali Berisha.

Me atë qëndrim të turpshëm ndaj vëllait tonë të gjakut, Kryeministrit të Republikës së Dardanisë, Rama vërtetoi përsëri e përsëri se është pjellë e pështirë e kryetradhtarit Enver Hoxha, dobiçit politik të Dushan Mugoshës dhe të Miladin Popoviçit.

Edhe sikur Rama të ishte grindur keq, edhe sikur të ishte rrahur me Kryeministrin Albin Kurti, ai, si shqiptar, në prani të të huajve, nuk duhej ta reklamonte publikisht urrejtjen e tij për vëllain e gjakut tonë. Po Rama nuk është shqiptar, është vetëm shqipfolës, prandaj edhe nuk e njeh fare kodin moral të shqiptarit. Pikërisht në bazë të atij kodi, në Shqipen tonë Hyjnore është krijuar dhe përdoret prej shekujsh fjala e urtë “Hesapi i shtëpisë nuk del në pazar”. Për rrjedhojë, duke qenë vetëm shqipfolës, Rama ngrihet vërtik më këmbë dhe puthet e përputhet me Vuçiçin, si një dobiç politik i tij.

Kryetradhtarët e kombit shqiptar, në shërbim të serbosllavizmit, çuditërisht dhe jo rastësisht, kanë ngrënë çorbë franceze. Enver Hoxha qe kënditur vendçe me çorbë franceze, Hashim Thaçi, po ashtu, qe dendur mirë e mirë me një çorbë të tillë. Ramës, me këtë lloj çorbe, i qe bërë barkun kacek.

Opozita në Prishtinë, në bashkëpunim të ngushtë, por të heshtur, me qeverinë e kryetradhtarit Rama, është në shërbim të Serbisë fashiste, sepse ajo opozitë është pjellë e Hashim Thaçit dhe e bandës së tij kriminale. Pra, këto dy monstra të kombit shqiptar - Rama dhe opozita dardane - janë trashëgimtare tepër të zellshme të tradhtisë së kryeagjentit të Beogradit Enver Hoxha.

Emisarët jugosllavë, Popoviçi dhe Mugosha, nuk e patën fare të vështirë ta kultivonin farën e tradhtisë në vetëdijen e Enver Hoxhës, si njeri pa kurrfarë morali kombëtar, si edhe në tërë kastën komuniste, që ishte e zhveshur krejtësisht nga një moral i tillë. Dëshminë më të pastër për mungesën e këtij morali kombëtar në qenien e tyre, e jep Mehmet Shehu dhe Fiqrete Shehu në letrën që i dërgonin Dushan Mugoshës më 22 prill 1944:

“Nuk kishim parti, por kishim dhe ishim bashibozukë, ishim një “turli” me zarzavate të hidhura e me udhëzimet e Miladinit e të tuat, me ndihmat tuaja mundëm të seleksionoheshim, të formojmë partinë tonë komuniste, ta forcojmë. Na dhatë dorën, na mësuat, na ngritët si nëna foshnjën”. (Citohet sipas faqes së internetit AlbDreams.Net. 05 tetor 2010).

Shërbimi sekret serbosllav, përmes konsullit jugosllav në Korçë, Stanoje Simiç (1893-1970), e kishte peshkuar me kohë Enver Hoxhën, për ta vënë në shërbim të agjenturës jugosllave, sepse e njihte mirë të kaluarën e tij. Në emisionin me titull “Enver Hoxha, si i vrau miqtë që i njihnin zullumet e rinisë”, të përgatitur nga gazetari dhe analisti i njohur Ferdinand Dervishi, emision ky, i transmetuar si cikël në dy pjesë në “Abc/Story” në korrik 2020, si edhe në youtube, zbulohet fare lakuriq figura sa imorale, aq edhe rrugaçërore e Enver Hoxhës gjatë të ashtuquajturave studime universitare në Francë, ku nuk pati dhënë asnjë provim.

Dhe Popoviçi me Mugoshën e bën seleksionimin që duhej: në bashkëpunim të ngushtë me Enver Hoxhën, varrosën nacionalizmin shqiptar, bashibozukët komunistë i ngritën në poste të larta, i vunë në shërbim të serbosllavizmit, partinë e atyre bashibozukëve e instaluan në Tiranë si agjenturë të Jugosllavisë dhe nxitën histerinë antinacionaliste, e cila u manifestua me egërsinë më të madhe në luftën vëllavrasëse që shpërthyen komunistët prej shtatorit të vitit 1943, pas hedhjes poshtë të Marrëveshjes së Mukjes, dhe që vazhdoi me një egërsi të jashtëzakonshme pas nëntorit të vitit 1944 me luftën e klasave.

Është pikërisht tradita e tradhtisë së Enver Hoxhës ajo, së cilës Rama, partia e bujkrobërve të tij socialistë dhe opozita dardane, i janë përmbajtur dhe vazhdojnë t’i përmbahen me vendosmëri për shpërbërjen tërësore të kombit shqiptar. Dhe tradita e tradhtisë së Enver Hoxhës është shumë e pasur në shërbim të Serbisë kriminale.

Ja disa fakte konkrete:

1. Kryekrimineli Enver Hoxha, që ende pa vënë këmbë në Tiranë, që nga Berati, në fund të tetorit të vitit 1944, dha urdhër që të pushkatoheshin pa gjyq 34 intelektualë dhe ushtarakë?

Lidhur më këto krime makabre, ja si i mburrej Enver Hoxha emisarit serb Stojaniç ato ditë, kur, së bashku me qeverinë, pritej të vinte në Tiranën e çliruar:

“Po vriten në Tiranë me duzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë , të cilët, duke pasur besimin e plotë edhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale, por është tërë tona, që i është dhënë punës organizative të partisë dhe ushtrisë. Shokët mendojnë vetëm të zhdukin, bile edhe një njeri që nuk është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit …”. (Citohet sipas: Bedri Alimehmeti, “Tirana e përgjakur”. AQSH, Fondi 14, Dosja 2/a).

2. Rreshtat që vijojnë janë të cituara nga thëniet e Enver Hoxhës para gazetarëve jugosllavë me rastin e vizitës së tij në Jugosllavi më 30 qershor 1946.

“Është e pamundur të imagjinosh rezistencën e popullit të vogël shqiptar kundër armikut pa luftën e popujve jugosllavë” (Citohet sipas: Pavli Qesku, ish-ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar. “Çështja e Kosovës dhe Enver Hoxha”. Faqja e internetit “www.trepca.net”. 13 korrik 2005).

Dhe ambasadori i nderuar Pavli Qesku vazhdon reagimin e vet në vijim:

“Enver Hoxha nuk mund ta poshtëronte popullin e tij më shumë se kaq para personit që e kishte ndihmuar të rrinte pa u zhytur në udhëheqjen e PKSH. S’ka poshtërim më të madh për një popull të vogël që kishte bërë përpjekje të gjatë e kolosale për çlirimin e territoreve të veta pothuajse pa ndihmë direkte” (po aty).

3. Historiani i shquar, Akademik Prof.dr. Beqir Meta shkruan:

“Më 16 tetor 1946, në Konferencën e Paqes në Paris, Enver Hoxha i bëri një akuzë të drejtpërdrejtë përfaqësuesit amerikan, Jakobsit, lidhur me përkrahjen e pretendimeve territoriale greke nga SHBA. Shefi i misionit amerikan u përpoq t’i shpjegonte atij se SHBA, asnjëherë, nuk kishin përkrahur kërkesat greke për “Epirin e Veriut” dhe se, duke votuar për futjen e kërkesës greke në rendin e ditës të Konferencës, “ne thjesht kemi ndjekur politikën tonë për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, duke dhënë një vlerësim ndaj çdo kërkese për rektifikime kufitare. Kjo mund të bëhej vetëm në një konferencë paqeje dhe se, duke votuar për futjen e kësaj çështjeje kufitare në rendin e ditës së konferencës, kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton përkrahjen e SHBA për këtë kërkesë”. Pastaj, duke kaluar në kundërofensivë, Jakobsi preku një çështje delikate. Ai e pyeti Hoxhën, se cili do të ishte reagimi i tij, në qoftë se Shqipëria do të kërkonte futjen në axhendën e Konferencës së Paqes të kërkesës për rajonin e Kosovës, dhe në rast se Delegacioni i SHBA do të votonte kundër së drejtës së Shqipërisë për ta diskutuar këtë kërkesë në Konferencë. “A nuk mendoni ju se, të paktën, kërkesa juaj duhet të diskutohet dhe të studiohet?” - kishte pyetur Jakobsi. Kësaj pyetjeje E. Hoxha iu përgjigj në një mënyrë të turbullt dhe mohuese. Ai i tha përfaqësuesit amerikan se “kjo nuk përbën një rast analog, sepse ne nuk jemi duke shtruar kërkesën për rajonin e Kosovës nga aleatja jonë, Jugosllavia” (Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”. GEER. Tiranë 2002, f. 515-516).

4. Më 18-20 dhjetor 1946, u zhvillua plenumi i jashtëzakonshëm i partisë komuniste në Tiranë. Nga fjalimi i Enver Hoxhës në atë plenum, po shkëpusim rreshtat në vijim, ku shprehet qartë tradhtia e tij e hapur ndaj vëllezërve tanë në Dardani:

“Në rast se një anëtar partie e ka të qartë vijën, ai e ka të qartë edhe çështjen e Kosovës. Jugosllavia është më e avancuar se ne, interesi jonë është që ajo që jetë e fortë. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresive. Pra, në këtë situatë, përkundrazi, duhet të bëjmë ç’është e munduar që kosovarët të vëllazërohen në Jugosllavi” (Citohet sipas: “Enver Hoxha më 1946: Kosova nën Serbi është mirë, ka liri, ka shkolla”. Faqja e internetit “kultplus”. 28 dhjetor 2020).

4. Enver Hoxha, në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të Partisë më 15 dhjetor të vitit 1947, ka deklaruar shprehimisht:

“…Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de fakto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë…” (Citohet sipas: Mërgim Korça. “Ku gënjen Paskal Milo. Replikë me historianin “e nderuar”. Gazeta “Metropol”. 14 korrik 2012).

Me këtë porosi të prerë që jepte tradhtari Enver Hoxha për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, ai çonte në vend urdhrin e Beogradit, të këtij armiku shekullor të kombit shqiptar, për gllabërimin sa më të shpejtë të vendit tonë nga ana e shovinizmit serbomadh, urdhër ky, të cilin Velimir Stojniçi ia përcolli Partisë Komuniste të Shqipërisë në Plenumin e 2-të të Beratit të nëntorit të vitit 1944. Në atë plenum, Velimir Stojniçi deklaroi:

“Shqipëria jo që nuk e rrit dot ekonominë e saj, por as e zhvillon dot atë, sepse imperializmi do ta gëlltiste; …e vetmja zgjidhje e saj është të bashkohet në një konfederatë me Jugosllavinë” (Stefanaq Pollo, Arben Puto. “The History of Albania. from its origins to the present day”. Routledge & Kegan Paul Ltd. 1981, f. 245. Citohet sipas: Mërgim Korça. “Kush e shkruan historinë”. Gazeta “Metropol”. 17-18 korrik 2012).

6. Në vitin 1947, Enver Hoxha pati deklaruar:

“...Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshalit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe. Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugosllavia... Po të studjojmë historinë e vërtetë të popullit tonë dhe jo atë të shkruajtur prej agjentëve të imperializmit, do të shohim se populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë. Kurdoherë që krerët feudalë të Shqipërisë si Ballshët (Balshajt ‑ shënim) e të tjerë, kanë qenë në aleancë të mirë me sllavët e jugut që kanë pasur përkrahjen e malësorëve.... Çdo gjë e lidhte popullin tonë me sllavët e jugut, jeta, zakoni, burrëria, lufta për indipendencën kundër të njejtëve armiq..... Miqësia ka ekzistuar përgjatë shekujve e rrebeshesh në mes të popujve tanë dhe atyre malazezë…”. Këtë miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta me “Lahutën e Malësisë”, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t'i bëjë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmendur.....Fishta dhe Vlladan Gjeorgjeviçi janë njerëz të po një shkolle dhe shërbëtorë të një ideje skllavëruese. Populli shqiptar dhe sllavët e jugut me malazezët e serbët në krye, nuk mendojnë dhe nuk ndiejnë as si Gjergj Fishta dhe as si Vladan Gjeorgjeviçi. Poetët popullorë malazezë e serbë kanë shkruar me entuziazëm për trimërinë dhe bujarinë e shqiptarëve. Këngët autentike të malësorëve të Shqipërisë së veriut, këndojnë anasjelltas trimërinë dhe besnikërinë e malazezëve. Si mund të këndonte populli kësisoj kur ekzistonte një armiqësi, siç kërkon ta përshkruajë At Gjergj Fishta e agjentët e tjerë të imperializmit. Populli shqiptar ka luftuar së bashku me popujt sllavë të jugut kundër Turqisë në Kosovë e gjetkë. Në kohën e Gjon Kastriotit dhe Skënderbeut, ne kemi pasur marrëdhënie të ngushta me këta popuj, ne kemi pasur krushqira dhe aleanca” (Citohet sipas: “Pjesë të fjalës së Enver Hoxhës para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Plenumin e IV të rinisë popullore. Gazeta “Bashkimi”. 22 gusht 1947).

Enver Hoxha, si një tradhtar dhe argat mjaft i regjur në shërbim të serbosllavizmit, shpifte në mënyrën më të poshtër për “lidhjet e ngushta dhe të përzemërta” me fqinjët sllavë. E vërteta historike është krejt ndryshe.

Profesori Hakif Bajrami citon priftin serb Nikollaj Velmiroviç, i cili në vitin 1942 ka deklaruar:

“Atë që po bën sot Hitleri kundër hebrenjve, atë e ka bërë Shën Sava (1169-1236) në mesjetë kundër arbanasëve, që nuk donin të konvertohen në sllavë” (Citohet sipas: “Pse Serbia sot është në ofensivë defaktorizuese ndaj Republikës së Kosovës”. Faqja e internetit “Agjencioni Floripress”. 11 dhjetor 2020).

Në faqen e internetit “alpenews” të datës 19 mars 2018, qe botuar një informacion me titull “Vrasja e 500 mijë shqiptarëve nga serbët, si u gjet libri i austriakut botuar më 1913”. Autor i librit është hebreu austriak Freundlih. Kopja e vetme e librit “Akuza që ulërijnë” qe gjetur në bibliotekën e Universitetit të Harvardit, në vitin 1982, nga studiuesja Safete Juka, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto fakte rrëqethëse për krimet e serbosllavëve kundër kombit shqiptar, janë dëshmia më kuptimplote se çfarë kryekrimineli, çfarë kryetradhtari dhe çfarë mashtruesi të përbindshëm ka pasur në krye Shqipëria gjatë një periudhë 41 vjeçare. Dhe pikërisht traditën e veprës tradhtare të asaj egërsire me fytyrë njeriu, e kanë përvetësuar Rama me delemiletin e vet socialist dhe opozita në Prishtinë, duke e vënë veten krejtësisht në shërbim të serbosllavizmit, armikut tonë shumëshekullor.

7. Enver Hoxha, në rolin e një kryetradhtari, menjëherë pas kthimit nga një vizitë në Bullgari, nga sheshi “Skënderbej”, i drejtohej popullit shqiptar me këto fjalë:

“Të rrojë bashkimi dhe vëllazërimi me popujt e mareshalit Tito” (Gazeta “Bashkimi”, 20 dhjetor 1947).

8. Në shkelje të gjakut të dëshmorëve, me urdhër të Enver Hoxhës, si vegël e verbër e Titos dhe e serbosllavizmit, në faqen e parë të Abetares së vitit 1947, ishte shkruar:

“Tito luftëtar, Tito çlirimtar, Tito shpëtimtar i popullit tonë”.

Krejt shqiptarët me kod të shëndosh moral, me vetëdije të lartë kombëtare, në mbarë trojet tona etnike, duhet t’i jenë shumë mirënjohës gazetarit të nderuar gjerman Michael Martens, i cili, si askush tjetër deri tani në mjetet shqiptare të informimit masiv, e ka damaskuar në një mënyrë tepër asgjësuese tradhtinë e Ramës, si një zvarranik i pështirë në shërbin të serbosllavizmit. Ai ka deklaruar burrërisht:

“Edi Rama është padyshim kryeministri më i mirë që ka pasur Serbia që nga Nikola Pashiç” (Citohet sipas: “Gazetari gjerman: Edi Rama është kryeministri më i mirë i Serbisë që nga koha e Pashiçit”. Faqja e internetit “Sinjali”. 30 shtator 2023).

Feniks, Arizona. 24 maj 2024

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat