Rama në Milano do të flasë..."edramisht"!

Opinione

Rama në Milano do të flasë..."edramisht"!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 26 maj 2024 Në ora: 07:57
Xhevat Mustafa

Shumë kush nga shqiptarët, në Shqipëri dhe Itali, duke e njohur mirë Edi Ramën si njeri mendjethellë, largpamës edhe më shumë se Enveri, të parashikueshëm apo manierist edhe në veshje, mund të mendojë si urim të parë që ai të vishet në mitingun në Milano, jo me brekushe, si jo rrallë herë në Shqipëri e vende të tjera, edhe në takime e vizita zyrtare, por me xhaketë, kravatë, brekë firmato, pantallona...!

Merret me mend se mes rreth 400 mijë emigrantëve shqiptarë në Itali mund të gjenden dhe mblidhen edhe 5 - 10 mijë enveristë dhe edramistë, spiunë të moçëm, udbashistë të hershëm dhe patronazhistë “prodhim i vonë vendi”...! Po kështu, duke njohur aftësinë publicistike dhe demagogjike të Edi Ramës, është e pritshme, bile e sigurt se ai do të mbajë një fjalim patetik, "historik", histerik, drogues...! Lum kush është përzgjedhur dhe ka kaluar "skanerimin" të futet në sallën e madhe të mitingut dhe me veshët e vet do ta dëgjojë kryetarin e shumëfishtë Edi Rama, që “të dytë nuk ka ba e nuk ban ma nana”. Padyshim ai do t’ua ngrejë zemrat dhe mendjet, por edhe brekët e pantallonat, fundet, fustanet...peshë apo lart, sa brohorimat e tij ti dëgjojnë edhe Giorgia Meloni në Romë, edhe Sali Berisha dhe Altin Dumani në Tironë!

Hartimi i tij i ri për emigrantët shqiptarë në Milano, jo krejt kopje e atij në Athinë, do të jetë me doza të forta demagogjie artistike, manipulimi krijues, drogimi emocional..., sa jo vetëm shqiptarëve, por edhe shumë italianëve t’u mbushet mendja se Edi Rama i parë dhe i fundit është lider unikal, përtej rajonal, global...! Disa italianë, duke mos e përmbajtur dot zilinë, edhe mund t’u thonë njeri-tjetrit ose komshinjve, shokëve, miqve emigrantë shqiptarë: “lum Shqipëria që e ka!”. Ndërsa shumica e shqiptarëve të thjeshtë në Shqipëri mund t’u përgjigjen me zemërim e dëshpërim ulëritës: “mjer ne që e kemi mbi 10 vjet që po e mbajmë mbi kokë!

Ky po na nxin jetën dhe Shqipërinë e nuk ka ndërmend vetë me u shporr nga froni, pa ikur edhe shqiptari i fundit emigrant nëpër vendet e Perëndimit e të tjera, deri në ato të Lindjes së Largët, me standarde të larta zhvillimi dhe mirëqenieje në botë!” Çfarë përrallash mund t’u tregojë e me çfarë “bumesh, rekordesh, suksesesh....” e shifrash mund "t’i drogojë" Edi Rama emigrantët shqiptarë në Itali? Shumica e tyre, falë afërsisë gjeografike, ashtu si ata në Greqi, vijnë shpesh tek prindërit apo shtëpitë e tyre në Shqipëri.

Domethënë e njohin gjendjen e vërtetë të saj ndoshta edhe më mirë se Edi Rama dhe tufa e shoqëruesve të tij, që po t’u llogariten ditët e një viti, ndoshta kanë qenë më shumë nëpër avionë, aeroporte, hotele, salla takimesh dhe konferencash ndërkombëtare dy e shumëpalëshe.... Italia vërtetë këto vite është për nga standardet e zhvillimit dhe të mirëqenies më ulët se Zvicra, Austria, Gjermania, Franca..., por gjithsesi është shumë më lart se Shqipëria e këtyre 10 viteve të fundit, jo "histori suksesi", por "histori skandalesh, korrupsioni, dështimesh, varfërimi, mplakjeje dhe mpakjeje, neodiktaturizimi apo rienverizimi..."!

Pra, Edi Rama do të flasë para 5-10 mijë emigrantëve shqiptarë, jo në SHQIP, as në ITALISHT, por vetëm në edramisht! Sipas disa gjuhëtarëve pa grada e tituj qeveritarë e “rrebelë”, edramishtja është një nga dialektet e shumtë të sorosianishtes. Por, disa gjuhëtarë rrogëtarë dhe bashkëpunëtorë të jashtëm në Akademinë e Shkencave të Skënder Gjinushit janë në mëdyshje disavjeçare për t’iu kundërvënë kësaj teze. Më së shumti, jo për arsye shkencore, por nga frika se mos i mbetet hatëri dhe i flakërohet zemërimi krijuesit të këtij dialekti. Sepse e kanë kuptuar se ky, pasi e krijoi duke i rraskapitur trutë gjatë 8 viteve në opozitë(2005-2013), mezi e përmban dëshirën të zëvendësojë përfundimisht enverishten, të ketë perspektivë e të bëhet gjuhë mbarë globale, me dialekt të vetëm të saj “openballkanishten”!? Le ta braktisim shprehjen me një dozë humori e të forcojmë dozën e seriozitetit, duke u përpjekur të futemi sa më thellë në trurin e Edi Ramës, figurativisht si një “thesar pafundësisht i pasur”, sa nuk e nxen dot as “shpella e Ali babës...”! ! Për çfarë mund t’u mburret si “histori suksesi dhe fitorjesh” kryeministri afro 11 vjeçar pjesëmarrësve në mitingun paraelektoral të rradhës, atë të Milanos?

Për motërzimin e mafias italiane me atë shqiptare e të atij si kryeministër me Giorgia Melonin? Se edhe pas 10 vitesh të atij si kryeministër, pra deri më 26 maj 2024, familjarë e të afërm të shumë emigrantëve pjesëmarrës në atë miting, dalin në pension me rreth 15.000 lekë ose 150 euro, domethënë rreth 5- 10 herë më pak se sa në Itali? Se shumica e çmimeve të artikujve ushqimorë, farmaceutike, kozmetike...në Shqipërinë e tij janë rreth 25-50% më të shtrenjta se në Itali? Se ai ka dy qeveri: një në liri, në kryeministri e një tjetër nëpër qeli ose në kërkim në arrati...?

Se Shqipëria e tij me as dy milionë banorë ka një administratë në rreth 185 mijë vetë, plus 30 mijë patronazhistë, domethënë edhe më shumë se Italia me rreth 59 milionë banorë?! Se Shqipëria rilindase është kampione apo nënkampione evropiane për pagat dhe pensionet më të ultë, për korrupsion, kanabizim, për pastrim parashë të pista; për inceneratorë dhe rrugë në letra; për kullëzim, ajrin e ndotur; për kafenera, qebabtore, byrektore, farmaci, agjenci të këmbimit valutor...

Por, edhe për media dhe drejtësi të varura nga qeveria, domethënë, nga ai si kryeministër ligjërisht e në letër, por me plotpushtetshmëri sulltani, perandori, mbreti, diktatori në të vërtetë apo në jetë...!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat