Ne që moti e kemi njohur shtetin e Spanjës dhe lirinë e saj të fituar edhe me gjakun tonë shqiptar

Opinione

Ne që moti e kemi njohur shtetin e Spanjës dhe lirinë e saj të fituar edhe me gjakun tonë shqiptar

Nga: Sabahate Byci Më: 26 maj 2024 Në ora: 15:13
Autorja Sabahate Byci

Sa herë që vij në vendlindjen time në Gjakovë, përpara pallatit tonë të kulturës, krenaria ma kaplon zemrën dhe shpirtin kur e shikoj shtatoren e heroit të popullit tonë Asim Vokshi, i lindur në vitin 1909 në Gjakovë dhe i vdekur në vitin 1937 në luftën qytetare të Spanjës, ku ishte komandant i Kompanisë së Batalionit Garibaldi në Brigadën Internacionaliste në Spanjë. Asim Vokshi u vra në Fuentes de Ebro të Spanjës më 04.10.1937 si një luftëtar i denjë vullnetar për të drejtat qytetare të Spanjës.

Por kur e pashë dhe e lexova në mediat e datës 24.05.2024, që ish-presidenti i rajonit spanjoll të Katalonjës, z. Carles Puigdemont, kishte shfaqur, respektivisht kishte shprehur mendimin e tij kritik në lidhje me qëndrimin përkatësisht vendimin e Kryeministrit të Spanjës, z. Pedro Sanchez, sekretar i përgjithshëm i partisë PSOE - Partia Socialiste Punëtore Spanjolle që nga viti 2017, njëherazi Kryeministër i Spanjës, i cili kishte deklaruar pranimin e Palestinës si shtet - u befasova! Megjithatë, dorën në zemër, siç thuhet, rri shtrembër e fol drejt, kritika e Carles Puigdemont ishte aq me vend sa edhe vetë vendimi i Kryeministrit, z. Pedro Sanchez.

Pse? Sepse, duke u nisur nga fakti se politika evropiane, do të thotë politika e BE-së, kohëve të fundit është futur në një labirint aq të koklavitur, sa që momentalisht komplikimet e llojit të tillë politik, trajtuar nga këndvështrimi i këtij bashkimi dhe jo vetëm, ka marrë aq shumë hov që kontinenti i vjetër Evropë po duket se ka hyrë nëpër rrugë njëdrejtimëshe, duke anashkaluar dhe injoruar problemet përpara pragut të derës së vet! Z. Sanchez, përkatësisht NIS-ja pra Norvegjia, Irlanda dhe Spanja dhe pranimi i Palestinës si shtet, siç u pa, posaçërisht Spanja, me këtë rast veproi duke shfrytëzuar deficitet apo shpraztirat juridiko-ligjore të së drejtës evropiane, të vjetruara sa vetë kontinenti?! Një sistem senil dhe jo reformues juridik i Bashkimit Evropian që po vepron sipas mottos: -„Qysh është vendi, po bëhet kuvendi“!

Dhe shih për këtë pra NIS-ja, të tre shtetet e lartpërmendura e kanë pranuar një vend që është i një kontinenti tjetër, pra i Azisë, me ç'rast (kështu vetëm mendimi im) - nuk janë shkelur as rregullat dhe as normat juridike evropiane senile, po ashtu edhe të gjitha vlerat kanë mbetur në dispozicion “stand by“ të ngurta - konstante dhe rigoroze?! Andaj mospranimi i shtetit tonë Kosovës deri më tani nga Spanja, përkatësisht nga kryeministri i saj, z. Pedro Sanchez, si një shtet sovran, ndërsa Palestina po, ka dallim!

E ky dallim sipas meje ka të bëjë me format ligjore, siç e ceka më lart, të së drejtës ndërkombëtare, me atë të së drejtës së Bashkimit Evropian, kur merren parasysh mosmarrëveshjet mes shteteve evropiane pa përjashtim të gjitha, edhe ato shtete pa parashtesën e „famshme“ “Bashkimi - (B) E“, - parashtesë kjo e cila prej shumë vitesh e ka luajtur dhe ende e luan rolin „alibi“s enkas për tolerimet e moskuptimeve në botën politike e ekonomike dhe të asaj demografike të kontinentit tonë Evropës plakë! Andaj Spanja e ka pasur më lehtë ta pranojë Palestinën si shtet se sa shtetin tonë Kosovën, mu për atë se Kosova është në kontinentin e Evropës me të drejtë shfrytëzimi financiar, ekonomik, gjeografik e demografik sikurse ia ka vetë andja Evropës, ndërsa Palestina është nga Azia - kontinent me të drejta shfrytëzimi formash si të lartcekura, krejtësisht ndryshe në krahasim me Kosovën - Dardaninë tonë.

Dhe së fundi, assesi nuk bën, nuk duhet e nuk guxon të anashkalohet dhe të injorohet respekti i vendlindjes sime, i Republikës sonë të dashur Kosovës, i popullit tonë shqiptar dhe i pjesëtarëve të UÇK-së + NATO ndërkombëtarëve si dhe anasjelltas, vetëm e vetëm për hatrin se të gjithë bashkë luftuan dhe në formë unikate humanitare kontribuan për çlirimin e popullit tonë të pafajshëm nga okupimi dhe gjenocidi fashist-millosheviqian!

Sabahate Byci Autore 26.05.2024, e diel, 11:20h Gjakovë - Gjermani

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat