Polarizimi i politikës botërore po e rrezikon rendin dhe paqen globale!

Opinione

Polarizimi i politikës botërore po e rrezikon rendin dhe paqen globale!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 26 maj 2024 Në ora: 20:47
Autori Ismail Muçiqi

Që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, situata e sigurisë në botë nuk ka qenë më e rrezikuar se tani. Samiti i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që u mbajt këto ditë në New York, ku u votua rezoluta për gjenocidin serb ndaj boshnjakëve në Srebrenicë, nxori në pah polarizimin dhe ndarjen e shteteve me sisteme të ndryshme në të gjithë planetin tonë. Konfliktet – luftërat të cilat po vazhdojnë në Ukrainë, në Palestinë, situata e tensionuar në Iran, tensionet në Bosnje dhe në pjesën veriore të Kosovës të cilat po i shkakton Serbia, janë vetëm disa momente që po e përçajnë politikën botërore dhe kanë vënë në pikëpyetje rendin dhe rolin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Rezultati që doli nga votimi i rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë ishte shumë shqetësues për funksionimin e raporteve normale ndërmjet shteteve të të gjitha kontinenteve. Edhe një herë u vërtetua se rivaliteti i fuqive të mëdha paraqet rrezik permanent për shpërthimin e Luftës së Tretë Botërore. Nëse bëjmë një analizë më të detajuar, shohim se shtetet e Afrikës të cilat janë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ende jetojnë me mendësinë e shekullit të 19-të. Serbia arriti t’i manipulojë shtetet afrikane duke luajtur me kartën e Ish-Jugosllavisë së Titos si vazhdimësi e politikës së vendeve të pa inkuadruara të botës me Beogradin si kryeqytet i Ish-Jugosllavisë.

Mjerisht, shtetet myslimane të ndara dhe të shpartalluara gjithandej ku jetojnë myslimanët nuk po arrijnë të ecin me kohën, për t’u promovuar si komunitet i unitetit të botës myslimane për të folur me një gjuhë, për çështjet kapitale të botës islame. Votimi në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara nënkupton plasaritjen e thellë ndërmjet lindjes dhe perëndimit. Kështu, Rusia bashkë me Kinën, Indinë, Hungarinë dhe Serbinë po punojnë në hartimin e projektit, për ta rikthyer ideologjinë totalitare bolshevike të cilën po e kultivon Putini. Mjerisht, sferat e interesit të fuqive të mëdha kanë qenë dhe janë gjithmonë determinues të paqes në botë apo të përshkallëzimit të konflikteve dhe luftërave në botë.

Nëse vazhdon ky ritëm dhe kjo ndarje ndërmjet shteteve në ndikim dhe fuqive të mëdha botërore, Këshilli i Sigurimit dhe Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të mbesin vetëm një uvërtyrë e pafuqishme për ta mbajtur dhe udhëhequr rendin botëror. Primati i të drejtës ndërkombëtare të 5 shteteve që kanë të drejtën e vetos – nëse nuk e ndryshojnë qasjen për ta ruajtur paqen në botë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ekziston vetëm në letër pa pasur fuqi të marrin vendime për të ardhmen e njerëzimit. Në fund, po theksojmë se nëse nuk ndryshojnë raportet ndërmjet fuqive të mëdha, lufta në Ukrainë ndërmjet Rusisë dhe Aleancës së NATO-s paraqet rrezikun më serioz për shpërthimin e Luftës së Tretë Botërore duke përdorur edhe armatimin bërthamor, arsenal ky i cili paraqet rrezik për shkatërrimin e botës dhe katastrofën ndaj njerëzimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat