Të premtën u mbushën plot 32 vjet nga zgjedhja e Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

Opinione

Të premtën u mbushën plot 32 vjet nga zgjedhja e Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

Nga: Fatmir Bajraj Më: 26 maj 2024 Në ora: 21:47
Autori Fatmir Bajraj

E diel, 24 maj 1992, në Kosovën e pushtuar nga armiku shekullor, serbo-sllav, Kosova organizoi dhe mbajti zgjedhjet e para pluraliste-parlamentare dhe presidenciale!

32 vjet nga zgjedhja e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova!

E diela e 24 majit të vitit 1992, në rrugëtimin tonë institucional dhe kushtetues drejt shtetit të pavarur dhe demokratik, shënon një nga ngjarjet kruciale dhe vendimtare për përcaktimin dhe përkushtimin definitiv kombëtar drejt realizimit të aspiratës kombëtare dhe kauzës së lirisë.

24 Maji njihet dhe shënohet si Dita e Presidentit për faktin se në Kosovën e robëruar nën prangat e pushtetit të instaluar të regjimit të Millosheviqit, lëvizja kombëtare e shqiptarëve të Kosovës, në krye me liderin e papërsëritshëm të Dardanisë Antike, Dr. Ibrahim Rugova, mbajti zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale, me ç'rast u zgjodh Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova!

Ky rrugëtim legjitim dhe i natyrshëm i Republikës së Kosovës u legalizua me zgjedhje pluraliste-parlamentare dhe me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili mori besimin dhe mbështetjen plebishcitare të sovranit.

Zgjedhjet e 24 majit 1992 sanksionuan legalisht dhe në mënyrë demokratike Parlamentin e parë të Republikës së Kosovës dhe Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova, duke pasuar kështu vendimet dhe aktet historike të 2 korrikut dhe 7 shtatorit 1990.

Dita e Presidentit nuk është vetëm simbolikë dhe sentiment, por është edhe ditë monumentale, duke qenë edhe bazament legjitim dhe legal i demokracisë parlamentare dhe të vetë shtetit sovran e të pavarur të Kosovës.

24 maji i vitit 1992 është kthesë historike dhe ditë që hap kapitullin e ri për Kosovën dhe shqiptarët, ngase nga ajo ditë qytetarët e Kosovës kanë votuar për përfaqësuesit e tyre në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pra Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit 1990, duke refuzuar regjimin e pushtuesit dhe duke ndërtuar sistemin paralel në jetën politike institucionale.

24 Maji, Dita e Presidentit, Ora e re e historisë së Kosovës dhe shqiptarëve!

Nga ajo ditë, vizioni dhe filozofia politike e Presidentit Rugova dhe largpamësia e tij me saktësi profetike, u bë edhe botëkuptim dhe ndërgjegje kolektive kombëtare në të cilën besonte dhe shpresonte populli i Kosovës.

Aktivizmi politik dhe rezistenca aktive paqësore e Presidentit historik Rugova kishte bërë për vete jo vetëm qytetarët e Kosovës, por kishte fituar mbështetjen edhe të Perëndimit në krye me Amerikën. Presidenti historik Rugova, në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishte fituar të gjitha zgjedhjet e organizuara në Republikën e Kosovës, njësoj sikur nën regjimin e Millosheviqit, po ashtu edhe në Kosovën e çliruar pas 12 qershorit 1999, deri kur shkoi në amshim më 21 janar të vitit 2006.

Simbolet e shtetit dhe "lufta" kundër tyre!

Presidenti Rugova kishte propozuar himnin shtetëror të Republikës së Kosovës: "Kur ka ra kushtrimi n'Kosovë" dhe Flamurin e Dardanisë për Flamur të shtetit të Kosovës, por "komandantët" e luftës pa luftë, alias i vetëquajturi "Krahu i luftës", nga zilia dhe inatet patologjike, ia mohonin autorsinë për simbolet Presidentit historik Rugova, duke u bërë kështu me (pa) vetëdije, palë me armikun shekullor dhe i luftuan këto simbole me të gjitha mjetet "demokratike dhe konvencionale" dhe në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, për t'i hapur rrugë imponimit dhe servimit të simboleve sipas interesit serb dhe aleatëve të Serbisë.

Këto simbole të shenjta të shtetit të Kosovës, të propozuara nga Ati themelues i shtetit të Kosovës, Presidenti historik Rugova, në të ardhmen do të gjejnë momentin e aktualizimit, jetësimit dhe promovimit në shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës.

Ata që mohuan simbolet dhe vetë shtetin e Kosovës, i cili mban vulën e Presidentit Rugova, me (pa) vetëdije u bënë argatë të armikut tonë shekullor dhe dëmtuan rëndë proceset historike në shtetndërtim dhe të ardhmen e brezave.

Në çdo 24 maj dhe jo vetëm, do të kujtohet me pietet dhe krenari Presidenti historik Rugova si Ati themeltar dhe themelues i shtetit të Kosovës dhe një nga figurat kolosale dhe markante kombëtare në gjithë historinë e shkruar mijëravjeçare.

Lavdi Atit themelues të shtetit të Kosovës, Presidentit historik Rugova, i lartësuar tanimë në Panteonin e burrave të shquar të shekullit, përtej kufijve kombëtarë.

Zoti e bekoftë 24 majin, Ditën e Presidentit të Kosovës.

Zoti e bekoftë Atin themeltar dhe themelues të shtetit të pavarur dhe demokratik, Republikën e Kosovës, ashtu si bekoi Ai me veprën e Tij, Kosovën dhe shqiptarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat