Mjaft më vrasjeve mes të rinjve shqiptarë, në politikë duhet bërë ndryshimi, ja VLEN

Opinione

Mjaft më vrasjeve mes të rinjve shqiptarë, në politikë duhet bërë ndryshimi, ja VLEN

Nga: Ejup Berisha Më: 27 maj 2024 Në ora: 13:13
Autori Ejup Berisha

Një politikë e kriminalizuar dhe e korruptuar krijon situata dhe realitete kriminale dhe korruptive. Gjithashtu, politikanët e kriminalizuar dhe të korruptuar prioritet nuk e kanë zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit që e mundësojnë rregullin, rendin, sigurinë dhe qetësinë. Plagosjet dhe vrasjet e fundit të të rinjve shqiptarë në Shkup janë pasojë e zbatimit të praktikave të politikave kriminale dhe korruptive.

Te ne plagosen dhe vriten njerëz mes vete sepse nuk funksionon as pushteti e as ligji. Pse po na ndodh një gjë e tillë? Kjo ndodh pasiqë dikush përmes politikës dëshiron të pasurohet në mënyrë kriminale dhe të kundërligjshme vetëm për vetveten dhe thotë se është patriot, që nuk përket me realitetin. Politikanët po të ishin të interesuar për kushtetueshmëri dhe për ligjshmëri, që do të thotë për rend, rregull, siguri dhe qetësi, rinia e sotme shqiptare nuk do të inskenonte skena kërcënimesh, shantazhesh, rrahjesh, gjymtimesh dhe vrasjesh.

Por këta do të mendonin për shkollim, arsimim dhe edukim. Ju lumtë politikanë të "patriotizmit" dhe të "çlirimit" që na e keni zbukuruar jetët tona këto njëzet vitet e fundit. Kjo shprehja "Bravo" është në thonjëza, jo falenderim real dhe i sinqertë. Nuk e keni pasur me seriozitet pjesëmarrjen në luftën e vitit 2001, përveç atyre që i kanë derdhur dhe dhënë me të shtrenjtat e tyre, gjakun dhe jetët e tyre, sepse të njëjtët ishin të drejtë dhe të sinqertë. Të njëjtët e donin vendin dhe kombin e tyre pa dredhi dhe pa hile, prandaj të njëjtët sot, në vend të bukës dhe begative të Perëndisë të kësaj bote, hanë dhe në botën tjetër. Këtyre çlirimtarëve të vërtetë u takon respekti dhe admirimi i vërtetë dhe i përjetshëm, e jo patriotëve të rrejshëm, atyre që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të drejtë u ka thënë mercenarë. Këta na e mbollën krimin dhe korrupsionin. Si pasojë e tyre, rinia e sotme në vend të librave dhe laptopëve, me vete bart armë të ftohta dhe të zjarrit.

Kjo është falë kriminalitetit dhe korrupsionit të trashëguar nga patriotët dhe politikanët dredharakë dhe të pasinqertë. Zoti e ruajtë rininë, jetët e tyre dhe kombin shqiptar. Ndryshimi është domosdoshmëri në ambientin politik të shqiptarëve të RMV-së. Vlen të bëhet ndryshimi me koalicionin Vlen. Kjo për t'i kursyer jetët e njerëzve dhe të fëmijëve tanë. Vlen do ta kthejë rendin, rregullin, sigurinë dhe qetësinë, si dhe do t'i kursejë jetët e shqiptarëve si pasojë e kriminalitetit dhe të korrupsionit të politikanëve patriotë në thonjëza.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat