Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka bërë apel për largimin e qenve endacakë nga oborri i këtij spitali.
Në një reagim të lëshuar nga spitali thuhet se situata me qentë endacakë gjithmonë e më tepër po bëhet shqetësuese për pacientët, personelin dhe vizitorët.
“Situata me qenët endacak në oborrin e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, gjithmonë e më tepër po bëhet shqetësuese për pacientët, personelin dhe vizitorët, ndërsa pasiguria dhe ankthi vazhdojnë të jenë prezent nga ky fenomen”, thuhet në reagim.
Nga spitali kanë thënë se marrja e masave për largimin e qenëve endacak nga oborri është nevojë emergjente.
“Spitali i Përgjithshëm në Pejë nuk e ka mandatin ligjor e as mekanizmat e nevojshme që të bënë zgjidhje për këtë problem që po bëhet gjithnjë e më i madh. Apelojmë në Institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa të menjëhershme për largimin e qenve endacak dhe kështu të parandalohen sulmet eventuale ndaj qytetarëve në oborrin e Institucionit tonë si dhe krijimin e kushteve normale për punën tonë në shërbim të qytetarëve”, thuhet në reagim.