Për vetëm 20 minuta, Komuna e Pejës transkriptoi fjalimet e seancës përmes inteligjencës artificiale – Shqip.ai

Peja

Për vetëm 20 minuta, Komuna e Pejës transkriptoi fjalimet e seancës përmes inteligjencës artificiale – Shqip.ai

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 13:15
Foto ilustrim

Komuna e Pejës për herë të parë transkriptoi me inteligjencën artificiale shqip.ai, fjalimet e seancës së rregullt të Kuvendit të Komunës së Pejës

Komuna e Pejës përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka bërë të ditur se kanë bërë një hap të rëndësishëm duke përdorur inteligjencën artificiale për të transkriptuar seancën e Kuvendit të Komunës së Pejës të datës 29.09.2023.

Përmes njoftimit nga kjo komunë bëhet e ditur se transkriptimi i 230 minutave të fjalimeve në këtë seancë, u bë në vetëm 20 minuta.

“Komuna e Pejës bëri një hap të rëndësishëm drejt të ardhmes duke përdorur inteligjencën artificiale për të transkriptuar seancën e Kuvendit të Komunës së Pejës të datës 29.09.2023, ku u diskutua dhe u aprovua buxheti i Komunës për vitin 2024, ky transkriptim u bë në vetëm 20 minuta.

Përmes Shqip.ai, arritëm të transkriptojmë 230 minuta të diskutimeve te pikave të rendit të ditës e edhe miratimit të buxhetit për vitin 2024 në Kuvendin Komunal të Pejës në vetëm 20 minuta, duke mbuluar një saktësi prej mbi 95%”, bëhet e ditur në njoftim.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se: “Shqip.ai na lehtësoj nga puna manuale, duke na lejuar të fokusohemi në vizionin tonë për të ardhmen e qytetit. Ky sukses tregon se çfarë mund të arrijmë kur inovacioni dhe teknologjia bashkohen me dëshirën tonë për të bërë gjëra të mëdha”.

“E vërteta është se e ardhmja është e digjitalizuar, tani është koha të shfrytëzojmë potencialin e tregut lokal dhe të zhvillohemi së bashku, me punën tonë të përbashkët”, thuhet në postimin e Komunës së Pejës.

Ndryshe, ditë më parë Komuna e Prishtinës kishte transkriptuar me inteligjencë artificiale seancën për buxhet në vetëm 12 minuta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat