20 vjet burg pesë personave që u shitën qytetarëve banesa inekzistente – fituan mbi 1.8 milion euro

Peja

20 vjet burg pesë personave që u shitën qytetarëve banesa inekzistente – fituan mbi 1.8 milion euro

Më: 21 tetor 2023 Në ora: 14:31
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurve E.B., B.V., B.V., Xh.A. dhe V.P, për veprat penale “mashtrimi” dhe “shpëlarja e parave”.

Të pandehurit E.B., V.B., dhe B.V., kanë kryer veprën penale “mashtrimi”, pasi të njëjtit i kanë shtyrë disa persona që të nënshkruajnë parakontrata me premtimin e ndërtimit dhe dorëzimit të banesave.

Ata dyshohet se veprën e mashtrimit e kanë kryer nga data 2 shtator 2009 deri më 15 maj 2014, “kur dhe janë arrestuar (përveç B.V) pasi që e pandehura E. B. e ka regjistruar kompaninë e biznesit NSHN ‘E.’ (me 29 korrik 2009) […] përmes të cilës kompani në një rast, me 14 tetor 2009 ka regjistruar kompaninë e biznesit ‘V. O G.’ Sh.P.K … me veprimtari primare ndërtim i lartë dhe i ulët”.

Gjykata thotë se përmes kësaj kompanie, të udhëhequr dhe kontrolluar nga e pandehura E.B. duke vepruar në cilësinë e pronares, së bashku me të pandehurin V. B. në cilësinë e zyrtarit të lartë të marketingut dhe B.V në cilësinë zyrtarit të lartë të shitjes në kompaninë ‘V. – O – Group’, me qellim që të sjellin dobi pasurore të kundërligjshëm për vete, me paraqitje të rreme dhe duke i fshehur faktet me çka i kanë shtyrë personat tjerë të dëmtuar që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre dhe atë duke i sjellë në lajthim të dëmtuarit me paraqitje të ofertave të volitshme për shitjen e banesave.

Në vendimin e gjykatës thuhet se të dëmtuarve, e pandehura E. ju ka ofruar nënshkrimin e parakontratave me të gjitha të drejtat dhe obligimet me premtimin e ndërtimit dhe dorëzimin e banesave, në afatin e paraparë me parakontratë që ishte 12-18 muaj nga lidhja e parakontratës, përkundër vlerës së paguar në çmimin shumë të ulët dhe kushteve shume të volitshme për pagesë.

“Paraprakisht të dëmtuarit kanë qenë të obliguar t’i paguajnë mjete financiare prej 5.000,oo euro vlera më e vogël e deri në vlerën më të madhe prej 200.000,00 dhe pastaj dy të pandehurit e tjerë B.V dhe V.B, duke i shoqëruar të dëmtuarit qoftë kur është bërë pagesa dhe duke i dërguar për t’ua treguar vendin ku kinse do të ndërtohej. Të dëmtuarit të hollat i kanë paguar në xhirollogari të kompanisë ‘V. – O – Group’ dhe në xhirollogarinë personale të të pandehurës E. B., e që të gjitha të hollat tërhiqen brenda ditës. Ndërtimi nuk është bërë dhe të dëmtuarit nuk kanë marrë banesat e parapara në parakontratë dhe as nuk iu janë kthyer të hollave me përjashtim të disa të dëmtuarve, ashtu që të njëjtit kanë përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 1.872,719 euro”, ka thënë Gjykata në njoftim.

Gjykata thotë se, me këto veprime, e pandehura E.B, bashkë me Xh.A., B.V., dhe V.O., kanë kryer veprën penale “shpëlarje e parave”.

Ndërkaq, pasi që janë përfituar mjete financiare në vlerë prej rreth 1.872,719 euro, e duke ditur se mjetet financiare të cilat kanë buruar nga aktiviteti kriminal i të pandehurve, ata kanë tentuar t’i konvertojnë dhe transferojnë ato mjete me qëllim të fshehjes apo maskimit të veprës.

Gjykata thotë se të pandehurit E.B., Xh.A., B.V. dhe V.O, në bashkëkryerje kanë bërë shpëlarjen e parave.

“… ashtu që i pandehuri Xh. A. fillimisht me datën 3 qershor 2011 ka vepruar në atë mënyrë që duke i mundësuar të pandehurës E.B. si pronare e firmës ‘V. O Group’, fshehjen e gjurmëve të pasurisë – objektit që kishte filluar ta ndërtojë me mjete financiar të përfituara me aktivitet kriminal, i njëjti nga e pandehura E.B. ka pranuar autorizimin e vërtetuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega Graçanicë i datës 01.08.2011, me të cilin e autorizon të pandehurin Xh.A që në mënyrë gjenerale dhe pa kufizime të përfaqësojë në emër personal dhe në emër të firmës ‘V. – O – Group’ me pronarët e tokave sipas kontratave për patundshmëritë lidhur me ndërtimin e banesave, pasi që E. ka pas obligim ndaj pronarëve të truallit”.

“Pastaj i pandehuri Xh.A me datën 1 gusht 2011, nga e pandehura E.B. pranon një deklaratë të vërtetuar në Gjykatën Komunale Prishtinë – Dega Graçanicë, me të cilën vërteton se heq dorë nga implementimi i kontratës për ndërtimin e banesave dhe lokaleve afariste të legalizuara pranë Gjykatës Komunale në Prishtinë. Dorëheqjen e bën në favor të të pandehurit Xh.A., ndërsa obligimet ndaj blerësve të banesave dhe punëkryesve mbesin obligim i të pandehurës E.B., dhe në fund që të humbet gjurmët edhe më shumë, i pandehuri Xh.A, me datë 16 janar 2012 nënshkruan marrëveshje për investime të përbashkëta me biznesin ‘A. Group Sh.A’ me pronar D.B, për ndërtimin e banesave dhe lokaleve afariste të cekura si me lartë”, thekson më tej gjykata.

Me qëllim të fshehjes së mjeteve financiare të përfituara nga aktiviteti kriminal, E.B dhe B.V. i shpenzojnë ato duke blerë një automjet, një dhomë fjetjeje, shpenzimet për dasme, shpenzimet për pushime verore dhe shpenzime të tjera.

Ndërkaq, edhe i pandehuri tjetër V.O., duke ditur se e pandehura E. B. mjetet financiare i ka përfituar me aktivitet kriminal, dhe me qellim që ato mjete financiare t’i fsheh apo maskojë, “përmes xhirollogarisë personale pranë W.D në D. ka pranuar mjete financiare ne vlere prej 16.000,00 euro, pastaj me datën 04. Shtator 2010 në D. ka pranuar shumën e të hollave në vlerë prej 14.600.00 euro nga A.B, në emër të pagesës së borxhit për blerjen e një banese po ashtu nga E. me datën 29.01.2010 pranon një veturë në vlerë prej 35.300,oo euro, si dhe i ka blerë një truall në fshatin Ll. Komuna e Prishtinës V.O. në sipërfaqe prej 5 ari (500 m2)”.

Për këto veprime, gjykata i ka dënuar të pandehurit me 20 vjet burgim dhe me 330 mijë euro gjobë.

Të pandehurës E.B. ia ka shqiptuar dënimin unik me burgim prej tetë viteve dhe gjobë në shumë prej 120 mijë euro.

Të pandehurit B.V ia ka shqiptuar dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej pesë vite, si dhe dënim me gjobë në shumën prej 60 mijë euro. Në dënimin me burg i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak.

Të pandehurit V.B për vepër penale si në dispozitivin e parë të cekur më lartë i është përcaktuar dënim me burg në kohëzgjatje prej tri vite si dhe dënim me gjobë në shumën prej 50 mijë euro. Në dënimin me burg i llogaritet koha e kaluar në masën e arrestit shtëpiak dhe paraburgim.

Të pandehurve XH.A. dhe V.O secilit veç e veç gjykata për vepër penale i caktoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vite si dhe dënim me gjobë në shumë prej 50 mijë euro.

“Në qoftë se të pandehurit dënimin me gjobë nuk dëshirojnë apo s’mund ta paguajnë, gjykata do t’ua zëvendësojë dënimin me burgim, duke ia llogaritur një ditë burg me 20 euro, por dënimi s’mund t’i tejkalojë 3 vjet burgim”, tha Gjykata në njoftimin për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat