Peja përqafon teknologjinë, së shpejti bëhet me qendër rinore inovative

Peja

Peja përqafon teknologjinë, së shpejti bëhet me qendër rinore inovative

Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 21:16
Gazmend Muhaxhiri

Së shpejti në Pejë do të hapet qendra inovative, lokacioni i së cilës do të jetë në Vitomiricë.

Kjo pasi Komuna e Pejës në bashkëpunim me organizatën NGN kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për shfrytëzimin e objektit të Qendrës Rinore në këtë fshat.

Siç ka njoftuar organizata, kjo qendër e inovacionit do të jetë e shfrytëzueshme për të rinjtë e të gjithë rajonit të Pejës.

“Projekti ‘Building Youth Innovation in Vitomirica’ me shtytjen dhe mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të të rinjve në fushën e teknologjisë informative, mbështetjen e start-up-eve inovative, zhvillimin e kreativitetit tek të rinjtë dhe mentorimin e tyre, si dhe krijimin e një hapësire punuese për të gjithë duke përfshirë të gjitha komunitetet”, thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se kjo marrëveshje është vetëm gur-themel i zhvillimit të qendrës inovative dhe bashkëpunimit mes Komunës së Pejës dhe organizatës NGN, gjithmonë me mbështetjen Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Shumë shpejtë rajoni i Pejës do të ketë një shtëpi për të rinjtë dhe zhvillimin e tyre, ndërsa po bëhen përpjekjet e duhura për të revitalizuar qendrën sa më shpejtë që është e mundur, njëherit duke përqafuar teknologjinë më të re të 5G”, bëhet e ditur mes tjerash.

Informata të tjera rreth procesit thuhet se do të publikohen me kohë, ndërsa stafi i NGN ka falënderuar Pejën për përkrahjen e vazhdueshme.

“Njëherësh falënderojmë edhe Ambasadën e Amerikës në Prishtinë e cila ka përkrahur idenë tonë dhe vazhdon të mbështesë të rinjtë e Kosovës në zhvillimin e tyre. Projekti financohet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, në bashkëpunim me Komunën e Pejës dhe NGN”, përfundon njoftimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat