Zbulohet shtatorja e Rugovës në Pejë, Abdixhiku: Republika e Kosovës dhe emri i Ibrahim Rugovës janë një

Peja

Zbulohet shtatorja e Rugovës në Pejë, Abdixhiku: Republika e Kosovës dhe emri i Ibrahim Rugovës janë një

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 16:01
Foto nga vendi i ngarjes

Është përuruar sot në Pejë, në përvjetorin e 16-të të pavarësisë, shtatorja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se ashtu “siç është i skalitur përgjithmonë në zemrën e çdo shqiptari”, Rugova po përurohet i skalitur përgjithmonë edhe në bronz në Pejë, në qytetin ku ai e ka mbaruar shkollimin e mesëm.

Abdixhiku tha se “me prijësin historik lidhet ngushtë liria e Kosovës, pavarësia e Kosovës, dhe vet demokracia e Kosovës”.

“Sot, me përurimin e shtatores së Presidentit Rugova në Pejë, ne po nderojmë vetë vlerat e lirisë dhe pavarësisë sonë. Po i nderojmë të gjithë ata që dhanë jetën për vendin. Po i nderojmë të gjithë ata që kontribuan për vendin. Po e nderojmë krejt rrugëtimin tonë të shenjt. Po e nderojmë vendin tonë; Republikën e Kosovës, sepse Republika e Kosovës dhe emri i Ibrahim Rugovës janë NJË”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, Ibrahim Rugova pas vete la një trashëgimi të pasur intelektuale dhe një trashëgimi politike, me rezultate të papërsëritshme e monumentale.

“Nuk ka ditë e nuk ka datë më përmbajtjesore sesa kjo e pavarësisë, për të zbuluar shtatoren e shqiptarit më të madh, e të djathtit më të madh e tradicional, themeluesit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, njeriut më meritorë për Republikën, atit themeltar të shtetit të Kosovës, Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova”, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së tha para anëtarëve të partisë së tij se duhet të punojnë që të jetësojnë udhërrëfimin e Presidentit Rugova.

“Le ta bëjmë bashkë këtë rrugë si përherë. Le ta bëjmë vendin e zhvilluar. Kjo do të ishte nderi më i madh që do t’ia bënim Ibrahim Rugovës, praktikisht Republikës së Kosovës. I përhershëm kujtimi për prijësin tonë historik, Dr. Ibrahim Rugova! Qoftë e bekuar përherë nga Zoti vepra e tij; Republika e Kosovës”, ka përfunduar fjalimin Abdixhiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat