​“Rugova është profeti i shqiptarëve”, qytetarët e Pejës të lumtur me bustin e ish-Presidentit

Peja

​“Rugova është profeti i shqiptarëve”, qytetarët e Pejës të lumtur me bustin e ish-Presidentit

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 20:02
Busti i Presidentit Ibrahim Rugova

Me rastin e 16-vjetorit të Pavarsisë së Kosovës, Komuna e Pejës ka zbuluar bustin e ish-Presidentit Ibrahim Rugova.

Me këtë rast qytetarët e Pejës u shprehën të lumtur që në qytetin e tyre do të jetë busti i tij. Madje për disa, Rugova është profeti i shqiptarëve.

Qytetari nga Peja, Hazir Nikqi thotë për KosovaPress se Rugova ka qenë një president historik i cili ka çliruar Kosovën. Kurse për situtatën aktuale në vend, ai tha se Qeveria Kurti është shpresa e fundit që të përmirësohet Kosova.

Nikqi: Shpresa e fundit është nga Qeveria Kurti

“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë shqiptarët. Ibrahim Rugova ka qenë presidenti historik, ka liruar vendin. Shpresa e fundit është nga qeveria Albin Kurti, ishalla do të përmirësohet pak Kosova,” thotë Nikqi.

Ndërsa, qytetari tjetër, Hysen Kurti shprehet se pavarësia është fituar, por me e mbajtë nuk kanë ditur. E për ish presidentin Rugova thekson se është profeti i shqiptarëve, është i dërguar nga Zoti në tokën e shqiptarëve, që të largoheshin armiqtë nga ky popull.

Kurti: E ka dërguar Zoti në këtë tokë që t’i largojë armiqtë nga ne

“Ishalla dëshiron Zoti, e ne shqiptarët mbushemi mend dhe kemi me mbajt këtë pavarësi, me fitu e kanë fituar, me e mbajtë nuk kanë ditë. Tre persona janë që duhet sa të është jeta me i përmënd Skëndëbeu, Nëna Terezë dhe Ibrahim Rugova, i cili është profeti i shqiptarëve, e ka dërguar Zoti në këtë tokë me i heqë armiqtë nga ne… Jemi duke ikur prej kulturës sonë se kjo veshje është kulturë e shqiptarëve, është mëkat mos të përcillet nëpër breza,” shprehet ai.

Pjesëmarrës në zbulimin e bustit ishin familjarët e Rugovës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe shumë aktivistë të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat