Rrëfimet e panjohura për Xhemail Mustafën - Antishqiptarët e partisë tjetër e vranë

Politika

Rrëfimet e panjohura për Xhemail Mustafën - Antishqiptarët e partisë tjetër e vranë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 nëntor 2021 Në ora: 18:47
Xhemail Mustafa

Portreti i Xhemail Mustafës po merr një pamje më të plotë me kalimin e viteve. Roli i tij i rëndësishëm përveç në jetën kulturore e publicistike, po ndriçohet edhe në politikë. Përveç se njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit Rugova, ai po shihet si një intelektual, që mund ta kishte ndihmuar shumë Kosovën në proceset që ndodhën pastaj, e edhe mbas vdekjes së Rugovës.

Xhemajl Mustafa u vra 21 vjet më parë. Ai ishte një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëkohësisht kolumnisti I Gazetës “Bota sot”. Përgjatë këtyre viteve në lidhje me vrasjen e tij ende nuk janë të zbuluar autorët. Veprimtari Xhemajl Mustafa është vrarë më 23 nëntor të vitit 2000 në Prishtinë, teksa po hynte në banesën e tij në lagjen “Dardania”, ai ishte qëlluar me armë zjarri nga dy persona. Hetimet për vrasjen e tij kishin filluar menjëherë nga Policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i. Ndërsa institucionet e Kosovës edhe pas 21 vite nuk e kanë zbardhur vrasjen e Xhemajl Mustafës e vrasësit e tij janë akoma në liri të cilët padrejtësisht ia morën jetën. Vrasja e tij përbën një nga ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë e cila vazhdon të mbetet enigmë.

Vrasja e Mustafës ishte vrasja e tretë politike e pas luftës së Kosovës dhe tronditi skenën politike e cila si shumë vrasje të pas luftës së Kosovës mbeti e pa zgjidhur. Kjo ishte vrasja e tretë e intelektualëve të shquar që shumica ishin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, autorët e të cilëve ende nuk janë kapur. Kujtojmë që Mustafa la pas vetës gruan dhe fëmijët e tij, Berianën dhe Besianin, të cilët në vazhdimësi kërkojnë zbardhjen e vrasjes së babait të tyre.

"Bota sot”, ka kontaktuar me disa nga intelektualët, politikanët e gazetarët që bashkëpunuan dhe ishin kolegë me intelektualin, shkrimtarin e publicistin Xhemajl Mustafa.

Atentat ndaj frymës së pavarësisë

Image
Prof. Dr. Xhavit Beqiri

Prof.Dr.Xhavit Beqiri, dikur gazetar, rrëfen për bashkëpunimin që ka pasur dhe njohjen me Xhemail Mustafën.

“Xhemail Mustafën kam pasur fatin ta njoh personalisht. Do ta kujtoj përherë si një njeri të përgjegjshëm e të urtë, si një personalitet të nderuar të mendimit e të veprimit intelektual dhe politik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, thotë Beqiri. Ai flet edhe për anën tjetër, intelektuale të Mustafës, për nivelin e studimeve kritike të tij. “Xhema njihej si një lexues i pasionuar i letërsisë. Firma e tij gëzonte autoritet në publicistikën dhe kritikën tonë letrare të kohës, sepse ai kishte provuar sa e sa herë se ishte njohës shumë i mirë i letërsisë sonë dhe asaj të huaj”, thotë ai.

Sa i përket vrasjes së Xhemës, Beqiri e vlerëson si një atentat ndaj frymës së pavarësisë, shtetit dhe vetë demokracisë. “Xhemail Mustafa u shua në një atentat mizor, në kohën kur ishte këshilltar politik dhe zëdhënës i Presidentit Rugova. Prandaj, vrasja e tij paraqet një krim politik kundër frymës që ai përfaqësonte, kundër idesë së Republikës së Kosovës shtet sovran, demokratik e perëndimor”, përfundon Beqiri.

Jupolli: Dora e zezë e vendit mori jetën e Xhemajl Mustafës

Image
Musa Jupolli

Shkrimtari Musa Jupolli, i cili jeton në Francë, ishte mik i ngushtë i Xhemajl Mustafës dhe presidentit Rugova, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur i pikëlluar në këtë përvjetor. Ai tregon që Mustafën e ka pasur mik shtëpie e shok të studimeve, gjithashtu ai ceku që mik i ngushtë ishte edhe i presidentit Rugova, mirëpo që dora e zezë e mori nga kjo jetë dhe se shpreson që një ditë e vërteta të dal në shesh.

“Xhemail Mustafa ishte mik i imi, mik shtëpie, shok gjimnazi, po edhe i studimeve, po aq edhe bashkudhëtar i çështjes për lirinë e Dardanisë! Ajo dorë e zezë, apo ai “grupacion” që shtiu mbi njeriun e letrave të bukura shqipe kërkon ndëshkim të rreptë ! Xhemail Mustafa u vra me shkrime në dorë për dashurinë që kishte për Atdheun, trupi i tij u mbulua me gjak e letrat i kishte përplot shpresë për t‘ardhmen e Dardanisë, mik i pandarë i Presidentit Rugova, dhe po ashtu i pa ndarë me Enver Malokun, dy figura emblematike të çështjes sonë për liri e drejtësi! Nuk e di ku qëndron Drejtësia në vendin tonë, po këto raste tragjike kërkojnë zbardhje të ngutshme, u vranë atdhetarët po aq rëndë u plagos atdheu, dhimbje që ndrydhë shpirtin e çdo shqiptari me ndjenja atdhetare! Shpresa mbetet që fajtorët të dalin para drejtësisë, jam i bindur se dikush e di këtë, po cili apo cilët janë ata është koha që të zbardhet e vërteta”, u shpreh Jupolli.

Ai më tej, përmend vdekjen e Gërvalles dhe më pas Mustafës, dy vdekje që tronditën opinionin publik.

“Xhemail Mustafës, DREJTËSI. Kam nevojë për dëshmi. Që dhembjet t' më lehtësohen. Në gjimnazin e Nëntorit e në fakultet n' ide filozofia e kombit, fjala jote për t' ardhmen e Dardanisë! Dy herë loti! Në Prishtinë për Jusuf Gërvallën, loti i dytë në Mesianë për ty poet, në Paris vetë ma the ...një ëndërr...! dorë e ligë e shpirt zi i prenë frymën atdhetarit Xhemail Mustafës i ideve e i penës shqiptare, Pika loti nga sytë e shqiponjës rrodhën! Poema ime shpirti Yt letrar, me zë të lartë do ta lexoj”, thotë miku i ngushtë i Mustafës. Në fund, Jupolli shpreson që një ditë e vërteta të del në pah dhe këto dhembje të zvogëlohen. “Xhemail vëlla, në romanin tim edhe për Ty shkrova mik i Krijuesit, shok i pandarë, të vranë me shkrime në dorë plumbat e armikut. Trupi yt ishte larë në gjak, fletët e shkrimeve për Kosovën ta mbuluan trupin dhe rrjedhën e gjakut në to lexohej me shkronja të zeza që morën ngjyrën e kuqe: PËR LIRINË E KOSOVËS. Si valë në dallgore rrahin dëshpërimet tona. O trishtim! Rënd plagose Dardaninë. Nga ajo ditë dhembja ndrydhë. Kam nevojë për dëshmi që dhembjet t'më zvogëlohen. Në fletën time të bardhë shkrova një fjalë D R E J T Ë S I”, u shpreh Musa Jupolli për “Bota sot”.

Kabashi: E vërteta e vrasjes së Mustafës qëndron në Prishtinë

Image
Bajram Kabashi

Ndërsa bashkëpunëtori tjetër i Mustafës, Bajram Kabashi në një bisedë me “Bota sot”, ka folur në pika të shkurtra në lidhje me bashkëpunimin që kanë pasur. Kabashi thotë se 21 vite janë shumë që të mos gjenden ende fajtorët e kësaj vrasje mizore.

“Për fat të keq u bënë 21 vite nga vrasja e Xhemajl Mustafës, kolegut tim nga gazeta tashmë e shuar Rilindja. Fajtorët e vrasjes së tij e të tjerëve nuk dihen, se nuk ka dashur askush që ato të dihen pasi ekziston baza e fortë e dyshimit që dikush "në emër të luftës" duhet ti ketë bërë të gjitha këto krime dhe natyrisht krimet është dashur të mbaheshin të fshehura dhe të mbyteshin me harresën e pamëshirshme të kohës. 21 vite janë shumë, me të vërtetë është kohë e gjatë që shkoj pa u zhvilluar asnjë hetim, asnjë zbulim, qoftë edhe ky ndaj Xhemajl Mustafës që antishqiptarët e partisë tjetër e vranë në mbrëmjen e ditës së sotshme, sonte 21 vite më parë”, thotë ai.

Tutje, miku i Mustafës thotë që është në rregull të ekzistojë gjykata speciale, mirëpo që zbulimi i këtyre vrasjeve bëhet vetëm në Prishtinë.

“Ndoshta duket e pabesueshme por atyre që i bënë të gjitha këto vrasje, duke e qitur vendin e vet në gjunjë në rrethana Lirie, fundi mund tu vije vetëm kur gjykimet e tilla ndaj veprimtarisë së gjerë kriminale që shkon deri në antishqiptarizëm të pastër, do të bëhen në Prishtinë. Mirë. le të funksionoj Gjykata Speciale me seli në Hagë dhe le ta poshtëroj me vendim gjykatash atë që e meriton poshtërimin e përjetshëm për vrasjen e njerëzve të popullit të vet, por zbardhja e plotë e problemit, herdokur, duhet të bëhet në Kosovë, në kryeqytetin e vendit në Prishtinë. Ne për fat të keq nuk patëm gazetari të mirëfilltë kritike që me profesionalizmin e saj tu shkonte deri në fund vrasjeve të tilla, autorëve që i bënë, urdhërdhënësve të tyre”, nënvizon Kabashi.

Në fund, bashkëpunëtori thotë që autorët e vrasjes duhet të dënohen dhe për këtë duhet i gjithë populli të jenë të bashkuar në mënyrë që të zbulohet e vërteta.

“Autorët e vrasjeve mund e duhen dënuar, por ata janë mercenarë të paguar apo në ndonjë rast fanatik partiak, por e rëndësishmja është që të dënohen urdhërdhënësit e sigurisht ata i kemi gjallë dikund. Unë sidoqoftë kam shpresë të madhe se ne do të tregohemi në fund të fundit ai popull që jemi, komb modern, që as nuk mashtrohemi e as nuk shitemi lehtë. Ne duhet të jemi të bashkuar e të pandashëm kundër kriminelëve, pavarësisht strehës së tyre, vendit ku ata mund të gjejnë prehje e qetësi, në parti apo "fe". Një komb i qytetëruar e mbron policinë e vet duke i mposhtur kriminelët, pavarësisht emrit të tyre "të madh" që mund ta kenë apo që ia kanë dhënë vetës”, përfundoi Bajram Kabashi për “Bota sot”.

Musolli: Xhemajl Mustafa zotëroi urtësinë e presidentit Rugova

Image
Lekë Musolli

Veterani i gazetarisë Lekë Musolli ka rrëfyer për “Bota sot” disa momente të veçanta të njohjes dhe momente të punës profesionale dhe veprimarisë politike të Xhemajl Mustafës. Musolli shprehet se e ka njohur shumë kohë më parë dhe se në vitin 1991 ai Xhemën e kujtonte si një prej organizatorëve e mobilizatorëve të Mërgatës tonë në Zvicër për organizimin e demonstratave në këtë vend për ta njoftuar opinionin ndërkombëtar me gjendjen e rëndë të shqiptarëve.

“Xhemën e kam njohur si gazetar që në shkrimet e tij të para, sidomos në fundvitet e të tetëdhjetave angazhohej për kundërvënie të regjimit kolonizator serb prandaj na duhet më shumë se kurr fjala e lirë e mendimi i lirë politik. Në ato vite Xhemajli bashkë me një grup gazetarësh të Rilindjes e Radio Televizionit të Prishtinës filluan ta akceptojnë pluralizmin politik si domosdoshmëri për të ecur tutje proceset demokratike në Kosovë. Në vitin 1991 Xhemën e kujtoi si një prej organizatorëve e mobilizuesve të Mërgatës tonë në Zvicër për organizimin e demonstratave në këtë vend për ta njoftue opinionin ndërkombëtar me gjendjen e rëndë të shqiptarëve në atdheun e tyre të pushtuar nga regjimi okupator serb”, thotë ai.

Musolli më tej shton që Mustafa ishte një nga organizatorët e palodhur për të mbrojtur vendin nga dhuna e krimi serb dhe se ka pasur gjithmonë maturi politike.

“Në mesin e shumë protestave e demonstratave shqiptare kundër kolonizatorëve të Beogradit ishte demonstrata në Bërn të Zvicrës në vitin 1991 dhe e mbaj në mend sepse isha aty një prej organizatorëve. Ishte veprimtari i palodhur Xhemajl Mustafa i cili vuri në spikamë dhunēn e krimin serb në Kosovë. Gazetari e publicisti Xhemaj Mustafa gjithnjë i hapur për të komunikuar me njerëz për situatën që mbizotëronte ato vite plotë dhunë e plotë dhembje që s’ishte lehtë të menaxhohen sepse mundësitë tona ishin tepër të limituara prandaj edhe kërkohej durim e maturi politike tue mos heqë dorë asnjëherë nga kërkesat për liri kombëtare e subjektivitet të plotë politik për Kosovën”, shprehet Musolli.

Në fund, gazetari potencon se Mustafa u vra nga duart tinëzare pasi u pengonte Xhema e intelektualizmi i tij. “Xhemajl Mustafa gjithnjë në paraqitjet e tij publike, por edhe në cilësinë kur ishte zëdhënës politik i presidentit Rugova pasqyronte urtësi politike dhe ishte optimist se Kosova do të ketë përkrahje ndërkombëtare për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës. Ishte e mbeti një liridashës që Kosovën e tij e donte me dije, ndërsa bazament zhvillimi e përparimi e konsideronte civilizimin perëndimor. Atdhetari i Madh Xhemajl Mustafa u vra nga duart tinëzare. E vranë errësirat antishqiptare sepse u pengonte Xhema e intelektualizmi i tij. Xhema është pjesë e lirisë tonë. Xhema ynë jeton në zemrat tona”, përfundoi Lekë Musolli për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat